Vdekja e nënave nuk është thjeshtë këputja e një prej lidhjeve hyjnoren të tokësores sonë, e asaj në themel të së cilës ngrihet e ngulmët madhështia e sfidave tona.
Ndarja e përgjithmonshme me nënat është shumë më shumë, është humbja graduale dhe e pamëshirshme me modelet e idealizuara të gruas, që domosdoshmërish duhet t’i ngjaj asaj që kemi në krah.
Ikja e nënave është shumë e dhimbshme, dhe si e tillë, ndoshta nga ndijimi ynë, lexohet si një humbje me pamundësinë për të patur një prehër dhe një prehje, një altar të denjë, ku ne të predikojmë atë çfarë besojmë dhe të lutemi për çfarë duam, duke shpresuar se është një shpirtje që i dëgjon përgjërimet tona.
Në këtë kontekst, bijtë më shumë se bijat, burrat më shumë se gratë, e reflektojnë më tragjikisht ndarjen me nënat, një shkëputje me të cilën nuk do të pajtohemi kurrë.
Dhe kjo duket se e ka një PSE?, në thelbësoren e së cilës, mund të shtjellojnë mendime dhe iluzione të ndryshme, por që përgjithësisht ka këtë konfigurim, këtë pretendim, këtë këtushmëri të çdoditshmërisë sonë, atë të papajtimit me mënyrën se si na ndëshkon jeta duke na braktisur nga nënat, më shumë se sa prej tyre, prej ideales që mëtuan ato në ne, përmes një vepre të hyjshme përkushtimi dhe devocioni.
Burrat, pavarësisht pretendimeve të tyre të pareshtura dhe të pamundura, nuk do të mund ta gjejnë nënën e tyre tek nëna e fëmijëve. Kjo, ndoshta, sepse është e pamundur, e pse jo edhe nonsens, për shumë arsye, por më e themelta është se, ne e kemi fare të vështirë, shpesh joreale të pajtohemi me një grua që nuk është nëna jonë, sado që ne jemi gati për sakrifica sublime e përgjërime blatuse për të.
Psikoanaliza, filozofia, mendimi, pozitivizmi, duket se nuk japin shumë shpresë që kjo ëndërr e burrave të mbetur pas në kohë, të bëhet realitet.
Ndryshe nga gratë, që e kanë rrokur më fuqishëm ndryshimet që vijnë me kohën dhe rrethanat që nuk janë siç ishin, dhe nuk duhet të mbeteshin të tilla. Burrat, kanë mbetur pas, vijojnë të jenë ata, të cilët duan që tek bashkëshortja e tyre, të gruaja, nëna e fëmijëve të tyre, ajo me të cilën ata ndajnë krevatin edhe hallet, dhe bashkojnë forcat për sfidat e jetës, duhet të jenë si nënat; të urta, të përulura, të përkushtuara, të devotshme, sakrifikuese, pak a shumë siç duhet të jetë një grua sipas modelit që ne njohim, por që e sotmja e ka të pamundur që t’ia mundësojë cilitdo optimist që përpiqet.
Edhe nënave të sotme u pëlqen të jenë si nënat e tyre, kjo nuk ka pikë dyshimi, por ato janë të dorëzuara përballë pamundësisë për të përballuar gjithë atë barrë të rëndë sakrifikimi. Sepse ato meritojnë shumë më shumë, se sa të jenë skllave të burrave të tyre. Sepse ato, pretendojnë dhe duan edhe atë që nënave të tyre ua privuan. Ata duan të jenë zgjatim i nënave të tyre, por nuk pranojnë të jenë ata që identifikon nënat e vërteta, nënat që nuk e teprojmë edhe nëse i ngjitim në ikon.
Ndërsa burrat, burrat nuk është se kanë ndonjë ndryshim të themeltë në të qenin çfarë baballarët e tyre ishin. Kjo tregon se në gjithçkanë e jetëve tona ishte dhe mbetet nëna, ajo që kur e humbim, ne kemi pamundësuar të mbajmë të lidhur të shkuarën me të tashmen.
Sot nënat janë, nëna Tik-Toku, Instagrami, Telegrami, Facebooku, Youtube, Whatsapp, Spotify, Messenger, Pinterest, etj., etj.. Dhe janë këto nëna që kanë aftësinë të rivrasin çdo ditë nënat tona, dhe të tyret njëkohësisht, me të drejtën ekskluzive për të qenë nëna sipas mënyrës së tyre, pavarësisht pretendimeve se janë nëna të kohës.
Unë nuk do të guxoja të bëja me faj nënat e tashmërisë së medieve sociale, manisë së protagonizmit dhe narcizmit, asaj vetëkënaqësie që mbetet në rastin më të mirë mundësia e vetme e karikimi motivues. Jo, fajtor për burrat që kemi mbetur dhe gratë që kanë ndryshuar, kanë edhe ato nëna, të cilat fshihen pas idealizimit që krijojmë ne. Edhe pse diçka nuk na pëlqen, kjo nuk është një përgjegjësi që rëndon vetëm mbi kohën, ndryshimet e hovshme transformuese të saj, por edhe mbi mënyrën se si nënat tona zgjodhën ose ishin të detyruara të ishin. Megjithatë ne jemi të pafuqishëm të ndryshojmë gjërat, pavarësisht egos sonë për të imponuar ndryshimin e gjithçkaje, sipas asaj që ne duam, edhe pse dëshirat tona fare mirë mund të jenë të diskutueshme.
Albert Vataj