Mënyra se se OSHO i qaset filozofisë mbi epshin dhe dashurinë, del në pah dallimi i thellë midis dy formave të energjisë, asaj seksuale dhe shpirtërore, e cila e trajtuar në praktikën e përçuesit të elektricitetit, mund të bëjmë krahasimin mes nulit dhe fazës.
Epshi konsiderohet si një formë e energjisë seksuale që lëviz drejt rrënjëve, pra më poshtë, duke e mbajtur individin të lidhur me aspektet instinktive dhe egoiste. Është një forcë që përqendrohet në dëshirat personale dhe posedimin, ndoshta një ligjësi shtytëse prej origjinës në thellësinë e qenësishme të qenies.
Epshi është forma më e ulët e energjisë seksuale dhe dëshira më e lartë e saj. Derisa epshi juaj të bëhet dashuri, do të vazhdoni të jeni larg qëllimit, mëson OSHO. Epshi është e njëjta energji si dashuria. Ndryshimi është vetëm në drejtimin. Epshi lëviz përposhtë, dashuria sipër. Epshi është si rrënjët e pemës, dashuria si krahët e zogjve, por energjia është e njëjtë, neutrale. Derisa ju të bëheni të ndërgjegjshëm për këtë fakt nuk do të jeni krijues. Në zbritje është shkatërruese, thjesht po argëtoni veten, nuk po integroheni, ajo që Gurdjief quan kristalizim, saktësohet prej gurus.
Nëse dashuria ka varësi përbrenda, është epsh. Në epsh nuk po mendoni vërtet për tjetrin, por e përdorni tjetrin si mjet për qëllimet tuaja. E, sigurisht, kjo është varësi, pasi doni ta zotëroni tjetrin përgjithmonë. Pasi të nesërmen, e prapë të pasnesërmen do të keni nevojë për një të dashur që ta zotëroni.
Kur tjetri është bëhet më i vlefshëm se ju – kjo është dhembshuri, kjo është dashuri – kur sakrifikoni veten për tjetrin. Kur bëheni mënyra dhe tjetri bëhet qëllimi, kjo është dashuria. Kur bëheni qëllimi e tjetri përdoret si mjet, ky është vetëm epsh, i cili është gjithmonë dinak, kurse dashuria është gjithmonë përdëllyese…
Dashuria, sipas Osho-s, është transformimi i asaj energjie të njëjtë në një nivel më të lartë të vetëdijes. Ajo lëviz drejt krahëve të shpirtit dhe shpërthimit të dhembshurisë, duke e vënë tjetrin mbi veten dhe duke e shndërruar lidhjen në një akt krijues dhe shpirtëror.
Epshi lidhet me varësinë, me nevojën për të zotëruar tjetrin, për ta përdorur atë si një objekt për të kënaqur dëshirat egoiste. Ndërsa dashuria çliron, sepse përqendrohet te dhënia dhe sakrifica për tjetrin, duke e bërë atë qëllimin përfundimtar.
Ideja qendrore është se epshi dhe dashuria janë të ndërtuara mbi të njëjtën energji neutrale. Ajo që përcakton natyrën e saj është drejtimi: njëra shkon poshtë dhe tjetër lart, duke reflektuar nivelin e ndërgjegjes dhe fuqinë e qenësishme të përfshirjes dhe përjetimit.
Ashtu si rrënjët dhe krahët, të dyja janë të nevojshme për të ndërtuar një pemë të qëndrueshme të jetës. Rrënjët (epshi) e furnizojnë pemën me energji, ndërsa krahët (dashuria) e çojnë atë drejt dritës dhe qiellores.
A mund të ekzistojë në lartësinë e përjetimit dhe pastërtinë e pranimit dashuria pa epsh?
Po, është e vështirë të imagjinohet një dashuri plotësisht e shkëputur nga epshi. Epshi, në formën e tij më të rafinuar, shpesh bëhet shkëndija fillestare që ndez një marrëdhënie, i vë zjarrin dy qenieve, të cilat ndërsa digjen, shpërfaqin nevojën për të parë përreth dhe brenda vetes më qartë përmes kësaj drite, por edhe për t’u ngrosur, e pse jo për t’u shndërruar në hi, për të rilindur si Feniksi mitologjik, për të ribërë dhe rijetuar në një dimension të ri ndijimin në të dy rrafshet, në gjithëpërfshirjen e një komunikimi dhe marrëdhënie që përplotësojnë njëra tjetrën. Kur epshi turravrapet, ai mund të kalojë në një formë më të pastër dhe më të lartë dashurie, por prania e tij fillestare mbetet një element i natyrshëm i marrëdhënieve njerëzore dhe thelbësor në një prani të dy partnerëve që për njëren apo për tjetrën arsye, ata kuptojnë se sa të rëndësishëm janë ata për njëri-tjetrin.
Dashuria pa epsh mund të ekzistojë në forma që nuk janë të lidhura me dëshirën fizike apo romantike, si për shembull dashuria platonike, një lidhje shpirtërore dhe emocionale midis dy individëve, e shkëputur nga dëshirat fizike, e cila në të shumtën e herëve tërhiqet zvarrë nga partnerët.
Në marrëdhëniet romantike, është sfiduese të shmanget plotësisht epshi, sepse energjia seksuale dhe emocionet fizike janë shpesh një pjesë thelbësore e intimitetit.
Me kalimin e kohës, epshi mund të bjerë dhe të zëvendësohet nga një formë më e qëndrueshme dhe më e thellë e dashurisë, e cila përqendrohet te ndarja, mirëkuptimi dhe respekti reciprok, utopike dhe cfilitëse, anipse të torturuese por pastra dhe fatmjera.
Këshillohet një harmoni midis epshit dhe dashurisë, një marrëdhënie si një marrëveshje, apo një dakordësim si një pajtueshmëri që nuk cenon koracën e mendësisë ku normat shoqërore dhe mentaliteti rreken të mbajnë të burgosur mendimet tona, por pa i’a dalë dot të ngujojnë trupat dhe ndjenjat.
Në vend që ta shohim epshin si diçka të ulët ose ndarë nga dashuria, mund ta konsiderojmë atë si një komponent natyror, që në harmoni me emocionet e tjera forcon lidhjen, e kushtëzuar kjo edhe nga ligjësitë e jetës, pavarësisht ndikimeve dhe rrymave që i godasin individët për t’i mbajtur të nënshtruar, jo të emancipuar siç pretendohet. Sepse edukimi përmes ndjenjave dhe përjetimeve, është më i purifikuari prej të gjithë predikimeve dhe zjarreve të inkuizicionit që dogjën mëkatarët.
Në shumë tradita shpirtërore, dashuria pa epsh është një ideal i lartë, që synohet përmes praktika meditimi dhe ndërgjegjësimi. Kjo formë dashurie i tejkalon kufijtë personalë dhe seksualë, duke u shndërruar në një dashuri universale dhe të pakushtëzuar – ajo që shpesh quhet agape në filozofinë greke apo prema në traditat indiane. Aq lart, shpesh e ka të pamundur të ngjitet individi e zakonshëm, i cili edhe pse mendon se dashuria pa epsh është e mundur, veçanërisht në format e saj platonike dhe shpirtërore, por ai beson më shumë të sakrifikohet se çdo perëndie tjetër, asaj, dashurisë romantike, e cila praninë e epshit e konsideron si energji, pa të cilën nuk ekziston dashuria, siç do ta kishim të pamundur edhe ne si qenie të përcaktojmë caqet e pranisë në jetë.
Albert Vataj