Nga Albert Vataj
Teatri dhe kinemaja, poezia dhe akademia, nuk janë vetëm caqet ku Timo Flloko shpërfaq matshmërinë e përmasave, ku ai e ngërtheu shpirtjen e tij të denjë për blatime sublimiteti, por ato janë edhe kolonat ku kjo përkatësia artmëtuese ka ngritur panteonin e vlerave të njëmendta.
Ai është një identitet unik i artit tonë skenik, i atyre vlerave dhe asaj tradite që përmes një aradhe të gjatë dishepujsh, e shndërruan skenën në altar, në më të lartën kreshtë të vetëdijes artistike, asaj magjie që na argëtoi dhe u rrek të na emanciponte. Do të ishte e pamundur të mos e gjesh atë, Timo Fllokon gjithnjë në apogje, atje lart, lart ku ai e ngjiti dhe e ngjizi, jo famën se sa të mundshmen e caqeve ku talenti dhe përkushtimi i qasen ballafaqimit, komunikimit me adhuruesit, ata që u dashuruan me shumësinë e identiteteve ku ai mishëroi përjetimin.
Timo Flloko është një nga personalitetet më të vlerësuar të kinematografisë shqiptare dhe skenës teatrore, por edhe asaj akademike, për të mos lënë mënjanë poezinë, magmën e shpërthimeve të thella shpirtërore. Rolet e shumta në kinematografi dhe teatër, i kanë dhënë një vend të rëndësishëm në artin dhe kulturën shqiptare, duke e plazmuar atë si figurë që sinjifikon vlerën si njësi përfaqësimi.
Teatri dhe kinemaja, më shumë se dhanë, morën prej tij fuqinë për ti transformuar emocionet në energji, në kimi, në krijimin e asaj fushe magnetike që i bashkëlidh qasjet tona për joshje skenike dhe përjetim të botëve njerëzore, të ardhura prej origjinaliteti veprues dhe natyrshmërisë depërtuese nën çdo lëkurë dhe thellë çdo epje. Flloko hyri te prania dhe përjetimi ynë për t’u bërë vërshim në vena dhe e bëri këtë me atyshmërinë e një afrie përmes lojës dhe së shpirtshmes, që ai i mëkoi rimishërimeve skenike.
Ndoshta ishte ai, si pakkush në artin tonë skenik që drithëroi çaste që ju blatuan atyre ngulmimeve që ai i mbushi me zë dhe frymë, me timbër dhe nerv, puls dhe prekje.
Koha kur ai u ngjit në skenë ishte ai moment kur shpirtrat tanë fluturuan me krahë për të pushtuar qiellin e asaj lirie, ku ai la si sakrificë një shpirt të madh, një zemër të gjëmimshme që kumbon ende.
Timo Flloko është prej atyre aktorëve që i dha jo vetëm brezit tonë, por edhe gjeneratave që do të vijnë modelin e një figure emblem të artit skenik, duke sendërgjuar këtë gjithëprani krejtkund atij ju desh të ishte aty, për të thënë, për të bërë, për të dëshmuar se deri ku mund ta lartësojë shpirti talentin dhe në çfarë solemniteti ta purifikojë botën në përballje dhe përjetim.
Ndoshta i privilegjuar me karakteristikat e një stature imponuese, një force ndikuese të personalitetit, ai mishëroi, personazhe dhe karaktere, tipa dhe identitete, të cilëve u mëkoi atë lëndë që rolet i shndërroi në etapa të shkallares që e ngjitën atë në apogje.
Galeria e tij është e pasur, ndoshta jo dhe aq sa e “shenjtorëve” të artit të madh shqiptar, por madhështinë Timo Flloko si në teatër ashtu edhe në kinema, për të mbetur e tillë edhe në poezi, ku ai hyri vërshimshëm.
Vitet që numëron sot, nuk është një kohë që ai e përfill, është matshmëri e ambicies për të qenë dhe për të dhënë ende.
