Albert Vataj
Janë të paktë ata admirues të artit në përgjithësi dhe pikturës në veçanti, të cilët përkushtohen në mënyrë të qëllimshme dhe selektive, dallimin e një detaji. Ai natyrisht që është pjesë e së tërës dhe çdo qasje “gjymtimi” është ndoshta një nevojë për ta fragmentuar një vepër për ta lexuar si kapiturjt e një libri.
Në fund të fundit arti është çfarë ai rreket t’i thotë secilit nga ne persoanlisht. Ndoshta dikush nuk do të mund ta lexojë një fragment pikture, apo tablonë si të tërë siç dikush tjetër; mundet dhe dëshiron. Vërtetë që kemi të bëjmë me të njëjtën gjë, por mendimet dhe shqisat tona të perceptimit mund të arrijnë ta kuptojnë dhe ta lexojnë, e pse jo krejt ndryshe ngase si e ka “shkruar” krijuesi. Ky është privilegji i artit, por në kryeherë i aftësisë që kemi për të depërtuar aq thellë, për të përjetuar aq fuqishëm.
Të ndalojmë te Mona Liza, kryevepra e kryeveprave të pikturës, konkretisht të palimi i duarve të së pretenduares si ajo, Lisa del Giocondo.
Mona Liza ishte një nga portretet e para italiane që përshkruante personin e ulur përpara një peizazhi imagjinar, edhe pse disa studiues favorizojnë një përshkrim realist, dhe Leonardo ishte një nga piktorët e parë që përdori perspektivën ajrore. Gruaja enigmatike portretizohet e ulur në atë që duket të jetë një lozhë e hapur me bazamente të errëta shtyllash në të dyja anët. Pas saj, një peizazh i gjerë tërhiqet në male të akullta, shtigje gjarpëruese dhe një urë të largët, duke dhënë vetëm indikacionet më të vogla të pranisë njerëzore. Leonardo ka zgjedhur ta vendosë vijën e horizontit jo në qafë, siç bëri me Ginevra de’ Benci , por në një nivel me sytë, duke e lidhur kështu figurën me peizazhin dhe duke theksuar natyrën misterioze të pikturës. Ura në sfond u identifikua nga Silvano Vincenti si ura me katër harqe Romito di Laterina nga koha etrusko – romake pranë Laterinës, Arezzo mbi lumin Arno.
Duart e kryqëzuara të Mona Lizës, kryeveprës së të artit të Rilindjes së Artë, Leonardo Da Vinçi. Pas buzëqeshjes misterioze dhe vështrimit, duart, janë detaji që grishin interesim dhe vëmëndje nga adhuruesit e kësaj tabloje të vitit 1503.
Detaji i duarve të Lizës, me dorën e djathtë të mbështetur në të majtën e saj. Leonardo zgjodhi këtë gjest në vend të një unaze martese për të përshkruar Lizën si një grua të virtytshme dhe grua besnike.
Pozicioni i duarve, jo rastësisht është i kryqëzuar. Dora palohet mbi dorën e cila ka një pikë gravitacionale, peshimi i vetëm ku e pezullta e hirit të Mona Lizës qëndron. Mes tokës dhe qiellit, eternes dhe shpirtërores, duart baraspeshojnë në një ekuilibër ku dallojmë solemnitetin e një prehjeje, të brishtë dhe ndjellëse. Mjeshtri e ka çliruar butësinë e këtyre duarve nga tendosja e muskujve, ritmika e pulsit dhe çdo gjasshmëri ashpërsimi, duke e përcjellë sensualitetin e Mona Lizës, po kaq yshtës edhe përmes duarve.
Pozicioni i duarve të Mona Lizës, ishte në traditën mesjetare dhe u përdor nga shumë gjeshtra, shpesh dalin në pah një nga tiparet karakteristike të një gruaje delikate, me duar të bukura, ashtu siç e gjejmë në disa tablo, ku artisti ka shpërfaqur një dempstrim të tillë komunikimi për të treguar unazat që mban gruaja, që janë jo vetëm një tregues i statusit civil por edhe atij social. Rasti i Mona Lizës ndoshta kë të bëjë thjeshtë me një mënyrë, me të cilën Leonardo kërkon të na josh, ose të na tregojë se duart janë një prej komponentëve shprehës të bukurisë së një gruaje.