Arti, kryesisht skulptura ka një qasje të ngulmët komunikimi përmes një ligjërimi më dehës se piktura apo muzika, natyrisht kjo në varësi të asaj që na ngas në një gjithprani të së bukurë si shkas përjetimi emocionues.
Kur sodisim një skulpturë, ajo që na godet më fuqishëm se si e tërë në përmasa, është detaji. Ndoshta është kontakti i asaj marrëdhënie, ku dominon aftësia për t’u përfshirë frymshëm me një gur, prej të cilit mjeshtri ka arritur të jetësojë një magjepsje që na rrëmben.
Ndërsa e sodisim me minuta të tëra një detaj, pyesim veten se si ka arritur një njeri me daltë e çekiç të realizojë deri në përsosmëri një diçka të tillë.
Se si artisti ka bërë të mundur që ta ndjesh në mermer pulsin e një frymori që ka dalë nga shkëmbi si nga uji.
Se si ai e ka endur cohën e hollë kaq tejdukshëm si një vello e një sublimeje vepruese.
Se si çdo gjë formale vjen kaq reale, sikur ribërja e atyshmërisë është kaq e thjeshtë sa dhe sublime.
Dhe të mendosh shpesh këto elemente, nga një vështrim jo qëmtues, nuk vërehen. Kjo ndoshta edhe pse atë e përpin e tëra, madhështia dhe forca shprehëse e veprës që shpërfaqet.
Por detaji është ai që bën ndryshimin, ai që nxjerr në pah kujdesin dhe sqimën, me të cilin artisti ka përmbushur arritjen e tij krijuese.
Janë këto komponentë që krijojnë harmoninë, ato ku treguesit estetik fshehin sekretin dhe arti tregon se si vepron tek ne, si një gjëndje, si një emocion që lidhet përmes këtyre fijeve të padukshme komunikimi, por që janë thelbësor.
Skulptura italiane, ku janë marrë copëzat e punëve të kryemjeshtrave të daltës, është më përfaqësuesja e artit botëror. Si e tillë ajo ka shërbyer si shkollë për shumë gjenerata artistësh, siç ka vënë edhe caqe se deri ku mund të arrijë shpirti krijues, deri në çfarë dimensioni e shtyt ambicia të bukurën, të përjetshmen.
Por jo me pak ka qenë edhe për artdashësit, të cilët i rrethojnë këto kërshëri hutuese me kureshtje dhe adhurim, duke mos u ngopur asnjëherë me atë që ka mbetur e tillë prej disa qindvjetësh.
Albert Vataj