S’muj me shku n’Shkodër sa fort du e sa shpesh ma ka andja. Por përmes fotove t’mikut tem, fort t’talentumit, Terenc Pepa, i’a behi kurt t’du, e sa herë malli më nguc n’kujtime, si tanaherat edhe n’kyt mramje t’lamun n’ar.
Sepse e florinjt asht mramja kur lshohet n’prehnin e prarimeve tueja, Shkodër Loce, e n’mu pluskon nji qiell llamburitun n’yje. Hapat kërcasin drojshëm mbi kalldërmin e djersitun.
T’ue ik marr me vedi fëshfërimën e gjetheve të vërdhemta të vjeshtës, qi përzihen me pëshpërimën e zanit tand qi mbetet nderun n’tehun e dritave qi piklojnë nan strehën e njatij qerpiku qi pikllushëm rrxohet nan bli.
Shkodër Loce, ndij se me sa qiell flakrum yjesh, i’a lshova piskamës, e krejt shterra nëpër pamjen qi vështrimi përqafon, e un’ mbes i dalldisun prej prehjes n’krahnorin e taftit mbramsor, t’amëltit cak qi m’rrok me afsh e përmallim, si tue dasht me m’struk si amë e përkushtueme deri n’vetmohim.
Tue kqyr me syt e qiellit, ma fort se shoh, ndij, se e florinjt asht mbramja kur lshohet n’Shkodrën e lamun dritave t’përmallshme. Rrugicave t’saj qi llamburitja i’a ngjyn me shkëlqim m’çojnë te koha që mbet pa mu vu përmbas. Mbet njatje në inkandeshencën qi shpalon nër kandjet të strukuna truq n’ne, si copat e gjanave qi kan deng me këndim e gazmim, çastet e vërshume në t’amëltin qytet të kujtimeve, në t’magjishmen Shkodër të ndjesis shastisëse që të mëkon.
Lshoje vedin zemra jeme nëpër këto përjetime t’hareshme, e thirr më sa za qi t’rrok dashnimi, Shkodër Loce. E masanej me frym mbushu nën këto bli, e ndigjo pëshpërimat qi s’fundi teje zgjohen, e me frymën përjashta i’a napin shtegtimit, shpalimit nëpër këto rrugina, nëpër këto pamje, krejçka jeton me ty nëpër kandje qi ndigjohen si këmbana nadjeve.
Ajo qi mundem me than gjithëpoaq, veç nji falenderimi t’përzemërt fatit shpërblyes për mrekullin qi m’pikon si dritë n’prehnin e gjanave qi i përkundi n’andrra, asht se ajo ndjesi qi t’përshkon ty, ngucun prej jetësimeve t’mija, ndodh vetëm se jeton përmes fjalësh dhe përfytyrimesh, sall njato gjana qi dikush tjetër fiket kso jete pa mujt me u gjend i përqafum prej kësi momentesh t’hyjshme, edhe pse ai shkon e vjen, hyn e del prej kësaj magjie pa mujt me e ndi se si e përshkon tejpërtej shkrepëtima e njasaj gjëndje qi t’mush gjithkund… e zbraztësia gjunjzohet.
Jam tue u ndi me krah prej flake n’fluturimin e njekti mrekullimi. E n’se ti don me ardh me mu n’kyt andërr, merre pëshpërimën e nji kange n’buz e kujto puthjet qi kujtesa t’i kthen n’plagë e zemra i struk si zjarret afshi.
N’se s’don me fluturue me krahët e dallendyshes s’përmallshme, çukit si grizhël syprinën e liqenit, e kahët përpush ndër kah ikja të merr me t’çue ku malli t’ka ba fole.
Fotot t’huazume nga ai që e sheh Shkodrën nga sytë e qiellit drejt e në shpirt, Terenc Pepa