20 qershori është Dita Botërore e Refugjatëve
A mund ta imagjinoni se si do të ishte të linit shtëpinë, kujtimet, ëndrrat, mallin dhe dhimbjet, për të ikur diku tjetër, atje ku askush nuk të pret, në një vend, i cili mund të të dobojë me të njëjten pamëshirë si ai fat që të dëboi nga toka e të parëve, nga atdheu që nuk mundi të vijonte të ishte më një At’ Dhé?
Ikën i përzënë nga tmerri dhe frika, nga lufta dhe nga vdekja, ikën për të besuar se mund të ketë jetë diku tjetër, diku që mund të mos ishte e rrethuar me mure dhe me tela me gjemba, me kordonë policie dhe makineri ushtarake, që në vend të mirëseardhjes të pret me skërmitje dhëmbësh, nerva të tendosura, hipokrizinë e pështirë të humanitetit dhe bukën e hidhur të mëshirës. Të pret për të të treguar se bota që ke lënë dhe ajo që ke gjetur nuk ndyshon. Nëse ike nga toka e djegur, toka që të pret është gati të të përpijë, me të njëjten pamëshirë si bombardimet dhe zjarri i armëve.
A mund të imagjinoni sfidat me të cilat do të përballeshit dhe ndjenjën e humbjes që do të ndjenit? Epo, çdo minutë 20 njerëz i nënshtrohen kësaj përvoje të hidhur dhe bëhen refugjatë. Ndoshta ju jeni edhe vetë një refugjat ose njihni njerëz të zhvendosur që jetojnë në komunitetin tuaj.
Në një botë ku dhuna, persekutimi dhe lufta detyrojnë mijëra njerëz të ikin çdo ditë, është e rëndësishme që ne të gjithë të bashkohemi në mbështetje të refugjatëve dhe ka më mirë se në Ditën Botërore të Refugjatëve? Ky rast i veçantë synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe ndjeshmërinë për atë që kalojnë njerëzit e zhvendosur, si dhe të festojë refugjatët në të gjithë botën.
Albert Vataj