Nuk mund ta besosh se i gjithë ky hirë sensualiteti, kjo delikatesë dhe brishtësi e lojës së bukurisë dhe tundimit, të jetë në shkëmb.
Ndoshta edhe vetë krijuesi do të shtanget para mjeshtërisë së krijimit të vetë atij që Zotin shëmbëllen, Zotin sfidon.
“Zonja me Vello” (La Donna Velata) është një nga veprat më të njohura të skulptorit italian, Giovanni Battista Lombardi (1823–1880). Kjo skulpturë është një kryevepër e artit realist dhe një shembull i përkryer i mjeshtërisë në punimin e mermerit, një karakteristikë e shkollës italiane të shekullit të 19-të.
Ajo që e bën këtë skulpturë kaq të veçantë është realizmi mahnitës i velit që mbulon fytyrën e gruas dhe gjoksin e saj të kërcyet.
Velloja është aq transparente sa duket sikur është bërë prej pëlhure të butë dhe jo prej mermeri. Vetm uji dhe mjeshtëria e skulptorit mund të depërtojnë tejpërtej me tejdukshmëri.
Ky efekt krijon një ndjesi delikate dhe një kontrast të mahnitës midis fortësisë së materialit dhe butësisë së paraqitur.
Velloja në këtë kontakt estetik simbolizon modestinë, misterin dhe bukurinë e fshehtë. Ajo shpreh një ndjesi të thellë elegancë dhe hijeshije, duke i dhënë figurës një dimension shpirtëror dhe thellësi komunikimi ndjesor.
Gruaja e përshkruar me kaq virtuozitet nga skulptori, interpretohet si një idealizim i bukurisë femërore, një motiv i zakonshëm në artin neoklasik.
Giovanni Battista Lombardi ishte pjesë e traditës italiane të skulpturës neoklasike dhe u njoh për aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të krijuar detaje të holla dhe delikate. Në veprat e tij, ai shpesh trajtonte tema të ndërlidhura me bukurinë, modestinë dhe emocionet njerëzore.
Skulptura “Zonja me Vello” është një shembull i shkëlqyer i aftësisë së artistëve të shekullit të 19-të për të nxjerrë emocione të thella përmes një mediumi të ngurtë si mermeri. Ajo vazhdon të admirohet si një kryevepër e artit realist dhe një dëshmi e talentit të Lombardit.
Përgatiti: Albert Vataj