Nëse vendosni një bretkosë në një tenxhere me ujë të nxehtë, ajo do të kërcejë jashtë. Por nëse bretkosën e vendosni në një enë me ujë të ftohtë, ujë të cilin nisim ta ngrohnin shumë ngadalë, vërejmë se bretkosa e përshtat temperaturën e trupit me temperaturën e ujit, që rritej vazhdimisht.
Kur uji arriti pikën e zierjes, bretkosa nuk mundi të përshtatet më, por do ta ketë absolutisht të pamundur edhe të dalë nga ena me ujën, temperatura e të cilit kapërcen kufijtë natyrorë të trupit të saj, dhe ajo, duke e patur të pamundur të reagojë për shkak të energjive që ka shpenzuar për të balancuar temperaturën e trupit me ujin, ajo ngordh.
Pyetja që shtrohet është, pse ngordhi bretkosa?
Bretkosën e vrau uji i valuar apo paaftësia e saj për të vendosur se kur duhej të kërcente jashtë tenxheres, ndërsa humbiste energji për të përshtatur trupin me ujin që nxehej gradualisht.
Ne nuk jemi bretkosa, por prej fatit të saj e kemi të pamundur të shpëtojmë. Ndoshta natyra nuk ka qenë dhe aq e kujdesshme të na armatosë më shumë se me reagimet e kushtëzuara, madje shpesh i ka mësuar njeriut mënyrën të përshtatet, para se ta shtyjë atë të reagojë në përputhshmërinë e nevojave me mundësitë. Përgjithësisht ne shpenzojmë më shumë energji për të gjetur arsye për t’i bishtnuar përgjegjësisë dhe për t’u përshtatur, se sa për të guxuar për t’u përballur dhe për t’ia dalë.
Presim më parë që era të ndërrojë drejtim, se sa ne të kthejmë velat në kahun e duhur. Shmangia e nevojës për reagim është një pajtueshmëri me një rrethanë, e cila shumë shpejt kthehet në një monotoni mbytëse.
Parë në prizmin pozitiv
Preferojmë të shtrihemi në vaskën e bukur dhe komode të jetës ku gjithçka është mirë dhe të harrojmë gjithçka. Kemi familjet që duam, miqtë më të cilët argëtohemi, punën që kemi ëndërruar, strehimin që na jep komoditet dhe cilësi jete, para më të cilët dëfrehemi dhe përmbushim çdo nevojë dhe tekë, etj., etj.. Ndërsa ne i kemi gjithë këto, dhe me patjetër deri këtu na është dashur më shumë të përshtatemi që t’i arrijmë se sa të luftojmë që t’i kemi, nuk dimë dhe nuk duam të bëjmë ndryshe, pa menduar se koha kur na duhet të dalim.
Pse do t’i lëmë gjithë këto privilegje, dhe të dilnim në errësirën e natës, duke e ekspozuar veten përballë të papriturave, rreziqeve dhe realitet të ashpër të jetës. Ne nuk duam t’ia dimë se përtej këtij qerthulli ku na mban kyçur monotonia e mondaniteti, ndodhet një botë plot përvoja fantastike dhe mundësi të arta, një reale që është gati të na japë gjëra të paimagjinueshme, të cilat i njohim dhe i vlerësojmë si të rëndësishme vetëm kur të përfshihemi prej tyre dhe t’i përjetojmë ato.
Por si mund ta kuptojë se vaska jonë rehatisë personale po nxehet? Mjaftueshmëria e gjërave që përbëjnë interesimin tonë dhe janë normat e një jete cilësisht të mirë, prek shumë shpejt pamjaftueshmërinë, mosinteresimin për gjërat që janë normale. Për çfarë mund të pendohemi kur ora e jetës mbaron dhe është shumë vonë?
