Dali është një ndër surrealistët më të ndrysht dhe më të gjëmimshëm të një hovi transformimesh shprehëse estetike në art. Prej të gjithëve, këtë mjeshtër e kam më për zemër, ndoshta pse nuk isha i çmendur sa guxoi ai, por ëndrrimtar isha dhe mbeta dhe se trajtëzimi krijues i një vepre imagjinatave, të një shtyse trillane ëndrrash, aq sa për ta përjetuar dhe për më tepër, për të besuar se “… kur një person shikon yjet është sikur të donte të gjente dimensionin e tij të shpërndarë në univers”.
Salvador Dalì, një nga artistët më të përfolur të shekullit të njëzetë, tregon në prodhimin e tij të gjerë një interes të madh për pjesën e pavetëdijshme të çdo individi. I frymëzuar nga teoritë revolucionare të Sigmund Frojd, piktori katalanas e përqendron vëmendjen e tij në atë që ai beson se është mjeti më i çmuar për të njohur atë botë të zhytur të panjohur për të gjithë ne: ëndrrën.
Arti i tij i atribuohet kryesisht surrealizmit, një lëvizje artistike e lindur në vitin 1924 me synimin për të rivlerësuar dhe për t’i dhënë hapësirë pjesës irracionale të njeriut që të mund të shprehë lirshëm botën e të pavetëdijshmes, të fantazisë, të ëndrrave dhe të instinktit. Mungesa e skemave të paracaktuara e dallon surrealizmin nga rrymat e tjera; në fakt artistit duhet t’i jepet liria maksimale në përdorimin e teknikave që të mund të përfaqësojë më mirë botën e tij të brendshme.
Nga kjo liri shprehëse lindin propozime shumë të ndryshme, të cilat tek Salvador Dali mund të identifikohen në të ashtuquajturën vema figurative, përfaqësimi i të cilit i objekteve reale trajtohet në mënyrë të palogjikshme, siç ndodh në ëndrrat tona të natës. Imazhet e ëndrrave shpesh duken më të vërteta se ato reale dhe janë kryesisht irracionale dhe jashtë kohe. Kur zgjohemi, është e dukshme tek ne vetëdija se kemi humbur, në atë periudhë kohe, perceptimin e hapësirës dhe se kemi ndërthurur në mënyrë të çrregullt ngjarje e situata pa ndjekur një kriter kronologjik.
Albert Vataj