Edhe pse nuk i përkas besimit mysliman, aq miq dhe të njohur që kam nga përkatësia e këtij besimi, të cilët kanë pasuruar jetën time me begatinë e mirësisë dhe fisnikërisë, më jep të drejtën t’u kërkoj atyre dhe juve, me përulësi dhe mirënjohje t’i bëjnë vend urimit tim të përzemërt dhe të sinqertë për këtë festë, këtë shpërblesë të sakrificës së besimit.
Gëzuar Kurban Bajramin!
Të lumtur qofshi gjithmonë me gazmim dhe harmoni në familje dhe mes shojishojt. Mirësinë e kësaj dite marrshi në krejt rrugëtimin tuaj drejt vullnesës së sakrificës dhe devotshmërisë.
Ju uroj të jetojë me ju përkushtimi dhe devotshmëria, bujaria dhe zemërbardhësia, harmonia dhe mirëkuptimi. Përherë e ushqefshi shpirtin dhe zemrën me dhuratën më të shenjtë, atë të bujarisë. Dorën që jep dhe vullnesën e solidaritetit që i bashkon me të skamurit, një plotpushtet e shpërbleftë me çfarë zemra e tij zgjodhi të mylmejë dëshirën e gazmimit të atyre syve që shndrisin prej bujarisë që lumturon.
E pranoftë All-llahu veprën tuaj të sakrificës. Me mirësi dhe begati, paqe dhe devocion e shtroftë udhën tuaj të besimit. Kurban Bajrami qoftë një fillim i këndshëm për një jetës më të pastër dhe më me devocion.
Secili nga ju ka hapur zemrën dhe shtruar vullnesën e mirë për të ofruar nga vetja gjithçka që e shenjtëron.
Sot, duart e nevojës janë ngritur drejt qiellit për të pranuar shpërblimin e kësaj feste.
Gëzuar qoftë Kurban Bajrami për të gjithë myslimanët kudo që janë, për të gjithë ata që me shembullin e tyre shembin mure ndarës, përtërijnë shpresë dhe llamburitin drita gazmimi në sytë dhe zemrat që ndjehen të mbushur me rrezet e hyjnisë së besimit.
Sot është festa e atyre që gjatë bekimit të sakrificës, triumfuan ndaj dëshirave përmes sprovës së sakrificës dhe përkushtimit, detyresës dhe motivimit.
Mbushni ketë ditë me zemrat e gëzuara, bujarinë e bashkëjetimit, shpërblesën e mirënjohjes dhe secili nga ju do të jetë dëshmitarë i mrekullisë që vjen nga besimi, nga nevoja që ka kjo botë për paqen, bujarinë, mirëkuptimin dhe tolerancën.
Gëzuar!
Albert Vataj