Gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Kryeministri Rama e skaliti kujtesën e Ibrahim Rugovës në një fjalë të mahnitshme, e cila solli në të tashmën e Kosovës që vjen në 25-vjetorin e çlirimit, zërin dhe urtësinë e një figure emblematike, e një kolosi të madh vlerash humanitare dhe nacionalisti të pashoq. Kjo fjalë dhe kjo konferencë, këto ligjërime dhe kjo ditë çlirimi e kthejnë Rugovën të gjallë nga përjetësia, për të dëshmuar se vlera dhe vepra e tij është vigane në këtë madhështi të ditës që kremton Kosova. Ai tha për Rugovën shumë, shumë më tepër se ç’farë ishin të gatshëm të dëgjonin të pranishëm në sallë dhe jashtë saj, të cilët me fjalë dhe me heshtje, me gjeste e me harrim, janë për pjekur të qëllojnë me gurë këtë qiell të kthjellët të pacifizmit politik, me të cilat Rugova luftoi dhe besoi se vetëm përmes këtyre mjeteve dhe këtij gandizmi, Kosova do të jetë dhe do të gjej vetveten.
Në fjalën e tij, nëdr të tjera Rama shtoi:
“Ju falënderoj për mundësinë e mirëseardhur për të ndarë me ju një opinion mbi njeriun që e ka shenjuar historinë e shqiptarëve me një gjurmë sa të rrallë aq edhe të domosdoshme, sintezë e pashoqe mes revolucionarit me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetasit me idealizimin e revolucionarit”
“Rugova, themeluesi i Kosovës së lirë, ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore te historisë sonë, një intelektual një udhëheqës dhe një e figurë që edhe sot është e vështirë ta përmbledhësh.”
“Një intelektual si i nxjerrë nga koleksioni i portreteve të periudhës romantike; një politikan si i rrahur me vajin dhe uthullën e odës patriarkale; një udhëheqës si i krijuar për të mos u futur dot në asnjë kornizë të gatshme; një figurë që edhe sot e gjithë ditën është e vështirë ta përmbledhësh si një të tërën, pa i hyrë në hak harmonisë mes pjesëve”
“Ibrahim Rugova ishte edhe mbetet më atipiku i politikanëve shqiptarë, i papërsëritshëm, i paimitueshëm, i pashpjegueshëm dot deri në fund me mënyrën dhe për mënyrën se si arriti t’u imponojë njerëzve rrugën e ujit të rrjedhshëm që duket sikur rri në vend teksa formon shtratin e vetë”
“Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat dhe pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që dërgoi popullin e vetë drejt një të ardhmeje që nuk do të ishte veçse e mirë, ku afër tij kaloi historia”.
“Kur në 24 maj të vitit 1992, në të ashtuquajturën zgjedhje ai i vetëshpall President i Kosovës për herë të parë, pati guximin e gjeniut për faktin se nuk rrezikoi jetën, por rrezikoi diçka edhe më të rëndësishme, atë që jeta krijon dhe lë pas, emrin dhe personalitetin”
“Ky ishte një akt donkishotesk në sytë e shumëkujt, për mua tejet i ngjashëm me aktin e shfaqjes vetmitare të gjeneralit de Gol kur i vetëm dhe i përqeshur lëshoi me radio nga Londra mesazhin epokal të 6 qershorit 1944: ‘Pas resë aq të rëndë të gjakut dhe lotëve tanë, ja ku rishfaqet dielli i madhështisë sonë’. Njësoj si de Golin, edhe Ibrahim Rugovën disa e tallën, shumëkush e injoroi, pothuajse të gjithë e nënvlerësuan, kush me zë, kush nën zë. Të tjerë e ndoqën me një lloj keqardhje, që është keqardhja e dikujt që në dëshpërim i jep një shans asaj që duket krejt e pamundur. Por, nuk besoj se ndonjë nga ato fillime e kuptoi vërtetë atë, që mbase as ai vetë nuk e shihte si një rrugë me një dalje të sigurt, se të afërt jo e jo, por e ndërmori si një hap në errësirë, i shtyrë nga pamundësia për të qëndruar në vend”
“Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh që nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi”.