Parë në prizmin tjetër
Kujtohesh një ditë se je rrasur në një divan të vjetër që kudërbon era myk. Vjen në shtëpi i rraskapitur. Me paratë që ke në xhep kthen ndonjë gotë rrugës, për ta vazhduar në shtëpi duke pirë dhe tymosur deri sa të “vdisni” në gjumë. Ke një punë të lodhshme dhe ta ardhura të pakta. Të gjithë të kanë braktisur. Vetëm vetja që vuan me ty është ende aty, shembur në divan që është vendi që po të përpin çdo ditë e më shumë.
Kur të kujtohesh se ka ende mundësi për ty, ke ende shanse për ta ribërë ditën tënde, për t’i riparo marrëdhëniet me të tjerët dhe me veten, vëren se është shumë vonë. Sepse një ditë përpiqesh të ngrihesh, por pa mundur dot. Një tentativë e përsëritur është gjithashtu e kotë. Nuk mund të bësh më asgjë.
Parë në një tjetër mënyrë
Ti je një identitet social, i pakënaqur dhe i paplotësuar. Nuk ke gjërat për të cilat përpiqesh pafund dhe mjaftohesh me ato që mund të kesh. Ëndrrat tuaja kanë rezultuar të pamundura, kjo jo nga pamjaftueshmëria e përpjekjeve tuaja për t’i përmbushur, por nga pritshmëritë gjithnjë zhgënjyese. Asgjë nuk shkon në drejtimin e duhur, megjithatë përpiqesh që duke u pajtuar me rrethanat të shpresosh se e nesërmja ka gjithnjë diçka që mund të sjellë ndryshime. Ditë pas dite gjendja sa vjen dhe bëhet më e rënduar. Vendos të heqësh dot një e nga një nga gjithë aspiratat tuaja, pa kërkuar të jesh pjesë e një reagimi që udhëprinë shanset për të kërkuar dhe përftuar një drejtim të ri të jetës. Nuk ke më arsye as të përpiqesh për gjërat që të janë privuar, as të luftosh për padrejtësitë që të janë bërë. I thua vetes ky ishte fati im i keq. Është pikërisht momenti që nuk mundesh më për asgjë.
Parë edhe kështu
Në një rrethanë jo fort të qartë kë hedhur një hap të gabuar në ndërtimin e një marrëdhënie, me personin që e kuptove se cili ishte ai i vërteti, vetëm kur kishte përfunduar gjithçka. Përpjekja për ta ndryshuar mori shumë energji dhe kohë që rezultuan të ishin të humbura. Duke u zhytur gjithnjë e më thellë, jo vetëm gjendja nuk do të kishte qasje për të dhënë shenja të ndonjë përmirësimi të dukshëm, përkundrazi, u bënë gjithnjë e më të padurueshme, por t’i kishe nisur t’i kuptoje ndryshe dhe të ishe e përfshirë në atë shkallë përjetimi për tu përshtatur. Sa më shumë kohë që kalonte, dhe sa më shumë që kërkoje vetes mundësi dhe kapacitete për t’u përputhur me të papërputhshmen, aq më thellë kishe rënë. Pikërisht atëherë kur i thërret mendjes, ose arsyeja të lëviz nga vendi për të reaguar, për të mos u mjaftuar dhe mospajtuar asgjë nuk është e mundur. Sepse kishe rënë aq thellë sa çdo përpjekje, me thonj e me dhëmbë për të dalë, ishte dhe mbeti jo vetëm një pamundësi për të shpëtuar, por një dhe e vetmja për t’i dhënë fund vetes.
Çdo këndvështrim që merret në trajtesë këtë shtjellim të filozofisë së bretkosës që bie viktimë e pamundësisë për të dalë nga tenxherja me ujë që nxehet gradualisht, ndërsa përpiqet të përshtat temperaturën e trupit me atë të ujit, është në thelb të filozofisë që përcjell fabula e bretkosës, që është natyra e përshtatshmërisë me rrethanat, e energjisë që duhet të shpenzojmë për t’u përshtatur dhe jo për të dalë ose reaguar.
Albert Vataj