Po, guri që të shndërron në gur, në gjithëkuptimësinë që rrok përmasa e këtij pranimi, zgjon “Miti i Sizifit”.
Përcaktimi i fatit filozofik të njeriut përmes Mitit të Sizifit është një nga temat më të thella që eksploron filozofi ekzistencialist Albert Camus në esenë e tij “Miti i Sizifit” (1942). Kjo vepër përdor mitologjinë greke për të shpërfaqur çështje të absurditetit, fatit dhe kuptimit të jetës.
Sipas mitologjisë greke, Sizifi ishte një mbret që sfidoi perënditë me zgjuarsinë dhe dinakërinë e tij. Si masë ndëshkuese për mashtrimet e tij, ai u dënua të shtynte një gur të madh për ta ngjitur atë në majën e një mali. Guri rrokullisej përsëri poshtë çdo herë që arrinte majën, dhe atij i duhej pafundësisht ta ngjiste. Ky proces nuk është lojë zbavitëse është se si fati tallet me jetën e njeriut, duke simbolizuar një përpjekje të pafund dhe pa kuptim.
Camus e përdor këtë mit për të shpjeguar natyrën absurde të jetës njerëzore dhe pahjen e dilemës shekpiriane, “të jetosh apo të mos jetosh”.
Jeta është absurde sepse njeriu kërkon kuptim në një univers indiferent, ku përgjigjet përfundimtare nuk ekzistojnë dhe qëllimet finale, vetëm se nxitin të tjerë ambicie.
Si Sizifi, edhe ne ndjekim qëllime që shpesh duket se humbin kuptimin kur mendojmë thellë për to.
Për Camus, absurdi nuk është një arsye për të hequr dorë nga jeta. Përkundrazi, duhet të përballemi me të me kurajë dhe vetëdije të plotë, sfiduese, shpesh fatale.
Në fund të esesë, Camus shkruan se ne duhet ta imagjinojmë Sizifin të lumtur. Përballë absurditetit të fatit të tij, ai gjen liri dhe kuptim në vetë përpjekjen për të shtyrë gurin. Po ashtu, njeriu mund të gjejë kuptim përmes krijimit të tij personal dhe pranimit të jetës siç është.
Miti i Sizifit reflekton kushtet ekzistenciale të jetës njerëzore: përpjekja e pafund për të dhënë kuptim jetës në një univers që duket i pakuptimtë dhe rreptësisht i pandryshueshlm. Fati filozofik i njeriut, sipas Camus-it, është të pranojë këtë absurditet pa u dorëzuar në dëshpërim, përkundrazi duke kërkuar brenda vetes përmasat e një zotërimi të ri.
Në vend të kërkimit të kuptimit përfundimtar, ne krijojmë kuptim përmes veprimeve tona, duke pranuar përkohshmërinë dhe sfidat e jetës.
Filozofia e Camus-it në raport me mitin na fton të gjejmë forcë, jo në qëllimin përfundimtar, por në vetë procesin e jetesës dhe përpjekjes. Kjo e bën historinë e Sizifit një metaforë të fuqishme për luftën njerëzore për kuptim në një botë që të është ofruar si një sfidë jo si një shpërblim.