Ata janë gjithnjë duke pritur, sepse vetëm ata dinë se si të përcjellin, se sa i ëmbël është malli dhe se sa e hidhur është ndarja.
Ata janë gjithnjë të sëmurë, sepse nuk besojnë te ilaçet aq sa te përqafimet.
Ata ecin ngadalë, sepse duan që rruga që u ka mbetur të bëjnë, të jetë ende e gjatë.
Ata nisin të harrojnë, sepse duan të ikin pa kujtesën që i bëri ata të plaken.
Ata dëgjojnë gjithnjë e më pak, sepse duan të ndjejnë më thellë e më qartë.
Ata na tregojnë se pleqëria nuk është dhe aq e keqe, po qemë ne të mirë.
Ata edhe pse janë të pamundur, duan me gjithë shpirt që gjithë të mirat e botë të jenë për ne.
Ata, duan të duan ende, sepse vetëm dashuria nuk i lë ata të vdesin.
Ata, edhe pse shpesh të harruar, kanë arsye të na shfajësojnë, edhe pse kjo është për ne gjykimi më i rreptë që ata na bëjnë.
Ata, flasin me heshtje dhe vështrime, më mirë se me fjalë dhe veprime.
Ata duan shumë gjëra, por i japin të gjitha për të mos qenë vetëm.
Ata e duan përkujdesin sepse kanë frikë nga braktisja,
Ata presin jo t’u sjellim para dhe dhurata, por të shkojmë, sepse ata duan ne, jo gjërat që ne kemi.
Ata nuk kanë frikë nga vdekja, por nga harrimi.
Ata qajnë jo për dhimbjet që i bluajnë, por nga malli që i shtryll.
Ata nuk janë vetëm të shkuar në vite, por edhe të ardhur në të drejtën për mirënjohje.
Ata janë sot për nesër, ndaj pasnesër është tepër vonë.
Ata nuk janë vetëm të pamundur dhe të sëmurë, por edhe test i ndërgjegjes sonë.
Vetëm kur ata vdesin, vetëm atëherë e kuptojmë se çfarë ishin ata për ne.
Ata shuhen me shpirtin e mbushur plot dritë, ikin me lamtumira plot dhimbje dhe të mbeten pas nëpër copëza kujtimesh shkëlqimtare
Ata…
Ata të moshuarit, janë sot, çfarë do të jemi ne nesër.
Albert Vataj