Gjithmonë në botë ka dhe do të ketë, njerëz në nevojë, qoftë edhe për një vakt të ngrëni. Fati jo gjithnjë sillet fatmirësisht me të gjithë. Ndoshta edhe atje ku askujt nuk i mungon asgjë, ka prej tyre që janë në nevojë, për një ditë të vetme, ndoshta sa për të gjithë jetën, për të kuptuar si pamëshirën e jomundësisë ashtu edhe shpirtin e begatë të mirësisë.
Dhe ky shembull është një kushtrim që zgjohet nga thellësia e heshtjes, për t’u rënë kambanave të dëgjimit të lutjeve, të atyre që kanë zë por jo të drejtë, as të dëgjohen as të heshtin, por të dëshmojnë, se jeta mëkohet prej jetës për jetën.
Në një cep të qetë të Gjermanisë, qese me ushqim varen në mënyrë diskrete, në parmakët e një ure, për ata që kanë nevojë – të varfërit, të uriturit dhe të pambrojturit.
Për të hapur zemrën dhe për të zgjatur duart e shpirtit në drejtim të atyre lutjeve të heshtura për ndihmë, nuk ka nevojë për shfaqje publike apo fanfare, aq më pak të kërkojë kamera për fot apo video për të kapur aktin.
Ky është thjesht një gjest i pashprehur i vullnetit të mirë dhe shërbimit, i bërë me përulësi dhe dhembshuri. Kjo mirësi e qetë, pa ndonjë nevojë për njohje, shërben si një kujtesë e fuqishme se bujaria e vërtetë shpesh kalon e padukshme, por ndikimi i saj ndihet thellë.
Vendi i zgjedhur për të shpërfaqur këtë mirësi të bujatisë është sa i fshehur aq dhe i shfaqur. Nëse je me qese me ushqime, askush nuk e kupton nëse ti je ai që dhuron apo ai që merr. Dhe pikërisht kjo e bën më të lehtë dhimbjen e mëshirës dhe më të padukshme damkën e varfërisë.
Albert Vataj