Të parashtroje divorcin si opsion i një martese të palumtur, për kohën e Milton ishte si të vije dorë mbi një prej tempujve puritan, atë të kodit të pashpërbëshëm të martesës. Por njerëzit e shquar të penës dhe parmendës së mendimit, si John Milton, ishin ata të parët që do të hidhnin gurin e themelit të një ndryshimi, që do të pasonte shpërbërjen e doktrinës së normave të ngurta të shoqërisë britanike.
Në “Doctrine and Discipline of Divorce” (1643), John Milton paraqet një argument të guximshëm për kohën e tij: të drejtën e burrit dhe gruas për të kërkuar divorc, nëse martesa është e palumtur, jo për shkak të tradhtisë apo shkeljes së kurorë,s të sanksionuar në kodet zakonore dhe ato kishtare, por për mungesë harmonie shpirtërore dhe intelektuale. Ai e shihte martesën si një bashkim jo vetëm fizik, por edhe emocional dhe intelektual.
Milton argumenton se qëllimi kryesor i martesës është “bashkësia e mendjes dhe shpirtit”. Kur kjo harmoni mungon, marrëdhënia bëhet një barrë, e cila dëmton individët dhe shoqërinë. Ai shkruan:
“Martesa nuk është krijuar për thjeshtësinë e kënaqësisë trupore, por për ndihmën dhe shoqërinë e ndërsjellë, për qetësinë dhe kënaqësinë që ndjen njeriu kur gjen një bashkëshort që ndan mendjen dhe zemrën e tij.”
Milton thekson se ligjet që ndalojnë divorcin në raste të tilla janë kundër natyrës së njeriut dhe vullnetit të Zotit. Ai argumenton se bashkimi i detyruar në një martesë të palumtur është mëkatar dhe kundër frymës së krishterimit.
Sipas Miltonit, një martesë e palumtur është më shumë një formë skllavërie sesa një institucion hyjnor. Ai pohon se martesa duhet të jetë një mjet për paqe dhe lumturi, jo një burim vuajtjeje.
Milton kritikon ashpër ligjet e kohës që e ndalojnë divorcin përveç në rastet e tradhtisë bashkëshortore. Ai e sheh këtë si një kufizim arbitrar që shkel të drejtat natyrore të individit.
Ai thekson gjithashtu rëndësinë e lirisë së zgjedhjes dhe arsyes në marrëdhëniet martesore. Ndërsa besonte se një person ka të drejtë të kërkojë lirinë nga një bashkim që shkatërron paqen dhe qëllimin shpirtëror të jetës.
Ky traktat ishte jashtëzakonisht kontravers, duke i sjellë Miltonit kritika të shumta nga klerikët dhe konservatorët.
Ai e përforcoi argumentin në botime të mëvonshme dhe shkroi disa trakte të tjera mbi të njëjtën temë, duke përfshirë “Tetrachordon” dhe “The Judgment of Martin Bucer”.
Gjithçka e këtij kapërcimi të John Milton nga poezia në traktatet për divorcin dhe marrëdhëniet bashkëshortore pikënisi në martesën e tij të parë.
Dokumentet tregojnë se Milton u martua tri herë.
Martesat e parë, e shkuar ters, dhe më e diskutuara e John Milton ishte ajo me Mary Powell. Ata u martuan në vitin 1642, kur ajo ishte 17 vjeç, dhe ai 33. Martesa u karakterizua nga vështirësi që në fillim. Mary, e rritur në një familje mbretërore të pasur dhe konservatore, nuk e përballoi dot stilin rigoroz dhe puritan të jetës së Miltonit. Brenda pak muajsh, ajo e braktisi dhe u kthye në familjen e saj.
Mary u kthye tek Milton pas disa vitesh dhe qëndruan së bashku deri në vdekjen e saj në vitin 1652, pas lindjes së katër fëmijëve. Humbja e saj la një ndikim të thellë tek ai.
Katër vite pas vdekjes së Mary-t, Milton u martua me Katharine Woodcock. Kjo martesë ishte e lumtur, por e shkurtër. Katharine vdiq në vitin 1658, së bashku me fëmijën e tyre të porsalindur.
Milton e kujton atë me dashuri në sonetin “To My Late Departed Saint”, ku shpreh dhimbjen për humbjen e saj dhe mirënjohjen për qetësinë që ajo i kishte sjellë.
Në moshën 55-vjeçare, Milton u martua për herë të tretë me Elizabeth Minshull, një grua 31 vjet më e re. Elizabeth ishte një shoqëruese besnike në vitet e fundit të jetës së Miltonit, duke e ndihmuar gjatë verbërisë dhe punës së tij të lodhshme mbi poemën epike “Paradise Lost”.
Milton shpesh përshkruhet si një figurë e ndërlikuar në lidhje me çështjet gjinore. Nga njëra anë, ai argumentoi për të drejtat e burrit për t’u divorcuar në rastet e martesave të palumtura, një ide që atë kohë konsiderohej radikale. Nga ana tjetër, shkrimet e tij, përfshirë “Paradise Lost”, pasqyrojnë një botëkuptim patriarkal dhe tradicional për rolin e grave, siç shihet në përshkrimin e Evës dhe marrëdhënies së saj me Adamin.
Megjithatë, Milton i përshkroi gratë me ndjeshmëri dhe kompleksitet emocional, duke treguar se ai ishte një vëzhgues i thellë i natyrës njerëzore, pavarësisht prejardhjes së tij puritane.
Përgatiti: Albert Vataj