“Ibrahim Rugova, një president i zgjedhur pa pallat dhe pa komb siç thotë Kadare, një njeri vetëm dhe i vetëm, i cili mes zallamahisë që e rrethonte i dha popullit të vetë një forcë të panjohur dhe të papërdorur ndonjëherë, së paku në këtë pjesë së botës ku ne jetojmë. Forcën këmbëngulëse të ujit që gërryen gurin pa ngut, pa përplasje, pa zhurmë. Duke u ulur si Gandi përballë kohës me një besim të verbër tek aleanca me kohën dhe duke vënë një bast të pamundur të durimit, në një mjedis social si ai i shqiptarëve ku ju e dini më mirë se unë, durimi është mall i rrallë, po ku në atë kohë ishte bërë edhe sinonim i nënshtrimit”
“Kishte jetuar deri aty mes librash dhe joshjes së kritikës letrare në rrethana tejet të rënda për Kosovën, ku pasioni i studiuesit për dijen dhe fjalën e shkruar ju bë trualli ku u zhvillua përgjegjësia e intelektualit zëdhënës të popullit të vetë. Pikërisht në atë zhvillim e sipër, refuzimin estetik për të cituar titullin e njërës prej veprave të tij shkruar në vitin 1987, ai e ktheu në një refuzim politik, i cili herë merrte formën e predikimit në shkretëtirë, herë merrte trajtën e profecisë në një horizont imagjinar shprese, herë bëhej thirrje ndërgjegjeje ndaj botës për të drejtat e Kosovës, herë dëgjohej si thirrje urtësie në veshët e opinionit në Kosovë”
“‘Lufta jonë është paqësore, jo e dhunshme. Ajo është e dinjitetshme’, deklaronte Rugova me një kokëfortësi çarmatosëse të një lideri krejtësisht të pazakonshëm për Ballkanin e kthyer edhe njëherë në fuçi baruti në mes të Europës, në një kohë kur fare pak mes atyre shumë pak syve të kthyer nga Kosova ishin ata që arrinin ta lexonin dhimbjen e Kosovës.
Dhe teksa kjo lagje e Europës mbytej në renë e gjakut dhe lotëve duke u shpartalluar nga të katër anët nga dhuna, ulet në kolltukut e arsyes brenda një kinemaje urrejtjeje një president pa pallat dhe pa komb, që falë vetëm personalitetit të tij dhe asgjëje tjetër, pritej në Shtëpinë e Bardhë, pritej në Londër, në Romë, në audiencë nga Papa Gjon Pali në Vatikan, duke e zgjeruar si një përrua shtratin e vetë, vëmendjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës”
****
“Ne jemi një popull gjithsesi i vogël, kemi dy shtete gjithsesi të vogla. Ne nuk jemi kërthiza e botës. Sa herë kemi menduar këtë e kemi pësuar shumë keq, sa herë kemi kuptuar se duhet të jemi si trimi i mirë me shokë shumë dhe duhet ta kthejmë investimin e Ibrahim Rugovës dhe shumë të tjerëve në një kapital për të ardhmen, aq herë ne ja kemi dalë të bëjmë gjënë e duhur”, shtoi Rama në fjalën e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” në Prishtinë.
I pyetur se si e sheh Kosovën sot, Rama tha se “Kosova është shumë e bukur, i ka të gjitha mundësitë dhe nuk ka pse të humbë kohë duke vrapuar rreth vetes së vetë”.
“Kosova i ka të gjitha ato që i duhen. I ka të gjithë partnerët, aleatët, miqtë që i duhen. I ka të gjitha resurset e veta të mjaftueshme. Ka talente, njerëz, energji, forcë e të gjitha. Thjesht dhe vetëm Kosova duhet t’i tregojë targën Serbisë dhe të ikë përpara. Serbia pastaj të bëjë çfarë të dojë”, tha Rama.
Sipas tij, “nuk mund të mbahet fati i Kosovës i lidhur me interesat apo pafuqinë e Serbisë për t’u përballur me të shkuarën e vet”.
