Nuk mund ta përfytyroj se si mund të ishte bota pa libra, pa fjalën e farkëtuar në shpirtjet prej zjarri dhe pasioni, pa letrën e njomur me gjak e me lot, por ajo për të cilën jam i vetëdijshëm është se çfarë isha dhe arrita të jem para dhe pasi në jetën time hyri libri, u bëra rob i fjalës dhe i vëllimit prej letre.
I ndëshkuar nga të qenit tip i ndrojtur, i tërhequr dhe i turpshëm, më la pothuajse vetëm. Kisha pak shokë, miq akoma më pak, por kisha vetminë në një shtëpi me libra, shumë libra dhe në kokën time fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë, në një gjendje të stuhishme.
Lexova, u lidha me librin atëherë kur nuk e dija se mund edhe të mburreshe me librat që kishe lëxuar, gjerat që kisha nxënë dhe kohët në të cilat kisha “jetuar”. Megjithatë në botën time të rrethuar nga vetmia nisën të vijnë; “miq” e “armiq”, “vrasës” dhe “paqtorë”, “heretikë” dhe “puritanë”, “mëkatarë” dhe “shenjtorë”, të llojllojshëm e gjithfaresh, kahçmos e prej gjithkund, të cilët dilnin nga faqet e vërdhemta të librave e më rrëfenin mbi jetën e tyre, mbi atë çfarë statujat prej shpirti kishin gdhendur në kohëpaskohje.
U “takova” me njerëz që nuk do të mund t’i takoja kurrë, edhe sikur ata t’i kisha në lagjen time, edhe sikur të kisha privilegjin e një jete të përgjithmonshme. “Bisedova” me ta, mësova prej tyre atë që nuk do të mund të ma mëkonte askush, qoftë kjo bujaria më e lartësuar në përkushtimin vetëmohues. Jetova nëpër botët e të gjitha kohërave, në imagjinatën e gjithë asaj larmie përfytyrimesh. U dashurova dhe urreva, jetova dhe vdiqa, qava dhe qesha, me ata që u bënë pjesë e jetës sime, me ata që kësaj vetmie të lartë i ngritën një fron hyjnie. Nuk mbeti tokësore tek unë asgjë, veç mishit.
Sot sërish jam i njëjti, tip i ndrojtur, i tërhequr dhe i turpshëm, i vetmuar, por kam kaq shumë njerëz me të cilët “takohem”, “bisedoj”, “mësoj”, “dashurohem”. Mrekullisht mes nesh ka gjithnjë mirëkuptim, përzemërsi dhe dëshirim. Ata nuk zemërohen me mua edhe kur e teproj, dhe pse kjo ndodh shumë rrallë. Ata janë prej letre dhe fryme, prej shpirti… janë miq të vërtetë.
Edhe unë çdo ditë e më shumë po ndihem si prej letre dhe fryme, prej shpirti, anipse i vetëm në këtë botë të populluar me kaq shumë njerëz që kanë po kaq frikë nga vetmia sa dhe nga miqtë dhe të shtrenjtit e tyre.
Albert Vataj