Timo Flloko u lind më 26 prill 1948 në Pejë, Kosovë. Përfundon studimet e larta për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1970. Më pas u emërua pedagog i mjeshtërisë së aktorit në degën e dramës deri në vitin 1996, kur emigroi për një kohë në SHBA. U rikthye në Shqipëri në vitin 2002.
Për ta përshkuar me një fill inkandeshent gjithë rrugëtimin e deritashëm të Timo Fllokos më është dashur të huajt radhët në vijim, të cilat e kanë shtjelluar me korrektësi dhe dinamizëm një gamë të gjerë kumtimi. “Karriera e tij nisi me filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”, 1967, në rolin e Fatosit, ku u dallua për sensin realist, thjeshtësinë dhe dhuntitë psikofizike me prirje drejt tipit të heroit. Në vitin 1971 luajti rolin e Çimit në dramën “Një shok i klasës sonë” (1972) e Kujtim Spahivoglit, ku ra në sy prirja për një lojë që orientohej kah zhbirilimi psikik, tonet e buta, një sjellje sa më e natyrshme, pa zhurma, jo rrallë me përdorimin efikas të heshtjes emocionale. Orfeu në dramën “Orfeu zbret në ferr” (1972) e Tenesi Uilliamsit ishte një vështrim poetiko-psikologjik, ku alegoria dhe simbolet e ardhura nga teksti, si dhe koncepti regjisorial i Mihal Luarasit u shprehën nga një interpretim i ngrohtë dhe inteligjent. Në vitin 2002 mishëroi figurën poetiko-filozofike të Prometeut në dramën “Stinë e mërzitshme në Olimp”, të Ismail Kadaresë.
Përmes një loje të bukur, të hijshme e me theksa dramatike, ai dha vuajtjen e heroit mitik të qëndresës e të rebelimit ndaj pushtetit abuziv, sikundër edhe vuajtjen nga harresa, snobizmi, mosmirënjohja dhe keqadministrimi i ligjeve hyjnore, i dijes dhe i energjisë prej lakmisë dhe mendjengushtësisë së njerëzve. Me rolin e B-së në diadramën “Për një fjalë goje” të Natali Sarrot (2006), rishtazi konfirmoi talentin e tij, kësaj here me pranë lojës psikologjike, me denduri nëntekstesh, dyzimesh e planesh të dyta, duke përcjellë te publiku një shpirt të brishtë njerëzor, të ngërthyer nga keqkuptimet, mungesa e komunikimit, komplekset. Edi Karbone në dramën e Artur Milerit “Pamje nga ura”, 2007, shënon një pike kulmore të aktrimit te tij.
Ai thuajse e ndryshoi formatin e vet aktorial të parapëlqyer, duke ngulmuar më fort në një lojë pasionale, me përvuajtje të thuketa, klithma, vrullime dhe energji të ndrydhura psikike, që çlirohen në formë shpërthimesh të befta, për të bërë më të rrokshme kësisoj shpeshtjellimin e personazhit, skrupujt e tij morale, fatalitetin, zgripin ekzistencial të qenies prej dokeri dhe emigranti, si dhe mungesën e vetëpërmbajtjes. Timo Flloko u bë i njohur dhe i dashur për spektatorin veçanërisht në kinematografi, ku u dallua për thjeshtësinë, sinqeritetin dhe natyrshmërinë e interpretimit, për hirin e tij, për pamjen dhe sjelljen prej heroi e njeriu të virtytshëm, që vendoset në situata dramatike dhe i kapërcen pa “bujë” ato.
Spikati me rolin e Meços në filmin “Kur zbardhi një ditë”, 1972, me të cilin paraqiti bariun patriot, trim e zemërbardhë, vetjakësia e të cilit shpërfaqej nga aktori sajë nuancimeve, poetike e dramatike, si dhe një veprimi fizik energjjk një karakter njerëzor që të joshte, i thjeshtë e pa zhurmë që veteflijohet me bindje për jetën e shokut të plagosur duke realizuar artistikisht një vdekje sa tragjike po aq mallëngjyese e të madhërishme. Në po këtë prerje, veçse me kompleks si karakter dhe me një botë shpirtërore të trazuar e të përnxitur nga hakëmarrja, luajti rolin e Mato Grudës në filmin “Njeriu me top”,1977. Vështrimi i tij përcjell delirësi, ashtu sikundër humbullon nga flukset psikike dhe pështjellimet e brendshme. Përgjithësisht, T. Flloko ka krijuar një portret të endshëm aktorial, prej njeriu fisnik nga buron besim, dashuri, mirësi e simpati.
