Nga Albert Vataj
Ka ngjarje që mbeten në hije, jo pse u mungon rëndësia, por sepse zhurma e kohës, errësira e harresës dhe mungesa e përkujdesjes, i lënë mënjanë. E tillë është edhe vizita e prillit të vitit 1917, kur një delegacion shqiptar prej 34 burrash, përfaqësues të viseve, besimeve dhe nderit të shqiptarëve, udhëtuan në zemër të Perandorisë Austro-Hungareze. Qellimi i ardhjes së përfaqësuesve shqiptare ishte një takim nderimi me perandorin e ri Karl (1887-1922), si dhe për të bërë homazhe tek varri i perandorit Franz Josef (1830-1916), i cili kishte sunduar mbi Perandorinë Austro-Hungareze nga 1848 deri në 1916, vdiq më 21 nëntor 1916 dhe u pasua nga nipi i tij.
Në këtë udhëtim nuk mbërritën vetëm trupat e tyre, por edhe shpirti i një populli që kërkonte njohje, që priste drejtësi, që shpresonte në një përkrahje për të ruajtur identitetin dhe qenësinë. Në veshjet e tyre kombëtare, me mustaqe krenare dhe qëndrim hijerëndë, ata nuk përfaqësonin veten, por një popull të tërë. Ata nuk flisnin vetëm gjuhën e tyre, por përçonin mesazhin e një Shqipërie që kishte nevojë të dëgjohej, në një Europë që përherë e shikonte me mëdyshje.

Kur burrat e kombit udhëtonin drejt Perandorisë
Ky tekst është një përpjekje për ta nxjerrë nga pluhuri i arkivave këtë kapitull të paharruar të historisë sonë. Është një rikujtim dhe një përulje ndaj atyre burrave që e mbartën Shqipërinë me gjoks, me fjalë dhe me qëndrim. Është një përkulje e mirënjohjes për ata që në mes të luftës nuk harruan të ishin përfaqësues të dinjitetit kombëtar.
Albanologu kanadezo-gjerman, Robert Elsie, ka përcjellë në shqip nga gjermanishtja këtë ngjarje përmes gazetarit të njohur, Leo Freundlich, i cili raporti i vizitën në “Korrespondenca shqiptare”.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u pushtua në një pjesë të madhe nga trupat austro-hungareze. Perandori plak Franz Joseph I (1830–1916), i cili kishte sunduar Perandorinë Austro-Hungareze nga viti 1848 deri në vdekjen e tij më 21 nëntor 1916, u pasua nga nipi i tij, Karl I (1887–1922). Ky i fundit mbretëroi deri në shpërbërjen e Perandorisë në vitin 1918.
Në prill të vitit 1917, komandanti i lartë i forcave austro-hungareze në Shqipëri, gjenerali Ignaz Freiherr Trollmann von Lovcenberg (1860–1919), ftoi një delegacion të gjerë krerësh shqiptarë në Vjenë. Zyrtarisht, qëllimi ishte për t’i bërë homazhe perandorit të ri, por ftesa kishte edhe një sfond politik dhe simbolik: ishte një gjest që tregonte mbështetjen e shqiptarëve për perandorin dhe praninë austro-hungareze në vendin e tyre.
Shumica e krerëve të fiseve nuk kishin qenë kurrë jashtë Shqipërisë, ndaj përballja e tyre me aristokracinë vjeneze ishte një përvojë e veçantë. Edhe për qytetarët e Vjenës, pamja e tyre ekzotike në veshje tradicionale ishte një pamje e rrallë dhe ngjalli habi e kureshtje.
17 prill 1917
Një përfaqësi shqiptare prej 34 vetash mbërriti në Vjenë nën shoqërinë e gjeneralit Trollmann, për t’i shprehur homazhet e saj perandorit Karl në emër të Shqipërisë. Delegacioni përfaqësonte të gjitha rajonet e zonës së pushtuar dhe të gjitha komunitetet fetare.
Shkodra përfaqësohej nga Musa efendi Juka, Kol Ujka dhe Hasan efendi Bekteshi.
Malësia katolike kishte dërguar Vat Marashin, bajraktar i Shkrelit; Gjelosh Gjokën, vojvod i Kastratit; dhe fisnikun Avdi Kola, be i Shalës.
Postrriba përfaqësohej nga vojvoda Hasan Ahmeti.
Lezha përfaqësohej nga Ded Çoku (Klementi), Mano Beu dhe Mehmed Beu (Bregu i Matit).
