“Takim ëmbëlak” është diçitura, me të cilën e ka postuar këtë foto Mogens Nygaard, në David Attenborough Fans. Patjetër që kjo është një “Foto sa njëmijë fjalë”, megjithatë, seç ke një dëshirim të thuash disa prej atij njëmijëfjalëshi, apo të vështrosh thellë përmes atij sublimiteti sysh.
Çdonjëri nga ju ka diçka për të thënë, secili rreket të përfshihet në këtë lexim të kësaj fotografie, nga një ndjesi thellësisht personale. Dhe është pikërisht ky intimitet, që duke ka na urdhëruar të themi, thjeshtë është një ngacmim që na bën kjo foto, që mund të mos ketë lidhje drejtpërdrejtë më çfarë na ysht, por përfshirja është ajo që na thërret si në një rrëfim.
Shpesh më ndodh, siç i edhe juve patjetër, që; një fjalë, një frazë, një tingull, një melodi, një zhurmë, një fëshfërimë gjethesh, një fshikullim ere, një vështrim tinëzar, një prekje e beftë, e pse jo një meditim… na zgjon, duke na hedhur në krahët e një përjetimi, që mund të ishte shuar brenda nesh pa mundur të na ndezi në dritën e shkëlqimtë të lumturimit.
Edhe kjo foto më ngacmoi, më kredhim në mendime dhe më ngasin këtë shtjellim të falshëm, si ngulm për t’u shpërfaqur në dritshmërinë e sipërfaqshme, atë që perceptohet përjetueshëm.
Shpesh, kemi më shumë se për asgjë, nevojë për të biseduar me dikë, me të cilin mund të mos merremi vesh sa dhe si duhet, por e sigurt, arrijmë të kuptohemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Sepse të dy vijmë në këtë kontakt nga e njëjta nevojë, për të gjetur mirësinë e një dëshirimi për të na dëgjuar. Dikush mund të mendojë se ne thjeshtë shihemi, nuk flasim, shihemi gjatë si vajza në këtë foto me zogun, dhe themi në këtë vështrim gjëra që nuk do të mund t’i themi kurrë askujt, më sublimisht se përmes këtij teatraliteti heshtjeje dhe ngërthimi sysh. Siç na ndodh të flasim, të themi disa gjëra, që duke i’a thënë dikujt që thjesht ka mirësinë të na dëgjojë, ne po ngremë një urë komunikimi me veten, po rrekemi zëshëm të përmendemi pas një kllapie dhe hutimi, në të cilën nga zhyt përditshmëria rutinore si në një lëndë asfiksuese.
Ndodh, po, që një foto të të thërrasë një ligjërim shprehës, me kast për të ftuar në këtë ceremonial edhe të tjerë që pa e kuptuar, shuajnë çdo ditë shkëndija nga dielli i shpirtit të tyre, duke u zhytur përherë më thellë në magmën e zakonshmërisë dhe asgjësë asgjësuese që na përpin.
Albert Vataj