Albert Vataj
Përditshmërinë tonë e bëjnë më të papërballueshme, stresuese, të ankthshme, tmerrësisht të zymtë, pa shpresë dhe pa orientim, jo problemet, hallet, kokëdhimbjet, por ankimtarët, por ata që qahen për gjithçka, madje edhe kur janë të gëzuar.
Të duash të bësh viktimë si një nevojë për të qenë i ledhatuar me mëshirë dhe keqardhje, është kthyer në një mekanizëm jo vetëmbrojtës por viktimator i ankimtarëve. Ata mendojnë se janë të vetmit që vuajnë, se kanë vapë, se dimri sivjet ishte tmerr, se nuk i ecin punët mirë, se më the e të thashë, dhe duke u ankuar kërkojnë që rrugën e tyre të mundimshme të mos e bëjnë vetëm.
Ndoshta për shumë nga ju kjo nuk ka kuptim, siç nuk gjen shpjegim edhe pse ne ndihemi keq, të plogët, të pamotivuar, apatik, deri në momentin që ne kuptojmë se kjo krejtpapritur nuk ishte “rrufe në qiell të kthjellët”, është mënyra se ne e kuptojmë dhe veprojmë sapo kemi konsumuar një kafe të hidhur me dikë që artin e ankimimit e ka si flamurin e vetëm të betejave të jetës.
Jo vetëm personat që takojmë, por edhe televizioni, vajtoret e rrjeteve sociale, kukumedetet e pafundme të atyre që ushqehen me korba si hijenat, janë injektuesit e këtij virusi, janë zezona e kësaj gjëme që na sulmon nga mëngjesi deri në darkë si një re e mbarsur me zymtësi, rrebesh dhe vetëtima.
Fatkeqësisht natyra na ka bërë kaq delikat, sa dhe të ndjeshëm, me një imunitet problematik, si dhe me një predispozicion për t’u përfshirë emocionalisht, jo vetëm për dertet tona, por të gjithsekujt na rrethvjen, thua se kemi tagër hyjnor për të ndryshuar botën, për të kuruar plagë duke sëmurur veten.
Takoni një njeri që nuk ka fjetur me dreqën, për të kuptuar se si mund të niset një ditë për së mbari. Shmangni toksikët për t’i dhënë vetes një mundësi për t’u ngopur me frymë. Nuk është gjë me mend të përpiqeni t’i mësoni ata se si duhet të sillën, se si është më mirë për ta të jenë në paqe me veten dhe të mbysin brenda vetes ankimet. Sepse ata sërish do të bëjnë të njëjtën gjë, kështu që ju do të jeni dy herë të mundur, edhe nga dështimi për të patur sukses, në mënyrën se si duhet të jetojnë shëndetshëm personat me të cilët keni të bëni, dhe ankimet që do t’u plagosin më keq.
E vetmja gjë që mbetet të bëni, jo për të shpëtuar, se sa për ta minimizuar veten nga ekspozimi, është të bëni qëndresë duke i shmangur. Nëse nuk i’a dilni mbeteni të vuani njësoj, ndoshta më keq, ndoshta si me sëmundjet ngjitëse, ku bartësi është më imun se marrësi.
Ndoshta jeta me të tjerë e ka këtë defekt, por pa ta, do të ishte ku e ku më keq.