Të pranoj dhe t’i bindem asaj që thoshte, Mário de Andrade, se “Ne kemi dy jetë dhe e dyta fillon kur kupton se ke vetëm një”
Ndoshta duhet të ketë mirësinë, që një mëndje e bukur si ajo e Mário de Andrade, shkrimtar, poet, eseist, muzikolog dhe kritik arti, duke kontribuar ndjeshëm në formësimin e kulturës dhe letërsisë braziliane, të na thotë se, po, jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë një kuptim shpirtëror jetës, pikërisht atëherë që nuk kemi kohë për të shkuar dëm.
Kësisoj ai shkruan:
“Kam numëruar vitet e mia dhe kam zbuluar se kam më pak kohë për të jetuar sesa kam jetuar deri tani.
Ndihem si ai fëmija që i japin një pako me ëmbëlsira: të parat i ha me kënaqësi, por kur kupton se i kanë mbetur pak, fillon t’i shijojë intensivisht.
Nuk kam më kohë për mbledhje pa fund, në të cilat diskutohen statutet, procedurat dhe rregulloret e brendshme, duke e ditur që në fund nuk do të arrihet asgjë.
Nuk kam më kohë të duroj njerëz absurdë që përveç moshës nuk janë rritur në asnjë aspekt tjetër.
Nuk kam më kohë për të humbur në marrëzi.
Nuk dua të marr pjesë në takime ku parakalojnë vetëm “Egot” e fryra.
Nuk kam më kohë për manipulues, karrieristë, përfitues.
Më shqetësojnë njerëzit ziliqarë.
Kam pak kohë për të diskutuar për pasuritë materiale ose pozitat shoqërore.
Unë e dua thelbësoren, sepse shpirti im tani është në nxitim.
Tani dua të jetoj mes qenieve njerëzore të ndjeshme.
Njerëz që dinë të duan dhe të tallen me gabimet e tyre.
Njerëz që nuk mburren me luksin dhe pasurinë e tyre.
Njerëz që nuk u shpëtojnë përgjegjësive të tyre.
Njerëz që mbrojnë dinjitetin njerëzor.
Dua të rrethohem me njerëz që duan të jetojnë me ndershmëri dhe drejtësi. Sepse vetëm gjërat thelbësore e bëjnë jetën me vlerë.
Unë nxitoj të jetoj me intensitetin që mund të na japë vetëm pjekuria.
Qëllimi im është të largohem në paqe me të dashurit e mi dhe me ndërgjegjen time.
Ne kemi dy jetë dhe e dyta fillon kur kupton se ke vetëm një.”
(Mário de Andrade (1893-1945), Minha alma está em brisa, 1940 )
Mário de Andrade, na kujton se jeta nuk matet thjesht me kohën që kalon, por me thellësinë me të cilën zgjedhim ta jetojmë. Në këtë reflektim të paharrueshëm, ai na përball me një të vërtetë të thjeshtë, por të fuqishme: koha jonë është e kufizuar, dhe vetëdija për këtë kufi është ajo që i jep jetës tonë një fillim të dytë, një kuptim më të thellë.
Në këtë gjendje të pjekurisë, autori shfaq një shpirt që ka mësuar të filtrojë të panevojshmen, duke përqafuar esencën e asaj që është e rëndësishme. Ai refuzon sipërfaqësoren, absurditetin dhe mburrjen, duke kërkuar një jetë me njerëz të vërtetë, të ndjeshëm, të sinqertë dhe të përkushtuar ndaj të mirës. Ky manifest i thjeshtësisë dhe thelbit është një thirrje për ne të gjithëve që të jetojmë me ndershmëri, drejtësi dhe dashuri.
Andrade na sfidon të ndalemi, të reflektojmë dhe të rivlerësojmë përparësitë tona. Ai na kujton se nuk është vonë për të nisur jetën e dytë – atë ku çdo moment merr një peshë më të madhe dhe çdo marrëdhënie një kuptim më të thellë. Jeta, na thotë ai, ka vlerë vetëm kur jetohet me ndërgjegje dhe ndjenjë, me një shpirt që, edhe pse në nxitim, kërkon qetësi në thelbin e ekzistencës njerëzore.
Përgatiti: Albert Vataj