Puka dhe Mirdita nga Ndue Gjoni (kapedan), Zef Noci dhe Zejnel Aga (vojvodë).
Mati nga familja Zogolli përmes Ahmet Beut.
Kruja nga Myftiu Muharrem Pengili.
Tirana nga Xhelal Bej Toptani (kushëri i Esadit) dhe Musa Naci.
Durrësi nga kryetari i bashkisë Izzedin Beshiri dhe famullitari Imzot Nikoll Kaçorri.
Kavaja nga kryetari Kasim Beu dhe Shehziver Beu.
Elbasani nga Lef Nosi dhe Irfan Beu.
Berati dhe Skrapari nga Sami Bej Vrioni (dhëndër i Esad Toptanit), myftiu Mehmed Esad dhe Demeter Lavda.
Lushnja nga Ahmed Bej Resuli dhe Emin Vokopola.
Fieri nga Kahreman Vrioni.
Dibra dhe Peshkopia nga Elez Jusufi dhe nënprefekti i Lumës, Salih Spahia.
Krasniqja nga Hysni Bej Curri.
Zadrima nga A. Miloti.
Kosova përfaqësohej nga Hasan Bej Prishtina, ish-ministër i Shqipërisë.
Gjenerali Trollmann shoqërohej nga togeri i parë Myrdacz, kapiteni Wimmer dhe adjutantët toger Holzpach dhe toger i parë Vukic. Delegacioni u prit në stacionin hekurudhor nga përfaqësues të ushtrisë dhe diplomacisë, përfshirë kapitenin Ritter von Gross, kapitenin Stojakowic dhe konsullin von Rudnay. Pas prezantimeve, anëtarët e delegacionit u përcollën nëpër hotele me një kolonë të gjatë makinash.
Në Vjenë – 17 prill 1917
Në mëngjes, delegacioni shqiptar vizitoi Thesarin Perandorak nën shoqërimin e gjeneralit Trollmann. U përshëndetën nga arkëtari perandorak, Konti Berchtold, dhe shefi i Thesarit, baroni Weckbecker. Ata shfaqën interes të madh dhe admirim për koleksionet, në veçanti për shpatën dhe helmetën e Skënderbeut. Interpretët ishin profesorët Pekmezi dhe Rrota.
Vizita vijoi në Muzeun Kunsthistorisches. Koleksioni i armëve dhe objektet e tjera ngjallën interes të veçantë, ndërsa kalimtarët u mahnitën nga pamja e shqiptarëve me veshje tradicionale. Në orën 12:30 u organizua një drekë nga gjenerali Trollmann në hotelin Meissl & Schadn. Pasdite, shqiptarët vizituan qytetin me një tramvaj të posaçëm dhe Varrezat Qendrore, ku vunë një kurorë dafinash në monumentin e ushtrisë.
Në orën 19:30 u shtrua një darkë në hotelin Erzherzog Karl. Shqiptarët, sidomos krerët malësorë me shtatlartësinë dhe veshjet e tyre të stolisura, tërhoqën vëmendjen dhe adhurimin e publikut.
18 prill 1917 – Audienca tek Perandori dhe Perandoresha
Në mëngjes, delegacioni vizitoi Kriptën Perandorake Kapuzinergruft. Gjenerali Trollmann mbajti një fjalim prekës pranë varrit të Franz Josephit, duke vlerësuar dashamirësinë e perandorit ndaj Shqipërisë. Më pas folën Dr. Pekmezi dhe Hasan Bej Prishtina, të cilët përshkruan me mirënjohje ndihmën e Perandorisë ndaj shqiptarëve.
Pas vizitës, delegacioni shkoi në Arsenalin ushtarak dhe vizitoi katedralen e Shën Stefanit. Në mbrëmje, u organizua një darkë zyrtare në hotelin Bristol.
Në orën 15:00, delegacioni u prit nga Perandori Karl dhe Perandoresha në Hofburg, në një audiencë solemne. Të pranishmit mbërritën me dhjetë automjete ushtarake. Pas fjalës së gjeneralit Trollmann, Perandori bisedoi me shumë nga anëtarët e delegacionit. Audienca zgjati 45 minuta dhe u ndoq edhe nga Konti Czernin dhe Konti Berchtold.
