Jeta e Amedeo Modigliani është e bukur në dashurinë prej zjarri dhe sytë prej qielli të Jeanne Hébuterne ajo shuhet tragjike, mbi krahët prej ere të shpirtrave që mbushën qiellin e asaj lirie që i dhanë përmasa zemrat që siç ditën të duheshin, ashtu edhe u sosën, në tragjizmin e një shpërthimi që solli ndarja.
“Jeanne Hébuterne me kapele dhe gjerdan”, është një pikturë vaj mbi kanavacë nga piktori italian Amedeo Modigliani e krijuar në vitin 1917.
“Piktura tregon një grua moderne me flokët e saj të mbështjellë nën një kapele elegante. Një vëmendje e veçantë i kushtohet syve të saj të lyer në një nuancë të lehtë blu që del përpara në një sfond më të errët.
Modigliani u takua me Jeanne Hébuterne, një studente arti 19-vjeçare, në pranverën e vitit 1917 përmes skulptorit rus Chana Orloff. Modigliani i dha fund marrëdhënies së tij me poeten dhe kritiken e artit anglez, Beatrice Hastings dhe pak kohë më vonë Hébuterne dhe Modigliani u transferuan së bashku në një studio në Rue de la Grande Chaumière.
Jeanne filloi të pozonte për të dhe u bë subjekti kryesor për artin e Modiglianit. Modigliani e ka përshkruar Jeanne Hébuterne në më shumë se njëzet vepra, por asnjëherë nudo.
Ai e transformoi Hébuterne në një simbol idilik të një gruaje moderne.
Në vitin 1918, çifti u transferua në Nice në një përpjekje për të rritur karrierën e Modiglianit. Ai punoi në një formë më abstrakte, moderne dhe nuk u prit mirë nga publiku. Ndërsa jetonte në Nice, në moshën 20-vjeçare, Hébuterne lindi fëmijën e tyre të parë, një vajzë të quajtur Giovanna Hébuterne.
Modigliani u prek nga meningjiti tuberkuloz, të cilin e vetë-mjekoi me alkool dhe drogë. Çifti u kthye në Paris dhe shpejt mbeti përsëri shtatzënë, megjithëse shëndeti i Modiglianit po përkeqësohej shpejt. Ai vdiq në vitin 1920 në moshën 35-vjeçare.
Hébuterne u shkatërrua plotësisht nga vdekja e tij. Brenda dy ditëve nga vdekja e tij, ajo u hodh nga dritarja e katit të pestë të shtëpisë së prindërve të saj, duke vrarë veten dhe fëmijën e saj të palindur 8 muajsh. Hébuterne ishte vetëm 21 vjeç.
Dhe kështu tragjedia luan kështu aktin e fundit fatal, duke lënë pas vetëm një idilikë dashuri që mbeti në kujtesën e shpirtrave të shndërruar në eter dhe pikturave ku kjo grua u pavdekësua dhe deh edhe sot me vështrimin e syve të saj prej qielli.
Ndërsa ajo vdiq aq e re, vetëm rreth 25 piktura nga Jeanne Hébuterne kanë mbijetuar deri më sot. Arti i Hébuterne nuk u pa nga publiku për dekada pas vdekjes së saj, pasi trashëgimtarët e saj i mbajtën ato private. Në vitin 2000, puna e saj u pa më në fund nga publiku në një ekspozitë në Itali të punës së Modiglianit.
Përgatiti: Albert Vataj