“The Kiss” është një nga kryeveprat e simbolistit austriak, Gustav Klimt. Tabloja është realizuar me bojra vaji, e veshur me fletë argjendi dhe floriri. Realizimi i saj daton në periudhën ndërvitase 1907 – 1908, kohje krijuese që përkon me “Periudhë e Artë” të Klimtit.
Piktura përshkruan një çift të përfshirë në një përqafim që kredh tërësoren e tyre mish e shpirt. Trupat e tyre i mbështjell një veshje solemne e stolisur përmes një stili modern, tepër të ndërlikuar dhe të sofistikuar. Kjo vepër, nga një shqyrtim i gjithpranuar konsiderohet si kryevepra e periudhës së hershme moderne.
“The Kiss” është nga emblemat e Gustav Klimt. Një dashuri në ekstazë, të cilës i hidhet mbi lakuriqësi të epshme një mantel i florinjtë, stolisur me një gjuhe misikën, përmes një larmie simbolesh, thellësisht erotike. Thua se ka rrëmuar të gjitha kulturat dhe ka nxjerr së andejmi mëtimet abstrakte të simbolizmit që kumtojnë pasionin e zanafillës, elementin bazë të krijimit, seksin. Trupat i përthyen në densitetin e përqafimit. I mbërthen me gishtërinjë të stërgjatë e trupa që i zgjat joshja. Burri në ngulmin për të dominuar, e ka vënë parfundi objektin e joshjes së tij të epërme. Femra është përthyer në gjunjë, duke ngasur afrinë dhe gadishmërinë për tu dhënë. Shkrehja e saj lexohet në portretin që është fikur në zjarrin e brendisë ku ajo po tretet. Gjithçka te “The Kiss” të është një lojë zjarri ngjyrash dhe grishje përpirëse. Ai në këtë tablo ka treguar gjithçfarë përfaqëson vetë postulatin e piktorit, sipas të cilit, “I gjithë arti është erotik”.
Sfida e tij erotike është një përleshje me kohën dhe vetveten si vullnesë çliruese. Forca gllabëruese e femrës në pikturën e Klimt, e ka të përcaktuar qartë pozitat e saj, atë të dominimit, dhe e nis ta bëjë këtë duke sfiduar, një sfidë kjo që arrin të jetësojë stuhi ndjesish sa herë që shihesh me çfarë ai mëton epshin.
Gustav Klimt përshkruan çiftin e mbyllur në një përqafim intime kundër një sfondi ari, të sheshtë. Të dy figurat janë të vendosura në buzë të një pjese të livadhe me lule që përfundon nën këmbët e ekspozuara të gruas. Burri vesh një mantel të zbukuruar me modele gjeometrike dhe grafika të tjera delikate. Ai mban një kurorë të hardhisë ndërsa gruaja mban një kurorë me lule. Ajo është treguar veshur me në një fustan të rrjedhshëm të lulëzuar. Fytyrën e burrit, qëllimisht nuk i është shfaqur audiencës dhe në vend të kësaj, fytyra e tij është e tendosur poshtë për të ofruar një puthje në fytyrën e gruas dhe duart e tij mbështjellin fytyrën e gruas. Sytë e saj të mbyllura në një fytyrë të praruar, shprehin një ëmbëlsi grishëse joshjeje dhe epshi. Një krah i saj i rrethvjen qafës së partnerit si shenj pranimi dhe dorëzanie. Dora tjetër i jepet një pushimi të butë dhe një gatitje për të marrë çdo rreze të këtij diellimi shkrirës e kësaj epje pasionante.
Albert Vataj