Albert Vataj
Ti je shembulli i një gruaje që sfidon edhe lartësimin e nënës, një gruaje që, përmes forcës së saj të papërshkueshme, ka mundur të shprehë dashuri dhe përkushtim pa kushte, duke tejkaluar çdo pengesë, e vetme përkundër vështirësive të panumërta dhe të një mentaliteti mbytës, një realiteti që e trajton femrën si objekt dëshirimesh dhe synim egoje. Po, të gruas që e vënë përfundi detyrimet e padiskutueshme të, bijës, bashkëshortes, nënës, punëmarrëses dhe luftëtares për të qenë e denjë në përmbushjen e misionares. Dhe e gjitha kjo, pa dhe aq mirënjohje dhe konsideratë, me përjashtim të farsave politike dhe manipulimit mediatik, që, në vend që t’i bëhet një sup ku ajo të mbështesë kokën, një dëgjesë ku ajo të qaja hallet, një prehër ku ajo të zbrazë trishtimin, i ofrohet një shtirje që e fyen dhe e denigron, duke mos e përfaqësuar as mbrojtur, por duke e lënë në mëshirën e dhunës dhe abuzimit.
I favorizuar nga profesioni i gazetarit, mundësitë e pafundme të komunikimit online si krijues dhe promovues i dijes dhe informacionit me qasje pozitiviste, por edhe aftësia për të depërtuar përtej së dukshmes sipërfaqësore që rrjedhon nga pamjaftueshmëria dhe papajtueshmëria me kaq pak për të njohur diçka kaq të themeltë, kam njohur jo burra të fortë, por gra të pathyeshme, të cilat për të përmbushur misionin e tyre kanë qenë dhe janë të gatshme të sakrifikohen.
Po, ky vetmohim ka marrë trajtë reale e të trishtë, duke burgosur gruan brenda vetes, duke vrarë ëndrrat dhe pajtuar me çdo pranueshmëri, duke lejuar që gjithçka e jetës së saj është fati i saj i parathënë dhe fatkeqësisht i palejueshëm për të ndryshuar.
Njoh plot heroizma burrash, të cilat, historia i ka ngritur në tempuj, por ato të grave, ato të nënave, ato të bijave janë ikonike. Të tilla edhe sot, ndërsa janë rrëzuar mitet dhe është lartësuar në qiej produkti i algoritmit, ai që promovohet përbindshëm duke verbuar shikimin, errësuar logjikën dhe vrarë që në embrion perspektivën, thua se bota ka dalë nga fara e logjikës së numrave e jo nga triumfi i njeriut për t’u ndeshur me ndryshimet në betejën e jetës, për ta përsosur qenien dhe pasuruar botën.
Gratë heroina, gratë e shembullit ngadhënjimtar, marrin një vlerë të tillë, në një botë të dominuar nga meshkujt dhe patriarkalizmi, ndaj kësaj robërie që na siguron një liri brenda mureve dhe na njeh çdo privilegj që na u dhurua me atë legjitimitet që sot të bën të mendosh dhe të fton të reflektosh.
Ato kanë guxuar dhe ia kanë dalë të ndeshen e të fitojnë, me fatin e tyre të caktuar nga prindërit, me alogjizmin se vajza lind në shtëpi të huaj për të shkuar në shtëpinë e vet, me tragjizmin e një luge më pak në sofër dhe të një havaleje më pak nën kulm.
Ato kanë mbijetuar me burra të dhunshëm, prindër të padenjë për frutin e barkut të tyre, me meshkuj që zejen më të mirë kanë pijen, thashethemet e mejhaneve, lëpirjen e interesave të botës dhe tifozllëkun për të gjitha llojet e sportit, përfshi edhe bastet mes meshkujve, pa karakter por me ambicie të kota.
