Albert Vataj
Arti, në veçanti piktura ka qenë zëri më i fuqishëm që bota ka dëgjuar për sakrificën sublime të grave suljote, për atë guxim të pashembullt dhe emblematik, i tillë sa ka kapërcyer nga e vërteta në legjendë, nga kujtesa e kohës në kujën e përjetimit shprehës artistik.
Pavarësisht kontekstit trajtues dhe pështjellimit të historiografisë, që me kohën pësoi transformim, duke e zhvendosur fokusin, tjetërsuar faktet dhe mjegulluan ngjarjet, gratë suljote janë ikonike për atë çfarë memoria i nguliti në kujtesë.
Pa dallim përkatësishë dhe synimesh, ngjarjet e atyre kohëve u pamundësuan shpesh të ishin e vërteta.
Dikush interesohej të nxirrte nga e realja e faktuar e zhvillimeve, heronj të rremë. Ngjitja e pashallarëve në monumente dhe justifikimi i çdo poshtërsie dhe perversiteti si leje për krenari, as nuk na ngopi me vetkënaqësi, por edhe na la të uritur për dinjitet të së vërtetes.
Por arti guxon më shumë se çdo nacionalizëm dhe e vërteta është më kokëfortë se çdo kapardisje në bronx apo lartësim të hyjt të një mbrujtjeje prej terri.
***
Le të dëgjojmë ata që shkruan historinë me shpirt dhe penel, t’u japim të drejtë atyre që besuan te sublimja e grave dhe nënave suljote, si tek një e vërtetë e trishtë që flet zëshëm.
“Heroizmi i Despos” është një vepër pak e njohur Cesare Felix Georges dell’ Acqua, pikturë e cila përjetëson vdekjen heroike e grave suliote në Rrënjasë, (1863, viti kur artisti realizoi veprën)
Në këtë tablo, tregohet si fokus kryesor, Dhespo Boçi, gruan që vinte nga fisi suliot Shehu/Sheho ose ndoshta Sejko, dhe ishte i martuar me suliotin, Jorgaq Boçin.
Në dhjetor 1803, ushtarët e Ali Pashës duke ndjekur suliotët e arratisur sulmuan fshatin Rrënjasë, midis Pargës dhe Prevezës,
Dhespo Shehu, e veja e Boçit, e cila me vajzat dhe nipërit e saj u mbrojtën në një kullë të quajtur “Kulla e Dhimulës”, që u bë varri dhe monumenti i sakrifikimit të tyre.
Fati i tyre tragjik, megjithatë, ishte i pashmangshëm. Ajo thirri familjen rreth saj dhe u propozoi atyre alternativën e nënshtrimit ndaj armikut ose vdekjes nga duart e tyre. Ata zgjodhën njëzëri këtë të fundit dhe Dhespo, duke i radhitur të gjithë përreth një arke baruti, vendosi shkrepsën me dorën e saj dhe përfundoi gjithçka.
Një këngë shqiptare e zonës (me shumë mundësi një këngë origjinale e Suliot) përshkruan ngjarjet.
Edhe muret u bënë hi, po Dhespua përherë në këmbë,
Nuseve ç’u thërret, me zë e me gjëmë.
“Skllave të turkut bija, a mund të bëhemi ne?
Pas meje, mori nuse, vendin e kemi atje!”
Akti i vetëvrasjes si e vetmja zgjidhje për të mos rënë në duart e ushtarëve të Ali Pashait evokohet edhe në piktura, këngë dhe shtjellime të ndryshme të kohës, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër ndoqën me interes zhvillimet, por në veçanti aktin sublim të grave suljote.
I këtij konteksti ishte edhe e ashtuquajtura “Vaji i Zallogut” që lidhet me ngjarjen e historisë suliote dhe bëhet fjalë për vrasjen masive të grave nga Suli dhe fëmijëve të tyre, gjatë përpjekjeve të pamundura suliote në vitin 1803, në afërsi të fshatit Zallong, në Epir.
Emri lidhet edhe me një valle të kënduar qe ka lidhje me këtë ngjarje. Egziston një këngë e tillë e një valleje të kënduar shqiptare dhe quhet Vallja e Zallongut (njohur edhe si “Vaji i Zallogut”)
Vallja e Zallongut
Lamtumirë, o Sul, i shkretë,
se po ndahemi per jetë.
Lamtumirë, o Sul i shkretë,
se na do t’ikim për jetë.
Ne po vdesim për liri,
se nuk duam skllavëri.
Lamtumirë, ju male e fusha,
na e punoi Pilo Gusha,
I pabesi faqezi,
s’pati turp, as perëndi.
Lamtumirë, o fusha e male,
ne vdesim pa frikë fare.
Jemi bila shqipëtare,
vdesim duke hedhur valle.
Lamtumirë, o Sul i shkretë,
lamtumir’ për gjithë jetë.
Gjatë luftrave Suliote në dhjetor të vitit 1803, Suliotët filluan evakuimin e rajonit Sul pas disfatës së tyre nga ushtarët e Ali Pasha Tepelenës, shkruan historiografia. Gjatë evakuimit, një grup i vogël të grave Suliote dhe fëmijëve së tyre u bllokuan nga trupat e Aliut në malet e Zallongut në Epir. Për të shmangur kapjen dhe gjithçka tjetër mizore që mercenarët dhe ushtarët e Aliut i kishin të zejes së tyre, gratë hodhën fëmijët e tyre dhe pastaj veten e tyre nga një shkëmb të madhe, kryerjen e vetëvrasjes. Sipas legjendës, ata u hodh poshtë greminës njëri pas tjetrit duke kënduar dhe vallëzuar. Incidenti shpejt u bë i njohur në të gjithë Evropën. Në Sallonin e Parisit të vitit 1827, artisti francez Ary Scheffer ekspozuar dy piktura romantike, një prej të cilave u quajt Les Femme Souliotes (“Gratë Suliote”). Sot, një monument në faqen e malit Zallong përkujton sakrificën.
Disa të vërteta, është shumë e vërtetë që arti i idealizon, por pa mundur të tjetërsojë historinë apo ta zhvendosi fokusin e zhvillimit të ngjarjeve. Sepse krijuesit ose mbështeten mbi dëshmi dhe raportime të kohës, ose i nxjerrin nga këngët që këndohen dhe vargjet që janë skalitur në kujtesën e brezave. Dhe, heroizmi i grave suljote, sakrifica e tyre sublime është sinjifikim i atij ballafaqimi të shkruar me tragjizëm dhe lexuar me vetëdijësim.