I tillë qe edhe në rolin e mesuesit në filmin “Lulekuqe mbi mure”, 1976, me të cilin u nderua me Medaljon. Tonet psikologjike e dramatike që përshkojnë interpretimin e tij, posaçërisht recitimi i vargjeve të poezisë Maratonomaku të F. S. Nolit, krijonin në film një tension të fortë psikik. T. Flloko është i vërtetë në përjetimin e figurës, në sjellje, në gjeste, në veprime e në interpretimin e fjalës.
Karakteret e tij në kinematografi janë të ndryshme: luftëtarë të lirisë dhe tipat e lidhur fort me luftën çlirimtare, jetën dhe njerëzit, si: Kanani te “Shtigje të luftës”, 1975; komandanti te “Malet me blerim mbuluar”, 1970, tek i cili bie në sy zhdërvjelltësia fizike e veprimit dhe ndjenja e drejtpërdrejtë; Visari te “Militanti”, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984, tek i cili frymon madhështia në thjeshtësi, tragjikja te poetikja dhe e jashtëzakonshmja tek e zakonshmja etj.
Por ai ka luajtur me ndjeshmëri dhe sens të fortë realist, gjithashtu, edhe figura që shëmbëllehen prej kategorisë së njerëzve të rëndomtë, si Çeçemi te “Nata e parë e lirisë”, nderuar me Kupën e Festivalit, 1984; ose drejtues të lartë të pushtetit, si kryetari te filmi “Rrethimi i vogël”, nderuar me kupën e Festivalit VII, 1986, ku humania, e përkora dhe e besueshmja fitojnë përparësi dhe shndërrohen në premisë të vërtetësisë së lojës së tij. Gjithashtu, ai ka interpretuar personazhe të njohur historike, si Çerçiz Topulli te filmi “Liri a vdekje”, 1979, ku vepron po e njëjta metodologji aktrimi, ajo e harmonisë midis sublimes dhe të përkores.
Tipologjia e krijimeve të tij pasurohet më tutje me personazhe epike e tragjike, të fortë e qëndrestare, që vijnë nga historia dhe baladat, si Gurgejm Dreni te filmi “Balada e Kurbinit”, 1990, nderuar me çmim, falë të cilit ai i dha sharmë aktorial arketipit mitologjik shqiptar si sintezë poetike etnopsikologjike, sikundër edhe një trajtë të hijshme nga pikëpamja e imazhit filmik peripecive tragjike, ripërtëritjes dhe sfidës së mbijetesës.
Në vitin 1991, fill pas ndryshimeve politike rrënjësore në Shqipëri, luajti me një ndjesi të dukshme dramatike, me vertetësi dhe emocion rolin e Agronit në filmin “Vdekja e kalit” – një ushtarak i pafajshëm, i ndëshkuar padrejtësisht nga diktatura, porse pa ndjenjën e hakmarrjes e të revanshit; filmi u nderua me Kupën e Festivalit X, si dhe me Çmimin e Parë të Euro-Festivalit të Saint Etienit, 1997, në Francë përkushtuar në Akademinë e Arteve, me kontribut të shtrirë përgjatë shumë viteve. Mban titullin Artist i merituar.”
Ndoshta në një përpjeke për t’i thënë të gjitha për gjithë këtë rrugëtim që Timo Flloka ka bërë, u përpoqa të mos mënjani faktet as shpirtjet që më thërrasin në këtë përçapje për të dëshmuar çfarë ai është, çfarë ai solli me përkushtim dhe pasion, devocion dhe urdhëresë talenti.