“Një realitet demokratik vibrant, i paqtë, një realitet që i përgjigjet vizionit të Ibrahim Rugovës në të përditshmen e Kosovës do të ketë të gjithë energjinë pozitive për ta bërë të pamundur për më tutje marrjen peng nga Serbia. Ndërkohë që Kosova ka fituar luftën dhe që paqen e plotë mund ta arrijë jo me mjetet e luftës, por me mjetet demokratike europiane”, shtoi Rama.
“Pa miqtë e mëdhenj që Ibrahim Rugova ia bëri Kosovës, pushkët e UÇK-së nuk do të jehonin dot mbi Beograd përmes bombave të NATO-s. Ndërsa kohët që paqja të kërkonte luftën, që lufta të mundësonte paqen, mund të mos kishin ardhur kurrë. Me fjalët “i vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia dhe ky është optimumi i të gjithë shqiptarëve në rajon’’ dhe me strategjinë e tij të paqes për të fituar luftën, Ibrahim Rugova dëshmoi se e para; besnikëria ndaj parimeve është mbytëse pa largpamësinë dhe e dyta; paqes së plotë i duhet diçka esenciale më shumë sesa fitorja e luftës me armë, i duhet shikimi i të shkuarës me sytë e të ardhmes dhe jo shikimi i të ardhmes me sytë e të shkuarës”, u shpreh Rama në fjalën e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” në Prishtinë.
Sipas tij “është shumë për të qarë hallin sot, që pas kaq shumë vitesh duket sikur Ibrahim Rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë, nuk do të thotë thjesht të arrish në mungesë konflikti, por të vendosësh një drejtësi afatgjatë brenda dhe përtej kufijve”.
“Por Rugova kishte kuptuar – dhe e gjithë rruga e tij e rrezaton këtë, – edhe një të vërtetë që shumëkush sot e gëlltit me vështirësi ose e refuzon fare që ta gëlltisë, të vërtetën se për të realizuar një drejtësi afatgjatë, asnjë popull nuk është i vetëmjaftueshëm, nuk vlen asnjë lekë bindja e atyre që na ndjekin me fanatizëm nëse nuk arrin të bindim edhe kundërshtarin”, tha Rama.
Sipas tij, “udhëheqja e vërtetë në kërkim të paqes së plotë matet jo nga aftësia për të ngritur gur pas guri, kulla ngujimesh kinse parimore, por nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri kullat e bashkëpunimit dhe ëndrra për t’i patur që të gjitha menjëherë përmes një fitoreje absolute jo rrallë shndërrohet në makthin e humbjes së shumëçkaje për breza të tërë”.
“E në këtë pikë, mësimi i Ibrahim Rugovës është i jashtëzakonshëm. Është mësimi i madh për të gjithë ne sepse na kujton që sado të mëdhenj dhe sado të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël që siç thoni ju në Kosovë: “nuk kemi qare pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj””, shtoi ai.
Rama theksoi se “ndikimi i Rugovës nuk ishte i kufizuar vetëm nga arritjet politike ai ishte një ikonë kulturore që mbështeste ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së pasur”.
“Të gjithë miqtë e afërt të tij më të cilët unë kam pasur mundësinë të bisedoj, por dhe nga takimi me të në shtëpinë e tij, është shumë e qartë që ai kishte një adhurim pa kushte për Shqipërinë dhe ua njihte mirë shqiptarëve si vuajtjet dhe krenarinë, si ndjeshmërinë dhe besnikërinë. Dhe edhe në momentet më të vështirë për Kosovën ai ngulte këmbë që Shqipëria të mbahej parasysh duke e kuptuar si askush tjetër se dallimet politike mes dy shteteve janë një gjë dhe fatet të përbashkëta të një kombi janë një gjë krejt tjetër”, shtoi ai.
“Duke qenë se ai vinte nga shtrati i kulturës, ishte një lexues i shpirtit të kombit që e kuptonte dhe nga brenda se shpirti i kombit qëndron mbi kulturën, mbi gjuhën, mbi traditat e veta, por dhe këto i thotë ai, edhe në ndërthurjen dhe në pikëtakimet me kulturat e tjera, çka i jepte vizionit të tij për një Kosovë multietnike dhe demokratike, një dimension krejt progresiv dhe befasues për kohën dhe njëkohësisht një përmasë europiane të atij dimensioni që sot edhe në Europë duket se po bëhet gjithmonë e më shumë uji i pakët”, tha Rama.
