Lotët e dhimbjes biblike që pikëllojnë ende edhe sot pas gjashtë qindvjeçarësh, janë sa të vërtetë aq dhe trishtues. Është një dhimbje gruaje që ka hyrë në një tablo pikture për të mbetur aty e gjallë edhe kaq e kaq vitesh. Në art, Maria Magdalena, gruaja nga e cila Jezusi dëboi shtatë demonë (Luka 8:2 dhe Marku 16:9), ka ardhur prej mjeshtrash të kohëve dhe shkollave të ndryshme, por “Shkëputja nga Kryqi”, një nga kryeveprat e artistit flamand, Rogier van der Weyden e sjell me një vërtetësi shokuese pikëllimin që mjeshtri jetësoi në tablo.
Sipas Dhjatës së Re, Maria Magdalena ishte pranë Jezusit gjatë kryqëzimit dhe vuajtjeve të tij, duke qëndruar me besnikëri te kryqi (Mateu 27:55-56, Gjoni 19:25), siç është edhe në pikturën e “Shkëputja nga Kryqi”, në lotët që ende pikojnë.
Ata thjeshtë mund të kenë humbur nxehtësinë, por jo dhimbjen, trishtimin dhe zemërthyerjen e një gruaje, e personit të parë që e pa Jezusin e ringjallur dhe që mori lajmin për t’ua dhënë të tjerëve, duke u quajtur kështu “apostulli i apostujve” (Gjoni 20:11-18, Marku 16:9).
Atë që bën arti, por më shumë se vetë ai, shpirti krijues i mjeshtrit, nuk mund ta përsërisë veçse vullneti sovran i të lartit pushtet, që zbret në tokë përmes penelit të mjeshtrit dhe dhimbjes, për të mbetur në përjetësi një moment që nuk mund ta shuaj asgjë.
Teksa e sodit këtë fragment të pikturës “Shkëputja nga Kryqi” Rogier van der Weyden, vëren me habi dhe dyshim se si është e mundur kjo në një pikturë, bojën e së cilës ka filluar të krisi koha, por pa mundur të shpërbëjë lotët e Marisë, gruas që i duroi gjithë keqkuptimet dhe përgojimet, por jo vdekjen e Jesusit.
Ata qw i shastis kjo transparence loti, kjo lojw e dritës dhe vezullimit, ata; skeptikët mendojnë se kemi të bëjmë me një truk photoshopi, përqafuesit e Inteligjencës Artificiale, nxitojnë t’ia njohin asaj meritat, por është skanimi me mjetet e fjalës së fundit të shkencës, që vërteton se piktura është pa asnjë ndërhyrje apo restaurim, siç ndodh zakonisht me punë të hershme, rëndësia e të cilës është në interesim të shtuar publik.
Lotët e Mari Magdalenës janë të gjallë sepse ata sfidojnë kohën dhe mendësitë, triumfojnë pikëllues ndaj paqartësisë dhe mjegullës që mban të mbuluar dukshmërinë biblike të figurës së saj.
Kujtojmë se në traditën perëndimore, sidomos gjatë Mesjetës, Maria Magdalena shpesh është identifikuar gabimisht si një prostitutë e penduar, për shkak të një bashkimi të padrejtë të historive të saj me ato të grave të tjera në Bibël, si gruaja mëkatare që lau këmbët e Jezusit me lotët e saj (Luka 7:36-50). Megjithatë, Kisha Katolike dhe shumë teologë të tjerë modernë kanë sqaruar se nuk ka prova biblike për këtë identifikim.
Lotët në “Shkëputja nga Kryqi” të Rogier van der Weyden janë lotë dhimbjeje dhe pendimi, për mëkatarët e gjithë shpirtjeve purifikuese, gjithë gjunjëzimeve e altareve në lartësinë hut që shndrin brenda atyre që jetojnë me diellin e besimit.
Pikëllohu edhe ti prej këtyre lotëve, ndoshta ranë nga sytë e tu prej Maria Magdalene.
Albert Vataj