Përtej rrezeve të pafundme të diellit dhe plazheve me rërë, Spanja ka një histori të errët që e ka njollosur kombin edhe sot e kësaj dite.
Për qindra vjet, njerëzit u masakruan dhe u dogjën të gjallë në kryqe e turra drush. U takuan me vetë djallin në skutat më të errëta të ferrit, shtrinë deri në vdekje, u torturuan me mizori nga më të parrëfyerat, për të vetmen arsye se nuk ishin katolikë.
Inkuizicioni spanjoll konsiderohet të jetë një nga periudhat më të turpshme dhe groteske në historinë katolike romake. Sipas disa vlerësimeve moderne, rreth 150,000 njerëz u ndoqën penalisht për vepra të ndryshme gjatë kohëzgjatjes treshekullore të mbretërimit të terrorit, nga të cilët midis 3,000 dhe 5,000 u ekzekutuan pasi kishin duruar disa nga aktet më rrëqethëse të torturës që mund të imagjinohej.
Materiali i gjerë arkivor përmban rrëfime të thirrjeve të viktimave të torturës dhe përshkrime të pirave funerale, mizori që vazhdojnë të tmerrojnë historianët edhe sot e kësaj dite.
Tmerret e Inkuizicionit janë ndër disa nga aktet më sadiste të terrorit në histori, të cilat u shtrinë në çdo fushë të shoqërisë spanjolle dhe pothuajse çdo cep të perandorisë së saj globale.
Gjithçka e kësaj panorame tmerri filloi te Tribunali i Zyrës së Shenjtë të Inkuizicionit, i njohur zakonisht si Inkuizicioni Spanjoll. Ky institucion gjykator i dorës së hekurt ishte një këshill për të luftuar herezinë, i autorizuar dhe i urdhëruar nga autoritet papal në vitin 1478 dhe nga Monarkët katolikë Ferdinand II i Aragonit dhe Isabella I i Kastiljes. Ai synonte të ruante ortodoksinë katolike në mbretëritë e tyre dhe të zëvendësonte Inkuizicionin mesjetar, i cili ishte nën kontrollin papnor.
Më famëkeqi ndër ata që i kanë mbetur në kujtesë botës ishte Tomas de Torquemada, i mbiquajturi Inkuizitori i Madh i Inkuizicionit Spanjoll.
Nga Sabrina Penty / Daily Mail