Një moment prekës ishte dhurata që Xhelal Bej Toptani i kërkoi Perandorit t’ia dorëzonte Perandoreshës: një fustan për vajzën e tyre trevjeçare, kryedukeshën Adelheid, punuar me dorë në stil shqiptar. Fustani iu dorëzua më pas nga një vullnetare shqiptare.
Pas audiencës, delegacioni vizitoi Ministrinë e Jashtme, ku u prit ngrohtësisht nga Konti Czernin, i cili bisedoi personalisht me shumë prej tyre. Vizita përfundoi me një pritje në Bashkinë e Vjenës, ku kryetari Dr. Weiskirchner i mirëpriti dhe vlerësoi si gjeneralin Trollmann, ashtu edhe krerët shqiptarë.
19 prill 1917
Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga autoriteti më i lartë ushtarak në vend, Gjenerali i Këmbësorisë Ignaz Trollmann, vizitoi sot Shkollën Spanjolle të Kalërimit në Vjenë. Në këtë vizitë zyrtare, delegacioni u prit nga Ekueri i Parë i Perandorit, Konti von der Straaten. Gjatë vizitës, një numër kuajsh të pastër nga fermat perandorake demonstruan ritmet e shkollës me një elegancë që u duartrokit me entuziazëm nga të pranishmit shqiptarë.
Pas kësaj, i shoqëruar nga Konti von der Straaten, delegacioni vizitoi stacionin perandorak të karrocave (Imperial Mews), ku inspektuan kuajt, dhomën e shalëve dhe mjetet e tjera ceremoniale. Më pas, vizita vazhdoi në Muzeun e Historisë Natyrore.
Në orën 13:30, Ministri i Punëve të Jashtme, Konti Czernin, organizoi një drekë në nder të delegacionit në Hotel Imperial. Baron von Flotow, shef i departamentit përkatës, uroi mirëseardhjen në emër të ministrit. Krahas gjeneralit Trollmann dhe anëtarëve të delegacionit shqiptar, në drekë morën pjesë personalitete të tjera të rëndësishme: shefi i Departamentit Ippen, Konsujt e Përgjithshëm Rappaport-Arbengau dhe Juristowski, Konsulli von Rudnay, Sekretarët Perandorakë Baron Prandau, Baron Dipauli dhe von Eckardt, Kapiteni i Parë dhe Lejtnanti Riskoviq, Kapiteni i Shtabit të Përgjithshëm Wimmer, Adjutanti Personal Toger Holzpach etj.
Në orën 15:30, delegacioni shqiptar, nën udhëheqjen e Gjeneralit Trollmann, u prit në një audiencë të veçantë në Pallatin Augarten nga Kryeduka Maks (Archduke Max). Në vijim, në orën 16:00, delegacioni mori pjesë në një pritje zyrtare të dhënë nga arkëtari perandorak, Konti Berchtold, në pallatin e tij në Strudelhofgasse.
Në mbrëmje, anëtarët e delegacionit shqiptar ndoqën operën Fidelio në Teatrin Shtetëror të Operës. Mbrëmja u përmbyll me një darkë zyrtare në hotelin Erzherzog Karl.
20 prill 1917
Në orët e para të mëngjesit, delegacioni shqiptar u prit në Ministrinë e Luftës nga ministri gjeneral i këmbësorisë, Stöger-Steiner von Steinstetten. Nënkoloneli Myrdacz, në emër të gjeneralit Trollmann, mbajti një fjalim përshëndetës, të cilit ministri iu përgjigj me fjalë mirëseardhjeje. Në vijim, Ministri i Luftës pati një bisedë të ngrohtë me një grup të përzgjedhur zotërinjsh, përfshirë disa prej anëtarëve të delegacionit.
Më pas, delegacioni u nis drejt zyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralit Arz von Straussenburg. Meqenëse ai nuk ishte i pranishëm, delegacioni u prit nga përfaqësuesi i tij, Feldmarshall von Höfer. Më pas, delegacioni vizitoi zyrat e Departamentit të Marinës. Aty u prit nga Zëvendëskryetari i Departamentit, Kundëradmirali Rodler, i cili i përshëndeti të pranishmit në gjuhën shqipe, gjë që u mirëprit me simpati. Në emër të delegacionit, Hasan Bej Prishtina e falënderoi atë me një fjalim në frëngjisht.
