Ndoshta gaboj, por sot dua të uroj me gjithë zemër Fitër Bajramin, atyre që përmes agjërimit dhe sakrificës së tyre kanë kërkuar të gjejnë vendin e merituar në mbretërinë e lartësimit shpirtëror.
Uroj që sakrifica juaj, në këto ditë të madhërishme të Ramazanit, të pranohet si provë devocioni dhe përkushtimi në besim.
Unë nuk i përkas kësaj përkatësie fetare, por gjithsesi besoj. Më së shumti besoj te ajo që ne jemi të gatshëm të ofrojmë si gjënë më të shtrenjtë që kemi, për t’ia dhuruar shenjtërisë shpirtërore, jo vetëm si prove besimi, por si obligim të asaj thirrje të brendshme që na urdhëron për vepra të mira dhe dashuri, për shembullin që na udhëprin kah vetë vullneti qiellor kumton.
Qofshi të shpërblyer, ju që përmes sakrificës arritët te lavdia e Zotit dhe madhështia e besimit!
I bekuar qoftë Ai, Zoti i të gjithëve, Ai që pranoi atë që dhuruat me zemër dhe e lartësoi njeriun që mbushet me besim dhe frymë, përkushtim dhe devocion, mirësi dhe tolerancë, urtësi dhe dritë.
O Zot, Ti që mban shpirtin e gjithësisë në prehrin bujar të vullnetit të mirë, shpërbleji ata që të lartësuan me besim dhe të shndërruan në altar përmes sakrificës.
Prano këtë vepër të lartë njerëzore, të ushqyer me përkushtim ndaj Teje;
… Teje që tregon udhën;
… Teje që e pranon njeriun dhe e çliron nga barra e rëndë e vesit dhe dyshimit, duke e udhëhequr drejt të vërtetës;
… Teje që ke zemër të madhe, ku çdo grimcë përkushtimi dhe devocioni gjen shpërblimin e një bote të ndriçuar nga mirësia.
O Zot, Ti që je gjithçka që kemi dhe gjithçka që jemi, prano sakrificën tonë, ashtu siç ke pranuar lutjet tona si zë të shpirtit që kërkon dhe të sublimitetit që përgjigjet.
Sot, si çdo ditë që vjen nga Ti, me përkushtim dhe mirënjohje, vijmë të përulur e me shpirt të lartësuar, për të dëshmuar se jemi të denjë për sakrificë dhe të merituar për shpërblimin Tënd.
O Zot, beko këtë shpirt që mbushet me Ty dhe sofrën që shtrohet nga Ti për Ty!
Na ke udhëhequr që nga fillimi dhe deri në fund do t’i bindemi vullnetit Tënd.
Sot e përgjithmonë, në Ty dhe për Ty, jemi të përulur dhe të përkushtuar për veprën që na u besua, vlerat që përfaqësuam, besimin që ushqyem dhe shpërblimin që ndriçoi zemrat, ndërsa sakrifica lartësoi shpirtin në lavdinë Tënde.
O Zot, Ti që je Sovrani i Madh, udhëhiq fatin tonë, ashtu siç na e ofron gjithësinë si mundësi dhe sprovë.
Meritojmë shpërblimin Tënd!
Albert Vataj