Sapo e sheh këtë portret, nuk do ta kesh të vështirë për të gjetur se cilit penel mjeshtëror i përket. Edhe pse dilema e mban pezull, ajo zbret me fuqinë e artit dhe mjeshtërisë që përfaqëson, për të gjetur vend në prehjen e një shpirti të madh, në eterin e asaj dehjeje që na ka rrëmbyer gjithnjë me magjepsje.
Kanë kaluar pesë shekuj nga vdekja e Leonardo da Vinçit dhe për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm, një nga pikturat e tij, “Zonja me gëzof”, e realizuar në Milano midis viteve 1495-1499 dhe e fshehur për gati një shekull, po kthehet në plan të parë.
Kjo është një vepër me ndikim të fortë emocional, e krijuar mbi një panel plepi me përmasa 61,5 cm të larta dhe 54,5 cm të gjera.
Ka shumë elementë karakteristikë për artistin Leonardo: vepra përshkruan një zonjë me një vështrim melankolik dhe djallëzor, me një nuancë buzëqeshjeje, paqartësia e së cilës i referohet asaj të Mona Lizës. Poza e duarve është e ngjashme me atë të Zonjës me Ermine.
Bazuar në rindërtimin historik, ka shumë të ngjarë që piktura të jetë pikturuar në periudhën milaneze, kohën kur Leonardo ishte në shërbim të Ludovico il Moro, dhe se piktura ishte ende në duart e Leonardos gjatë qëndrimit të tij në Romë dhe më pas në vitet e tij të fundit në Amboise.
Nga viti 1691 deri në 1700, vepra ishte pjesë e koleksionit privat të Antonio Pignatelli, Papa Inocent XII. Në një ndryshim të mëvonshëm të pronësisë, ajo u zbulua në rezidencën e Domenico Morelli, peshkop i Strongoli, më vonë peshkop i Otrantos.
Që nga viti 1975, piktura është në posedim të një familjeje që jeton në Gjermani dhe tani është nxjerrë në dritë nga Silvano Vincetti, president i Komitetit për Shpërfaqjen e Trashëgimisë Historike, Kulturore dhe Mjedisore.
Shumë studiues ia atribuojnë veprën Leonardos pa asnjë dyshim: në një nga shkrimet e tij të datës 2 shtator 1921, Adolfo Venturi – një nga historianët më të mëdhenj të artit të shekullit të kaluar – deklaroi: “.. Ky portret mjeshtëror i kësaj zonje delikate dhe me një profil të butë është padyshim vepër e Leonardos…”.
Përgatiti: Albert Vataj