Pasdite, delegacioni shqiptar u nis me automjete drejt Kobenzl, ku u shtrua një drekë në Schlosshotel. Më pas, delegacioni vizitoi parkun e Schönbrunn-it, kopshtin zoologjik dhe Glorietten. Një pjesë e delegatëve shqiptarë u largua nga Vjena atë ditë, ndërsa të tjerët, të shoqëruar nga gjenerali Trollmann, do të nisen për në Shqipëri më 23 prill.
21 prill 1917
Në mëngjes, delegacioni shqiptar vizitoi konviktin për djem shqiptarë në Krottenthalergasse, institucion i themeluar nga Ministria Perandorake e Tregtisë. Delegacioni u prit ngrohtësisht nga Këshilltari i Gjykatës, Dr. Karl Simeons dhe drejtori i konviktit, Dr. Robert von Kéler. Pasi përshëndetën zyrtarisht delegacionin, ata i shoqëruan në një vizitë të detajuar në ambientet e shkollës.
Meqenëse një pjesë e delegatëve ishte larguar nga Vjena mbrëmjen e mëparshme, në hotelin Meissl & Schadn u organizua një darkë festive lamtumire. Gjatë kësaj mbrëmjeje, Gjenerali Trollmann mbajti një fjalim emocionues, ku vlerësoi atmosferën e unitetit që kishte mbizotëruar gjatë gjithë qëndrimit të delegacionit në Vjenë. Ai theksoi rëndësinë jetike të këtij uniteti për të ardhmen e Shqipërisë dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin që shqiptarët kishin treguar ndaj tij dhe ndaj punës së tij në vend.
Në fund të fjalimit, ai ngriti dolli për të ardhmen e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, me thirrjen: “Rroftë Shqypënija!”
Në emër të delegacionit, Hasan Bej Prishtina i dhuroi gjeneralit një kuti prej floriri, si shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tij. Në fjalën e tij, Prishtina e cilësoi Trollmann-in si një mik të dashur dhe besnik të shqiptarëve, si dhe një ushtarak të guximshëm që kishte mbrojtur vendin nga rreziku. Ai u shpreh se emri i tij do të mbetej përgjithmonë në historinë shqiptare.
Imzot Nikoll Kaçorri, në emër të delegatëve, falënderoi për mikpritjen bujare dhe për atmosferën madhështore që i ishte rezervuar delegacionit në qytetin e bukur të Vjenës. Ai siguroi se të gjithë shqiptarët do të mbështesin Gjeneralin Trollmann në përpjekjet e tij për të çuar përpara Shqipërinë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për kombin.
Fjalimi i tij u shoqërua me brohoritje të fuqishme për Gjeneralin Trollmann. Ai, së bashku me pjesëtarët e tjerë të delegacionit që ndodheshin ende në Vjenë, do të kthehej në Shqipëri më 23 prill.
Drita që vjen nga burrëria e kujtesës
Nuk është pak të përfaqësosh një popull në kohë trazirash. Nuk është pak të mbartësh mbi supe peshën e identitetit dhe të flasësh me dinjitet në oborret e fuqive të mëdha. Delegacioni shqiptar që në prill të vitit 1917 shkeli tokën e Vjenës, nuk ishte një grup burrash të zgjedhur rastësisht – ata ishin fytyra të kombit, përfaqësues të një shpirtmadhësie që nuk është më thjesht kujtim, por trashëgimi.
Ata nuk ishin diplomatë me kostume perëndimore, por burra të maleve dhe fushave, të kishave dhe xhamive, që shkuan për të treguar se Shqipëria ishte gjallë, e bashkuar në kërkesën për të qenë vetvetja. Ishin zëri i një populli që, edhe i ndarë nga kufijtë dhe pushtimet, fliste me një gojë dhe rrihte me një zemër.
Në këtë udhëtim historik, ata sollën me vete jo vetëm emrat dhe bajrakët, por edhe shpresën se kombi shqiptar mund të ecë përpara me dinjitet, nëse ruan kujtesën, nëse respekton burrat e vërtetë, nëse mban gjallë frymën e përfaqësimit me moral dhe ndërgjegje.
Në kohët tona të shpejta dhe të ftohta, kur zëri i arsyes shpesh mbulohet nga gjëmimi i interesave, le të kujtojmë se dikur, në një kohë më të vështirë, patëm burra që përfaqësuan kombësinë tonë me nder. Dhe le të mos harrojmë kurrë se historia nuk ka kuptim pa kujtesën, as identiteti pa rrënjë.
Referuar:
http://www.albanianhistory.net/1917_Freundlich/index.html
Plotësues: