Nga Albert Vataj
“Ajo që qe e vdekshme nga Albrecht Dürer prehet në këtë varr”, janë këto fjalët që miku i tij, Willibald Pirckheimer gdhendi mbi lapidarin e piktorit. Dhe koha e dëshmoi se më shumë se një epitaf ishte sentencë profetike. Sepse vetëm ato mbetje tokësore të shterrura së ushqyeri me jetë preheshin në atë varr, i jepeshin vdekjes, gatiteshin për një shndërrim. Vepra, gjithë ajo krijimtari kolosale prej më se 1200 punësh ishte sendërgjuar prej shkulmeve dhe zjarmit të atij shpirti dhe talenti, për të mbetur pjesë e thesareve të njërëzimit, forcë eterne që kishte ardhur në jetë prej tij, pa mundur dot të iki me të, për të mbetur e përgjithmonshme, … mahnitëse, ngasëse, impresionuese, medituese, kumtuese. Po, për të mbetur e gjallë, përplot ritëm dhe puls atëditë e sot, një shpërblesë qiellore prej Albrecht Dürer.
Ishte viti 1524 kur ai do të kthehej në Nuremberg. E thërriste vendlindja. I lodhur dhe i sëmurë, kishte ende për të dhënë, kishte ende në duar përfundime të punëve. Duke sfiduar molisjen dhe lëngimin i’u përkushtua me mish e me shpirt, mbi të gjitha prodhimtarisë së ilustrimeve dhe shkrimit të traktateve gjeometrike dhe shkencës së fortifikimeve. Punë të cilat janë edhe sot një pikë referimi dhe shqyrtesash të teknikës.
Afrimi me doktrinën protestante u pasqyrua edhe në artin e tij, duke braktisur gati plotësisht temat profane dhe portretet, iu dha gjithmonë e më shumë subjektet ungjillore, ndërsa stili i tij bëhej gjithmonë e më i ashpër dhe energjik. Projekti për një bisedë të shkenjtë, nga i cili mbeten studime të shumta të mahnitshme, me gjasa i nisur pikërisht për kushtet e ndryshuara politike dhe klimën tashmë armiqësore përkundrejt imazheve të shenjta, të akuzuara se nxisnin idhujtarinë.
Për tu mbrojtur ndoshta nga kjo akuzë, në 1526, në mes të periudhës luteriane, pikturoi dy tablotë me Katër Apostujt monumental, Shën Gjoni, Shën Pjetri, Shën Pali dhe Shën Marku, kampion të vërtetë të virtytit kristian, që ia dhuroi bashkisë së qytetit të vetë. Bëhet fjalë për dëshminë e spiritualitetit të maturuar me reformën luterane dhe kulmi i kërkimit të tij piktorik i prirur të kërkonte bukurinë ekspresive dhe saktësinë e paraqitjes së njeriut dhe paraqitjes në prespektivë të hapësirës. Kjo vepër shënon arritjen e tij përfundimtare dhe me siguri më të lartë si piktor. Kënaqësia e tij në virtuozitetin e demostruar nuk e mbyste idealin e hapësirës që është e thjeshtë, por thellësisht ekspresive.
Në të njëjtin vit, Albrecht Dürer, pikturoi portretet e fundit, ata të Bernhart von Reesen-it, Jakob Muffel-it, Hieronymus Holzschuher-it dhe Johann Kleberger-it.
I vitit 1525 është një traktat mbi prespektivën në kuadër të gjeometrisë deskriptive dhe në 1527 publikoi Traktatin mbi fortifikimet e qyteteve, kështjellave dhe vendbanimeve. Në vitin 1528 dolën në dritë katër libra mbi përmasat e trupit njerëzor.
Me 30 vite jetë në skenën e madhe ta artit të kolorit, gdhëndjes, ilustrimit, idesë, teorisë dhe filozofisë, 57-vjeçari Albrecht Düreri i afrohet agonisë. Sëmundja e kredh në shtrat mbretin gjerman të Rilindjes për ta shuar më 6 prill 1528 në shtëpinë e tij në Nuremberg dhe për tu varrosur në vendvarrezën e kishës së Shën Gjonit, ku prehet edhe sot.
Düreri u kishte mbetur besnik mësimeve të Luterit, ndërsa miku i tij Pirckheimer ishte kthyer në katolicizëm. Mbi lapidarin e mikut ai gdhendi epitafin latin: “Ajo që qe e vdekshme nga Albrecht Dürer prehet në këtë varr”.
Albrecht Düreri duke mos pasur fëmijë, i la në trashëgimi të shoqes shtëpinë dhe një shumë të madhe në të holla, ndërmendim këtu se piktori ishte një nga dhjetë qytetarët më të pasur të Nurembergut.
Albrecht Dürer u lind më 21 maj 1471 në Nuremberg, Gjermani. Ai arriti të krijonte reputacionin dhe të ndikonte në Evropë kur ishte ende në të njëzetat. Ky rol i piktorit dhe gdhendësit të shquar ishte pjesë e atij komunikimi që Dürer pati me gjenitë bashkëkohës, artistët italian të penelit dhe daltës, ndër ta Raffaello-n, Giovanni Bellini-n dhe Leonardo da Vinçin. Nga viti 1512 ishte nën mbrojtje e perandorit Maximilian I. Albrecht Dürer, konsiderohet si eksponenti më i spikatur i pikturës së Rilindjes gjermane dhe njiherash zëri më i fuqishëm i atij shtresëzimi estetik. Në Venecia artisti hyri në kontakte me mjediset neoplatonike, të cilat e çuan drejt veprave me karakter ezoterik. Shembulli klasik këtyre veprave është ajo me titull Melencolia I, e realizuar në 1514, ku shfaqen simbologji të shumta hermetike.
Ai, biri i një argjendari, gdhendi me pasion dhe përkushtim, në drun dhe në bakër, skaliti me delikatesë, ngjyra zjarri dhe shprehi jete, në pëlhurë e në kanavacë, themeloi disiplina dhe shkroi ligje, vuri rregulla dhe shkallmoi paradokse, erdhi dhe iku për të mbeti në dimensionin e së përgjithmonshmes si një garanci e vlerës.
Rreth 1200 vepra që realizoi Dürer deri në vdekje në vitin 1528 përbëjnë galerinë e këtij artisti. Pikturat, gdhendjet në dru e bakër, janë të ekspozuara në muzetë e mbarë botës. Arti që la si testamet i memories gjermane u fiksua edhe në dekorimin e kartmonedhës së 5 markëshit gjerman. Ai është piktori më i njohur gjerman i Rilindjes dhe do të mbetet i tillë, sepse është një faqe e rëndësishme e artit dhe historisë së kohës kur ky gjigand krijoi. Ndryshe nga shumë personalitete të artit, të cilëve u erdhi fama pasi kishin shterruar së jetuari, Albrecht Dürer e shijoi sa ishte gjallë.
Padyshim ishte Albrecht Dürer ai që shkroi faqen më të shndritshme të historisë së pikturës gjermane dhe vuri themele të qëndrueshme në artin botërorë të penelit dhe gdhëndes.