Keni parë sot një nënkalim, apo urë, ndërtesë apo vepër arti, kapardisje moderniteti. Sigurisht që i keni parë. Shumë prej tyre nuk ju kanë bërë përshtypje. Sepse ato janë bosh, sado që përpiqen ta mbushin botën me praninë e tyre. Ato, nuk rreken të thonë asgjë më shumë se ajo që janë, mur betoni, masiv hekuri, e turli lloj sajimi të painteres. Me rëndësi është funksionaliteti, të paktën kështu arsyetohen arkitektë e dizejnatorë, projektues dhe rindërtues.
Pavarësisht se edhe më e bukura prej tyre është e shëmtuar dhe pa asnjë shprehi, sërish ne nuk kemi se pse të ndihemi në faj, për boshllëkun, me të cilin mbushim botën tonë bosh, e cila dominohet vetëm jehon, pa mundur dot të qartësojë një tingull, një zë apo një harmoni.
Ne e kuptojmë se sa e zbrazët është gjithçka e asaj që na rrethon, pavarësisht se sa madhështore kërkon të na imponohet, kur guxojmë të bëjmë krahasimin e asaj që bëmë ne modernistet më çfarë trashëguam nga kohë të largëta, shumë të largëta.
Nevoja jonë për të jetuar në boshllëk, në pajëtësi të gjërave, në shurdhërinë e asaj që na rrethon, është një lloj diktati mbytës që jo vetëm na zbraz, por edhe na pamundëson për të jetuar bukur, për t’u ndjerë të magjepsur, për ta ftuar adhurimin të jetë reflektim i shpirtjes sonë.
Do të sjell për ballafaqim, jo ndonjë gjë për të thënë “uau”, por që mjafton për të sfiduar çdo kurajo arkitekturore apo qasje moderniteti.
Në foto është “Harku i Titit”, e cila u ndërtua për nder të triumfit të perandorit Titus në Jude dhe pushtimit të Jeruzalemit. Harku është njëkalimësh dhe është 15,4 m i lartë. Ajo është e mbuluar me relieve. Nën harkun kalon rruga kryesore e Forumit Romak – Via Sacra. U ndërtua nga perandori Domitian menjëherë pas vdekjes së vëllait të tij të madh Titus, në vitin 81 për të përkujtuar pushtimin e Jeruzalemit në vitin 70. Brenda harkut, në njërën anë, Perandori Titus është përshkruar në një karrocë të kurorëzuar si fitimtar, tjetra, ajo çfarë Jeruzalemi kishte, e cila përfundoi si trofe fitoreje. Vetëm ta imagjinoni kohën kur mjeshtrat e krijuan këtë portal, elegancën dhe bukurinë e realizimit të të gjithë komponentëve që përmbushin këtë kryevepër.
Gjithashu, detaje arkitekturore të kolonës së Marcus Aurelius. Skena të gdhendura ushtarake rreshtohen në këtë kolonë të shekullit të 2-të në Romë, Itali.
Këto magjepsje u krijuan nga njerëz, me më pak mundësi dhe mjete, kapacitete financiare dhe teknologjike, por ata ishin të talentuar dhe të zotë dhe gjithçkaje që ata bënë, e mëkuan shpirtin e tyre plot dritë pasurimi, që shkëlqeu për të vezulluar edhe sot pas kaq e kaq shumë vitesh, për të dëshmuar me fuqi absolute dhe vetëbesim se ne bëmë atë që ju nuk do të mund ta bëni kurrë.
Dhe kjo është tmerrësisht e vërtetë!
Albert Vataj