Nga Albert Vataj
Figura dhe vepra e Jup Kastratit, janë një faqe në historinë e mendimit shqiptar, atyre përpjekjeve dhe atij angazhimi të vendosur dhe përfaqësues që udhëpriu shpërfaqjen, përfaqësimin, promovimin dhe mbrojtjen e themeleve të kulturës dhe traditës shqiptare. Sepse vetëm përmes punës, përkushtimit dhe ofrimit me mish e me shpirt të gjithçkaje që ai ju dha me një devocion prej dishepulli, ne njohim të vërtetën e asaj që u desh që tempulli i madh i gjuhës dhe albanologjisë, i letërsisë dhe folklorit, të ngrihet kaq i lartë dhe të jetë aq sinjifikues në rrafshin e përkatësisë sonë identitare.
Prof. dr. Jup Kastrati ka lënë një trashëgimi të çmuar në fushën e albanologjisë dhe është një personalitet i shquar i arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare.
Sot mbushen plot 100 nga ardhja në jetë e prof. dr. Jup Kastrati, këtij shkodrani të ditur e këtij shqiptari të përmasave botërore. Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë dhe nderojmë një figurë të shquar të albanologjisë, profesorin dhe dijetarin e shquar, prof. dr. Jup Kastrati. Ai ka lënë një gjurmë të thellë në fushën e studimit të gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.
Prof. dr. Jup Kastrati u lind më 15 prill 1924 në Shkodër, në një familje shkodrane. Kreu shkollën fillore pesëklasëshe (1930 – 1935), gjimnaz klasik (1936 – 1940) dhe licé real (1941 – 1944) në qytetin e lindjes së tij. Më 1942 studioi pak kohë në Liceun Shkencor “Galileo Ferraris” në Torino. Gjatë pushtimit Italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në “Campo Concetramento”, në kodrat e Tepes në Shkodër, pastaj është mbajtur peng në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit, gjatë muajve korrik-shtator 1943. Pas Çlirimit ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Tema e tij e diplomës mbrojtur 1958 titullohet: “Kontribute për studimin e Ndre Mjedës”. Mbrojti gradën Doktor i Shkencave Filologjike më 1982 me dizertacionin “Historia e gramatologjisë shqiptare” (1935- 1944) me 1500 faqe daktilografike. Më 1987 i është akorduar titulli Profesor (Professor Emeritus), në Këshillin shkencor të Universitetit të Tiranës. Ka shërbyer në arsim 47 vjet, (1946-1993) nga të cilat 37 vjet në arsimin e lartë. Prof. Jup Kastrati është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (2 shtator 1957), ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës. Është nderuar me medalje e urdhëra të ndryshëm ndër të cilët përmendim “Mësues i Popullit” (1987), si dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”(15 prill 1999), si dhe “Qytetar Nderi i Shkodrës” (2002). Është përfshirë në “Mendjet e ndritura të shekullit XXI” nga Instituti Amerikan i Biografisë. Ka qenë shef i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës më 1973-1990. Jup Kastrati ka mbajtur ligjërata shkencore në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë.
Interesi i tij për jetën studimore është i hershëm prej moshës 17-vjeçare, ku del në shtyp me përkthimin A. J. Kronin, Zambakët I, Vatra shqiptare”, nr. 25 – 26, f. 32 – 33, Tiranë, nëntor-dhjetor 1941, (përkthyer nga italishtja). Ky interes i tij i hershëm sendërtohet me një seri studimesh dhe botimesh shkencore të kryera në disa fusha: histori e gjuhësisë shqiptare dhe e albanologjisë, histori e letërsisë shqiptare (në veçanti e letërsisë arbëreshe), dialektologji, folklori shqiptar e arbëresh (veçanërisht të Jeronim de Radës), histori e shkollës shqipe dhe e mendimit pedagogjik, bibliografik. Është autor i 38 librave me karakter shkencor.
Kontributi i qenësishëm studimor i tij mbi arbëreshët, numëron disa vepra ndër të cilat përmendim: “Studime për De Radën” Monografi, Nju Jork, 1999; “Jeronim de Rada (Jeta dhe veprat)” Monografi, Tiranë, 1979; “Autobiografia e De Radës” ( 1999); “J. De Rada, Këngë të Milosaut”, (1956); Jeronim de Rada “Jeta dhe veprat” (1962); “Figura të ndritura të Rilindjes Kombëtare” (1962, 2003); “J. De Rada, Skanderbeku i pafanë”, (1987); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” Bibliografi (1454 – 1835). Vëllimi I. Tiranë, 1997 (Bashkautor); Veprat historiko – filologjike dhe publicistike të Jeronim de Radës”, në tre versione: italisht, në të folmen e arbëreshëve (transkriptim) dhe në përshtatjen e gjuhës së sotme shqipe, botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), 2020.
Ai do të mbetet në kujtesën e brezave si një shkrimtar, filolog, historian, dhe pedagog. Kontributi i tij në fushën e albanologjisë është i çmuar dhe i pashmangshëm. Disa prej veprave të tij më të njohura përfshijnë:
“Gjuha shqipe dhe letërsia”: Një vepër e rëndësishme që trajton historinë e gjuhës shqipe dhe letërsisë.
“Historia e letërsisë shqipe”: Një analizë e thellë e zhvillimit të letërsisë shqipe nga periudha e lashtë deri në ditët moderne.
“Fjalor i gjuhës shqipe”: Kontributi i tij në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë është i çmuar.
Prof. dr. Jup Kastrati ishte një mbrojtës i gjuhës shqipe dhe një pionier i studimit të folklorit. Ai ka lënë një trashëgimi të pasur për brezat e ardhshëm të studiuesve dhe intelektualëve shqiptarë. Në këtë ditë të veçantë, le të nderojmë kujtesën e tij dhe të vazhdojmë të frymëzohemi nga vepra dhe kontributi i tij në fushën e albanologjisë.
U shua më 22 shtator 2003, duke lënë një areal të pasur punësh kërkimore shkencore për gjuhën dhe albanologjinë, dhe një kontribut të çmuar në fushën e historisë, sikurse vlerëson të nënvizohet roli i tij i pazevendësiueshëm si mëkues i gjuhës. Jup Kastrati ishte një mjeshtër i gjuhës shqipe dhe një pionier i studimit të folklorit. Ai kryente detyrën e shefit të Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës nga viti 1973 deri në vitin 1990. Gjithashtu, ai ishte ordinar i historisë së albanologjisë. Për 50 vjet pa ndërprerje, ai ishte bashkëpunëtor shkencor i Rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës në Shkodër (1947 – 1957). Emri dhe vepra e Jup Kastratit janë dhe do të mbeten në themelet e promovimit të kulturës dhe përpjekjeve për ta futur në baza shkencore çdo element të gjuhës.