Le ta nisim me bekime, çfarë vjen si një pritje, na përqafon me krahë të shtërngimtë malli, na përkund në dehje dëshirimesh. Duke na mbushur me dritën e zjarrtë të përjetimit. Për të na hedhur në aktin sublim të lartësisë. Atje në ëndjen që na fton në ëndërrime, për të pulsuar rreze në çdo frekuencë valësh, që dëgjohen kur kambanat u bien gjokseve të shpirtit.
Me bekime le ta nisim, çapitjen e parë të hapave në një rrugë, ku hapi yt edhe pse nuk lë gjurmë, ka pulitur prekjen e vet të ndrojtur, në një tokë që e merr energjinë e kësaj ecje, për ta bërë ritëm të ditës që shpërfaqet gjithnjë e më dritshëm, e gjithnjë e më magjishëm, sa më shumë që ardhja hyn në portat e ceremonialit të pritjes.
Bekojeni, vështrimin që ti hedh, në ëndjen që farfurin e kundërmon, ndërsa lulet e përkujdesit të brishtë të dimrit shpërfaqin petaleve diellin e ngjyrave që zbërthen spekti i adhurimit që bie, si mbi hiret e një gruaje që sapo ka zbritur nga eteri i një përjetimi.
Bekojeni prekjen ledhatare të durve që lëmojnë petalen e një buze që shkëlqen nën gjurmët e vesës së puthjes vjedhacake që u rrëzua në shpirt e ngriti duhi.
Bekojeni gjethen e fundit të pemës, që valëvitet në majë të degës së skeletit, si një flamur i verdhë i ndezur i rezistencës ndaj gravitetit dhe kohës, duke bërë shenjë një besnikërie ndaj jetës, dhe dëshmuar shndërrimin si një akt përtëritjeje.
Bekojeni gravitetin e gjërave dhe gjendjeve, se sa pa dallim i jepet një grimce pluhuri dhe një ngërthimi mali, se si mban çdo trup qiellor në orbitë që ky kozmos i përsosur të bashkohet, për mënyrën se si e ngjesh ngrohtësisht trupin e të dashurit me prehjen tënde për të ndezur në përjetim mishin e dehur në pafundësi shpirti lëkurën e shpirt.
Po, bekoni zemrën që ju theu zemrën, për të mbajtur të tyren të mos thyhet në skajin e fortë të guximit të quajtur dashuri, dhe me forcën që ngjiz pasioni mbushe detin tënd të sprovës, përplot me dallgë dhe nisu, për të treguar se të tjerë brigje janë në pritje të prehjes tënde.
Bekojeni blunë që rrëzohet mbi magjepsjen tuaj, për të bërë zogun e kaltër dhe qiellin që të fluturojnë nëpër atë që ata janë, dhe atë që ju jeni, juve ju mbush me përmasa dhe ngjyra, thellësi dhe pafundësi.
Bekojeni retë, mënyrën se si ato lëvizin nëpër qiell si flluskat e mendimit të zogjve, mënyrën se si bëjnë një magji kundër indiferencës sa herë që mbyllin diellin në perëndim dhe vështrimi juaj dehin në trajta e forma që bardhësin e lajnë me dritë.
Bekojeni mundësinë për mënyrën sesi, përgjatë miliarda e miliarda ngjarjeve të vogla dhe të frikshme që shtrihen deri në përplasjet e para të grimcave në yjet e parë, ngjarje secila prej të cilave mund të kishte shkuar ndryshe, këndoi notën e qartë të ndritur nga ju mbi dijeni.
Bekojeni kohën, sepse me gjithë indiferencën e saj të bekuar, ajo i dha gjetheve të pemës atë pak më shumë për të ndezur që edhe neve na dha, secilit prej nesh të gjallë, këtë interludë simfonike, midis heshtjes së përjetshme, të jo akoma, dhe asaj, kurrë më.
Bekojeni të huajin që në librari buzëqesh papritur buzëqeshjen e saktë të mikut tuaj që ju mungon, si për të të kujtuar se asgjë që duam nuk ka mundur ta rrëmbejë harrimi, se dashuria është buzëqeshja që shpëton jetën nga ekzistenca e thjeshtë dhe zakonshmëria e gjërave, që bekimi i bën të jashtëzakonshme.
Bekojeni çdo grimcë rëre që bëri xhamin, ato thjerza që bëri dylbi për të zbuluar syrin verbues të kormoranit, ngjyrën e Uranit dhe teleskopët për të zbuluar mjegullnajën tre mijë vjet dritë larg, duke na parë mbrapa si një iris gjigant kozmik me njohuritë e tij sekrete për atë që jemi .
Bekojeni gjithçka që shihni, prekni e bëni tuajën, sepse bekimi të bën të fillosh me bekime, një kohë që përmasat e saj i mat me ndalim frymëmarrjesh dhe shpejtim të rrahjeve të zemrës. Bekuar qofsh ti që me bekime e nise, dhe çdo hap i yti do të jetë një altar, sepse të preku ardhja me të hyjshmin vullnet që ndez ti në zjarrin e diellit tënd, atij që të shndrit e të dritë.
Albert Vataj