Nëna e vdekur e Octave Tassaert, duke mbajtur fëmijën e saj që fle, në një ditë dimri, është një portretizimi i vuajtjeve të të varfërve në Francën e shekullit të 19-të.
E pikturuar rreth vitit 1850, kjo pjesë ilustron fokusin e Tassaert në temat e varfërisë, dëshpërimit dhe padrejtësisë sociale. I njohur për përshkrimet e tij empatike të të shtypurve, Tassaert kapi tragjedinë e heshtur të kësaj nëne, e cila, pavarësisht të ftohtit të acartë dhe vdekjes së saj, mban në prehër fëmijën e saj që fle në dukje të pavetëdijshme për fatin e saj. Nëna shfaqet në një sfond të ashpër dimëror, duke pushuar pranë një barre drush, që ka të ngjarë të ketë mbledhur për ti shitur- një kujtim prekës dhr tronditës i betejave të përditshme të të varfërve.
Shikuesit e asaj kohe u tërhoqën nga përshkrimet e dhembshur dhe realiste të Tassaert-it për shtresat e varfëra, duke rezonuar me ndërgjegjësimin në rritje të pabarazisë sociale.
Puna e mjeshtrit u vlerësua veçanërisht nga shkrimtarët dhe aktivistët shoqërorë, me pikturën që shërbeu si një koment i ashpër mbi kushtet e vështira me të cilat përballeshin shumë njerëz në Francën e mesit të shekullit të 19-të.
Detaj intrigues i kësaj pikture është ambienti i zymtë, me tonet e tij të heshtura dhe mjedisin e mbuluar me borë, e përforcon më tej atmosferën e ftohtë dhe të shkretë.
Kontrasti midis fëmijës paqësor e që fle dhe nënës së pajetë, ngjall pikëllim të thellë, duke nënvizuar realitetet tragjike të varfërisë. Përdorimi mjeshtëror i dritës nga Tassaert thekson në mënyrë delikate figurat, duke ruajtur një ndjenjë të përgjithshme zymtësie.
Kjo pikturë nuk është vetëm një deklaratë e fuqishme vizuale, por edhe një rrëfim emocional mbi çështjet sociale. Ai i detyron shikuesit të përballen me ndikimin shkatërrues të varfërisë në popullatat e cenueshme, veçanërisht gratë dhe fëmijët. Si rezultat, Nëna e Vdekur dhe e varfër mbetet një pjesë e rëndësishme brenda socrealizmit, duke kapur realitetin e zymtë, me të cilin përballen shumë njerëz dhe duke nxitur ndjeshmëri tek ata që e shohin atë.
Duke kujtuar Francën e reagimeve të fuqishme sociale dhe politike, kjo pikturë shërben si manifest social, një mënyrë se si arti tërheq adhuruesit dhe i nxit për veprim. Atë që revolucionarët e bëjnë me fjalë dhe manifestime proteste, piktori e arrin përmes komunikimit krijues. Tassaert tregonte se arti ka ende fuqinë për të sfiduar normat shoqërore dhe për të nxitur ndjeshmëri për reagim qytetar. Le të eksplorojmë në këtë tablo, se si artistët përdorin tregimin emocional për të trajtuar çështjet sociale, për të ngritur zërin, për t’u bërë pjesë e ndryshimeve.
Përgatiti: Albert Vataj