Rama nënvizoi se Rugova ishte i bindur se dialogu ndërkulturor i shërbente themelit të përbashkët të një shoqërie të ngritur jo mbi mërite e së shkuarës, por mbi projektet e të ardhmes.
“Ai thoshte, ‘jemi europianë, besojmë në Zot dhe në demokracinë perëndimore’ dhe kështu i ftonte brezat e rinj të mendojnë dhe të veprojnë si qytetar të ardhshëm të një kontinenti gjithnjë e më të integruar përmes vlerave të demokracie dhe jo i pengjet e një mallkimi historik që ripërtërihet duke pirë helmin e ndasive të kaluara. Ai e dinte shumë mirë që pas gjak humbjes vjen paqja dhe s’ka sesi të ndodhë ndryshe, por madhështia e tij qëndron në faktin se ai paqen e plotë nuk e shihte si poshtërim të të mundurve, por si ngadhënjim të së porsalindurve”, shtoi Rama.
Rama theksoi se “sfida e ndërtimit të paqes së plotë “rugoviane” mbetet një sfidë e hapur, aq më tepër në një kontekst të ri gjeopolitik për të gjithë Europën”.
“Miqtë e tij të afërt më kanë thënë se gjatë sëmundjes ai kishte vetëm një pishman përballë vdekjes që i afrohej, të cilën nuk e shihte fare si problem, në kuptimin se ndjehej një njeri në dispozicion të jetës me humanizmin e tij, por në të njëjtën kohë edhe qartësisht i penguar se “nuk ia qitën pikën jashtë”, – thoshte për njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës. Ajo pikë tashmë ka dalë jashtë, ka dalë jashtë në mënyrë të pakthyeshme por sfida e ndërtimit të paqes së plotë rugoviane mbetet një sfidë e hapur, aq më tepër në një kontekst të ri gjeopolitik për të gjithë Europën”, tha Kryeministri.
“Sot popujt e Ballkanit kanë një moment shansi historik në një kontekst rreziku historik. Shansin që të çojnë përpara një projekt dialogu dhe orientimi drejt të ardhmes, secili gur i rëndë në vend të vetë dhe në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vetë, që askush nuk mund ta luajë nga vendi, por është dhe një gur i rënde në vend të vetë që duhet të zërë vend mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vetë ndërkombëtar ose pastaj të hyjmë në rrugën që çon mbrapa dhe që dihet shumë mirë se çfarë pasojash ka në këtë zonë të Europës, ku Rugova ishte kaq i vetëdijshëm e prandaj dhe kaq i motivuar, kaq i mobilizuar, kaq i përkushtuar për të shmangur me çdo kusht të dytën, duke frymëzuar të parën edhe në kohën kur siç thotë Kadareja, ishte një president pa pallat dhe pa komb”, theksoi ai.
E për ta realizuar këtë mision si një shans të kohës, Rama tha se “ne do ta sjellim Europën në Ballkan, shumë më parë se sa të çojmë Ballkanin në Europë”.
“Për këtë s’ka burim më frymëzues nga aktualiteti shqiptar i pas rënies së diktaturës në Shqipëri dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe pavarësinë e Kosovës, se sa vepra dhe jeta e Ibrahim Rugovës. Ibrahim Rugova është një model, është pikë referimi është një lider historik, sa i asaj bote, edhe i botës së re që duam të kemi këtu në këtë lagje të Europës, po edhe një qytetar model i një kontinenti të përbashkët, një simbol i një krenarie jo fodulle, i një urtësie të aktivizimit jo demagogjik, i besimit te vetja si tolerancë ndaj të njerëzve dhe shpresës që ushqen mirëkuptimin dhe aty ku mirëkuptimi duket i pamundur dhe i largohet konfliktit dhe aty ku konflikti duke i pashmangshëm”, shtoi ai.