Gjithësia doli nga fara e dritës, mbrujtur në zjarrin e shpirtrave që dritën në çdo skaj ku ngjizi errësira thellësinë e pafundësisë, ku sublimja e jetës erdhi për të mëkuar në etjen e dëshirimit për përjetim, dashurinë. Dhe ne duhet të ishim skajet, grimcat, përplasja. Ashtu u bë me një vullnet sovran. Prej një prekje, vetëm aq, shpërtheu pafundësia, plot shkëndoja, dritë, terr dhe prehje.
“Ne nuk e zgjedhim njëri-tjetrin rastësisht…”, thotë Coelho, sepse në këtë përkim të grimcave shkëlqimtare fatesh, është kaosi galaktik ai që vendos me përplasje. “Takojmë vetëm ata që tashmë ekzistojnë në nënndërgjegjen tonë…” dhe në arsyen e shpirtit të gjithësisë, forcës shmdërruese të qënieve në ngjarje. “Aty ku na presin, prandaj arrijmë gjithmonë pikërisht në kohë…”, fiks në kohë, thua se çelim nga ajri i nevojës për të bërë me frymë kurmin e frymshëm të kopulimit që zjarret i bën shkëndia, kah shumohen thërmijat e dritës, në sytë e errësirës që kthen ditën në gjërat që na përkasin. “Në dashuri është fuqia e jetës. Në dashuri fshihet përpjekja për t’u bërë më të mirë.”, për të treguar se prej thellë trupave tanë, zemrat tona janë që na tregojnë sinorët e mbretërimeve të hyjnis së ndjenjave, aty kur gjithçka është prej sublimes për t’u ringjallur.
“Mos kini frikë t’i lini të largohen nga ata që po mbani. Kuptoni që nuk mund t’i mbani gjithsesi gjithë jetën, do t’ju mbarojë forca.”, këshillon Paolo Coelho, por nguron të na thotë se ata që vijnë, kurrë nuk mund të largohen. Ata ikin gjetkë, duke dhënë nga vetja edhe geimca nga jona, të vetmet që gjithnjë vezullojnë. “Ndonjëherë thjesht duhet të dish se nuk do të harrohet…” ajo që ishte në ju për ju, ajo që përjetësia e merr duke ju përdorur si enë për ta çuar atje ku meriton çfarë ti dhe.
“Ata… që duhen, duhet të kuptojnë se një zemër e dashur do ta gjejë gjithmonë rrugën e saj në shtëpi. Një zemër e dashur e di se më e mira nuk ka nevojë të kërkohet, ajo është në vendin fqinj. Tradhtia është një zgjedhje. Kush dashuron nuk do të zgjedhë.. Në fund të rrugës do të ketë gjithmonë ata të cilëve mund t’u besosh.. Prandaj thuaj gjithmonë atë që ndjen dhe bëj atë që mendon.. Në fund çdo gjë do të dalë gjithmonë mirë. Nëse jo, atëherë do të thotë se nuk ka mbaruar ende.. Ndonjëherë duhet ta lëmë atë që duam të shkojë për të parë nëse na do aq sa të kthehet.
Ne kurrë nuk duhet, dhe nuk duhet të kemi frikë të lëmë dikë, qoftë ai ose ajo më i shtrenjti për ne, të shkojë. Ai që dashuron nuk largohet. Ju nuk mund të bëni pushime derisa të kthehen momentet e mira. Vetëm burrat e dashur arrijnë lartësitë, vetëm gratë e dashura bëhen më të bukura dita-ditës.” Sepse ata kanë jetuar dhe jetojnë çdo çast të çdo dite, në zemrën e një shpërthimi drite. Nuk ka ligje që u shkruan për të mbajtur zemra në kafaz, ka vetëm qiej për t’u mësuar zogjve se meritojnë të jenë të fluturimtë në ikje dhe kthim, për të çliruar ajrin prej çdo frymëmarrje që shtërzen e gulçimi që ngufat.
“Lumturia nuk mund të fshihet, ajo tërheq si magnet vetëm lajme të mira dhe suksese, prandaj nuk duhet të hiqni dorë kurrë nga ëndrra juaj. Ëndrrat ushqejnë shpirtin tonë ashtu si ushqimi ushqen trupin.. sepse trupi, njëjt sikurse dhe ndjenjat, ikin diku larg, për t’u përtërirë në zjarrin e shndërrimit.
“Edhe nëse dështojmë shumë herë në jetë dhe shohim shpresat tona të thyera, nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari…” ne jemi ngjarje galaktike, të lindura për të përshkuar dimensionet dhe gjetur shpirtin që na kthen duke na veshur me hyjninë tokësore të mishit dhe zjarrit, aty ku çdo shpërthim na përtërin në dritë e dëshirim. Aty kemi qenë dhe do të jemi, ndërsa vijmë dhe shkojmë për t’u rikthyer te çdo dashuri që çel në ne, stinën e saj të mrekullimit.
Albert Vataj