Nga Albert Vataj
Si prej ëndrre dole, larë në dritë e stolisur në shkëndia, ti Antigonë e andjeve të mia. Veç prej ëndrre behe, ngase asnjë përfytyrim real s’do mund ta ngjizte me kaq ëndje ëndërrtaren e shpirtjes tënde, ti Venus dhe unë Amur.
U hap tisi e u shfaqe ti e gjitha prej ëndrre, si një Andromedë mitike. Dalldi ti e një i hiri të ndezur në etje epshesh kremteve të Dionisit.
Hyj si yti është ëndërrtar dhe çdo prag e parvaz, prekje a prehje eshk, te ty si te çdo Afërditë që dritë në çdo rreze mu shndrit.
Medeas tragjike dhe ëndrrës ju fala, lutje e përulje, blatime pse jo, epje harrimtare, dëshirim dhe dhimbje, puthje mbi plagë.
Në ëndrra takohemi, ëndërrojmë të duam të duhemi, ashtu siç vetëm nëpër ëndrra mundemi dhe s’druhemi, Helenë trojash tragjike.
Pafund më frikson realiteti, aq sa druhem se mi fik edhe ëndrrat që na lejojnë të rrimë pranë, aq pranë sa të dorëzohen ndarjet krejt, pengimet, e ne të ndihemi ëndërrueshëm të kapluar Muzave mitologjike.
Ëndërrimeve jemi pranë, prej dëshirimesh dhe ëndrrash, por unë të dua dhe s’ka reale që shuan ëndrrën që të kthen në krahët e mi dhe aty të dy ëndërrojmë e dëshirojmë të pamundurën unë Odise e ti Siren e zërit magjepsës dhe hireve dalldisëse.
Gjithçka reale në ne është mbarsje ëndërrtare prej më të bukurave ëndrra; tekaty ku ne shihemi e përpihemi, prekemi drithërueshëm e rrokemi frymshëm, duhemi e s’druhemi se duam, puthemi pa reshtur e eshkur, perfshihemi trup e shpirt përplot ëndje krejt si në ëndërr dhe në legjendë, dritshëm mëkuar prej Sibilave.
Jeta ime, shpirti im, ti që më mësove të ëndërroj edhe në ëndërr, realja e gjërave që gjejmë në imagjinim, krejt sa jeni më shpërblyet me ëndërr dhe kjo mjafton te çdo delirim Narcizi.
Ante jam mbushur me ty, me rrënjë pleksut në tokë e degët harlisut në përqafimin tënd dhe qiell. I frymshëm është Zeus, ky mit e mëkim mrekullimi, në ëndrrën e njëjtë që pamë unë dhe ti dhe gji mëkuam prej t’hirshmeve Zana e u muruam në mure urash dhe kalash.
Ëndërrojmë se ende ndihemi ëndje ëndërrtare që jeton magjishëm në ne, në gjithçka duam dhe jemi si në ëndërr ëndrrimtarë.