Ajo i përkiste një bote sfiduese, një kohe, në të cilën do të skaliste me zjarr pasioni shpirtin dhe të shkruante emrin e saj me gërma të arta, në historinë e grave të mëdha të botës.
Elizabeth Cochrane, e njohur më mirë me pseudonimin Nellie Bly, ishte një gazetare amerikane dhe një pioniere në gazetarinë investigative e shekullit të 19-të. Një simbol dhe shembull frymëzimi për gra me ëndrra të mëdha dhe ambicie të kurajshme.
Ajo u bë e njohur për mënyrën e saj të guximshme dhe të pakompromis të raportimit, që synonte ekspozimin e padrejtësive sociale dhe korrupsionit.
Tetëmbëdhjetë vjeçarja Elizabeth Cochrane jetonte në Pittsburgh asokohe, kur gazeta lokale botoi një artikull të titulluar “Për çfarë janë të mira vajzat” (përgjigjja ishte lindja e foshnjave dhe mbajtja e shtëpisë, sipas artikullit, por edhe sipas një mendësie që vijon të mbetet kërcënim për gratë dhe vajzat edhe sot pas 100 viteve).
Artikulli nuk i pëlqeu Elizabetës aq sa ajo shkroi një përgënjeshtrim anonim, i cili nga ana tjetër i bëri aq përshtypje redaktorit të gazetës, saqë ai publikoi një reklamë, duke i kërkuar tekstshkruesit që të identifikohej. Kur Elizabeth e kontaktoi, ai e punësoi atë në vend. Në atë kohë ishte zakon që gazetaret femra të përdornin pseodonim, kështu që redaktori i dha asaj një të tillë, që ai e kishte marrë nga një këngë e Stephen Foster. Ishte emri me të cilin ajo do të bëhej e famshme – Nellie Bly.
Pasioni i Bly ishte raportimi investigativ, por gazeta zakonisht e caktoi atë në tema më “femërore” – si teatri dhe moda. Pasi shkroi një seri artikujsh që ekspozonin kushtet e punës së punëtoreve femra të një fabrike, dhe pasi u transferua përsëri në raportimin për funksionet e shoqërisë dhe hobi të grave, në moshën 21-vjeçare Bly, u nis për në Meksikë, në një detyrë të rrezikshme dhe të paprecedentë (për një grua), për të raportuar për gjendjen e kushteve të njerëzve të klasës punëtore atje. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Raportimet e saj e futën në telashe me autoritetet lokale, duke e detyruar atë të largohej nga vendi. Më vonë botoi dërgesat e saj gazetës u përfshinë në një libër që u bë shumë popullor.
Në moshën 23-vjeçare, Elizabeth Cochrane e njohur si Nellie Bly, pasi kishte krijuar një reputacion si një reportere e guximshme dhe provokuese, u punësua nga New York World, i Joseph Pulitzer dhe atje filloi projektin e fshehtë që e bëri atë edhe më të famshme. Për të hetuar kushtet brenda “Azilit të Çmendurve të Grave” të Nju Jorkut, Bly për të arritur qëllimet e saj mori një identitet të rremë, u regjistrua në një konvikt të grave dhe falsifikoi çmendurinë – aq bindëse sa shpejt e gjeti veten të përkushtuar dhe pjesë e azilit.
Ajo kaloi 10 ditë në spitalin psikiatrik të “Blackwell’s Island” në vitin 1887 duke publikuar përvojën e saj në serinë e artikujve të titulluar “Ten Days in a Mad-House” (Dhjetë Ditë në një Shtëpi të Çmendurve). Këto artikuj tronditën publikun dhe çuan në reforma urgjente për përmirësimin e kushteve të kujdesit për pacientët në institucione psikiatrike.
Një vit më pas, Bly ndërmori detyrën e saj më të bujshme deri asohere: një udhëtim i vetëm nëpër botë, frymëzuar nga “Rreth botës për 80 ditë” të Zhyl Vernit.
Me vetëm dy ditë njoftim, Bly u nis nga Nju Jorku.
më 14 nëntor të vitit 1889, duke mbajtur një çantë udhëtimi me sendet bazë të tualetit dhe ndërresash të brendshme, dhe çantën e saj të lidhur rreth qafës. Konkurrenti i Pulitzer, New York Cosmopolitan, dërgoi në të njëjtën kohë një nga gazetaret e tij – Elizabeth Bisland – për të garuar me Bly, duke udhëtuar në drejtim të kundërt, përqark botës. Siç kishte shpresuar Pulitzer, marifeti ishte një bunë publiciteti, pasi lexuesit ndoqën me padurim lajmet mbi udhëtimin e Bly dhe gazetën që sponsorizonte një konkurs për lexuesit, për të parashikuar kohën e saktë të kthimit të Bly (me idenë që, ai që do të gjente me saktësi përmbushjen e kësaj sfide, shpërblehej me një udhëtim falas në Evropë) .
Shtatëdhjetë e dy ditë më vonë, Bly bëri kthimin e saj triumfues (katër ditë e gjysmë përpara Bisland), pasi e kishte përshkuar globin, duke udhëtuar e vetme pothuajse gjatë gjithë kohës.
Ishte udhëtimi më i shpejtë që një njeri kishte bërë ndonjëherë, duke thyer kështu rekordin e Zhyl Vern dhe të tjerë aventurierëve. Nellie Bly ishte tashmë një personazh i famshëm ndërkombëtar.
Në moshën 31-vjeçare Bly u martua me industrialistin Robert Seaman, një milioner 73-vjeçar, duke lënë pas karrierën e saj gazetareske dhe pseodonimin që e shndërroi në ikonë të gazetarisë dhe shpirtit sfidues të gruas.
Si Elizabeth Cochrane Seaman ajo ndihmoi në drejtimin e biznesit familjar.
Patentoi dy shpikje gjatë kohës së saj si industrialiste, por biznesi nuk ishte në të vërtetë ylli i saj i fatit. Nën drejtimin e saj kompania falimentoi. Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ajo i’u kthye gazetarisë, duke u bërë një nga gazetaret e para që punoi në një zonë lufte aktive si reportere.
Jeta e mrekullueshme dhe arritjet e jashtëzakonshme të Nellie Bly përfundoi më 27 janar 1922, kur ajo vdiq nga pneumonia në Nju Jork në moshën 57-vjeçare.
Fotot e mëposhtme të bashkëngjitura janë; një foto publicitare e shkrepur përpara se të nisej për në udhëtimin rreth botës dhe një foto e bërë disa vite më vonë, para martesës së saj.
Historia e kësaj gruaje është emblematike, është kurorëzum triumfues i shpirtit të saj.
Përgatiti: Albert Vataj