Pse dikush ka mbetur për ju ende, njeriu më i dashur, njeriu më i paharruar, edhe pse kanë ardhur e kanë ikur shumë të tjerë, për të zënë vend përkohshmërie, pa mundur dot të jenë dashuri qiellore, ndijime të pashpjegueshme që të bëjnë të ndihesh prej fryme, përjetime malli dhe ëndjeje, që të përlotin, e hyjshme dëshirimi që e kërkon dhe e gjen te çdokush dhe te gjithçka, gjendje që të kaplon për të të bërë me krahë, dhe ti për një moment beson se je zog dhe mund të fluturosh. Po, je fatlum duke të mjaftuar vetëm aq, aq sa gjithçka tjetër.
Cilin ka zgjedhur zemra jote, pa të pyetur ty? Ndoshta atëherë kur ishe ende fëmijë, ndoshta më pas, pse jo edhe kur dije të dalloje çfarë do zemra dhe si të udhëprin mendja.
Mund të jetë, nëna, babai, gjyshja, gjyshi, motra apo vëllai. Ndodh të jetë edhe një dikush tjetër. Rrekeni të kuptoni se si kjo dashuri ju mbushi me frymë përmes një prekjeje të vetme. Nuk ndodh si magji, edhe pse është magjepsëse. Është jo tamam e beftë, edhe pse hyn te ty, si një mace, që në një natë dimri futet poshtë rrobeve të gjumit dhe struket tek ty.
Ndoshta pikërisht ashtu, sepse vjen duke sjellë, jo vetëm ngrohtësi por edhe prani, në një moment kur frika më e madhe se çdo tjetër është vetmia, braktisja. Dhe, është me ty kudo. Nëse të gjithë ikin dhe ka shumë gjas të ndodh kjo, ajo që zemra zgjodhi për ty, është rrahje, puls.
Dhe kjo ndodh kur je gati të shkëmbesh gjithçka me këtë dashuri, që hyn në zemrën tënde për të ikur prej aty bashkë me grahmat e fundit të shpirtit.
Mendoj, por më shumë se mendoj besoj, se pa përzgjedhjen tonë, ata dashur, mund të jenë një ose dy, jo më shumë. Ata janë aty me ty, edhe kur ti as që kujtohesh për ta. Por ato shfaqen, papritmas, pikërisht kur e njëjta natë dimri vjen. Është aty me ty dhe për ty, në një moment të ngjashëm zbrazëtie, vetmie, braktisjeje, nevoje për dashuri dhe prani, nevoje për një dicka që nuk e shpjegon dot, por që e kupton se pikërisht ky dëshirim mbush çdo skutë të këtij boshllëku. Ndjen se kjo dashuri është përmbi të gjithat, tamam si një prehër qiellor ku ti të prehesh.
Vjen, jo për të dëshmuar se askush dhe asnjë nuk e zëvendëson atë, por se dashuritë sublime vijnë për të qenë vullnet i shenjtë, një copëz e brendis tënde që në një komunikim etern arrin të realizojë kontaktin e një shpërthimi drite ku ti pahesh me vetveten përmes asaj pranie që rivjen.
Këto dashuri që mbeten ende në ne të mëdha, janë jo diçka tokësore. Nuk mund të jenë të shpjegueshme, të kapshme, rrëfyese. Ato janë të lartë, qiellore. Janë bekim!
Ato erdhën për të dëshmuar se, jo gjithçka mund dhe duam ta zgjedhim ne. Ka prej atyre, që zemra vendos. Edhe në jetë, shpesh në një moment dileme, të duhet të vendosësh. Ka prej tyre që pyesin mendjen, të tjerëve ua bën zgjedhjen zemra. Dhe ajo, zemra, ajo nuk gabon. Edhe kur ndodh të gabojë, kërkon të na mësojë artin e dashurisë së përjetshme, dashurisë që mbetet përmbi çdo tjetër dëshirim që nuk mund të zërë vendin e saj.
Jo çdo dashuri ka fatin të jetë e përjetshme, edhe nëse ajo bën gjithçka të jetë dhe të mbetet e tillë.