Ata, “burrat që varin pushkën nën mustak”, dhe “ngrehin dyfekun në frenxhi”, ata që kanë lejuar tua gjejnë fatin e tyre të tjerët dhe jo zemra, e aq më pak ambicia për të ndërtuar dhe trashëguar jetën, soj e farë, ata, disa ndër ta, as nuk kanë ditur të duan dhe as nuk e kanë mësuar kurrë se çfarë është e çfarë kërkon një grua, dhe çfarë është gati të ofrojë ajo në këmbim, së paku ajo e tyrja, ndërsa jargaviten pas atyre që janë synim për egon e tyre maskiliste.
Kam njohur një grua, një nënë, një shpirt të bukur, një zemër të bardhë, dhe një bijë të dhembshur, e cila, edhe pse në një situatë sfiduese të jetës, i duhet të bëjë çdo punë për të përmbushur misionin e saj, për të arritur gjithçka me dinjitet dhe duke mos kursyer asgjë deri në vetësakrifikim.
E braktisur, e flakur në rrugë me fëmijët, pa një strehë mbi kokë, pa asnjë mbështetje prindërore, ajo qëndron në këmbë mbi anijen e jetës që përpëlitet në dallgë. Jo vetëm kaq, asaj i është dashur të mohojë veten për ëndrrat e fëmijëve të saj, për shkollimin dhe përmbushjen e tyre, të cilat gjithëkush i di se sa vështirë janë të mundura në këtë realitet, në këtë betejë të përditshme për të sfiduar një jetesë gjithnjë e më të shtrenjtë dhe pasigurinë e vendit të punës, si dhe injorimin nga çdo strukturë mbikëqyrëse sociale.
Ajo është një grua që di të qahet, por ka vendosur thjesht ta mbytë trishtimin e saj dhe t’i kundërvihet fatit të keq, në një det lotësh. Lot që ajo i derdh në vetminë e saj, larg syve që as nuk dinë ta ngushëllojnë dhe as nuk duan, jo vetëm ta ndihmojnë, por as edhe t’i japin të drejtë.
Fati i kësaj gruaje është fati i shumë e shumë grave të tjera në këtë vend të vogël, bija të cilat nuk gëzojnë të drejtën të trokasin në portën e prindërve, t’u qajnë hallet të afërmve, apo t’u drejtohen institucioneve për të drejtat që u shkelen dhe detyrimet që nuk u njihen.
Ato janë “gjinia e dobët”, të cilat po dëshmojnë me vepër se janë po aq të forta sa çdo qëndresë që ka mundur t’i bëjë ballë fatit të të mundurve. Ato nuk nxjerrin zë sepse nuk e dëgjon askush hallin e tyre, nuk ka kush t’ua vërë veshin shqetësimeve, dhimbjeve të shpirtit dhe dëshpërimit që e mbysin në lotët e vetmisë.
Ne kujtohemi për to vetëm kur ato përfundojnë në lajmet e kronikës së zezë, por atëherë është shumë vonë.
Në një shoqëri ku e drejta u takon burrave si një e drejtë e pakontestueshme sipas drejtësisë patriarkale, një grua është një grua së cilës i është dashur gjithnjë të jetë e bindur, e nënshtruar dhe pa të drejtën për të pasur të drejtë.
Edhe pse kjo panoramë duket se ka ndryshuar, kjo mbetet një fasadë për sytë e opinionit publik, e cila fatkeqësisht mjaftohet gjithënjë me sipërfaqen dhe e njeh thelbin vetëm kur situata është kritike ose fatale.
Këtë plagë nuk e shërojnë dot numri i lartë i divorceve apo politikat e barazisë gjinore, por vetëm emancipimi i shoqërisë. E drejta jonë për të dëgjuar zërin e shpirtit të grave, ndoshta në pamundësi për t’i ndihmuar, por për ta njohur sakrificën e tyre dhe për ta fuqizuar me aq sa mundemi themelin e tyre të qëndresës.
Të mos harrojmë: gratë janë nëna, dhe në themelet e qëndresave, urave dhe bedenave, nuk janë flijuar kurrë burra.