Gjatë këtij viti të shënjuar nga luftërat, jemi gjendur në rrjetën e një agonie individuale e kolektive, e cila na bëri të ecim në gjurmët e Kalvarit. Por, kurrë më shumë se tani, vdekja nuk duhet parë vetëm në aspektin e saj më të trishtueshëm e më të pashmangshmëm. Kryqi nuk është fjala e fundit e Zbulesës së Hyjit. Ashtu si Jezu Krishti, që Ngjallet, duke u çliruar nga prangat e varrit, Pashkët i tregojnë njerëzimit rrugën për të dalë nga e keqja nëse mësojmë nga ato pesë lotë të përjetshëm..
Jemi në Javën e Madhe të Pashkëve e përshkojmë Udhën e Jezu Krishtit nga brohoritja e njerëzve të Jeruzalemit, që e pritën me hare e shend të Dielën e Larit, deri në britmën “Kryqëzojeni”, vetëm pas pak ditësh. Nga kjo brohoritje deri në kalvar, udha e Krishtit është e lagur me lotë hyjnorë e njerëzorë, që na kujtojnë natyrën më intime të marrëdhënieve tona të trazuara me Hyjin. Qan Jezusi në kopshtin e Gjetsemanit, qan Maria në këmbët e kryqit, qajnë gratë e Jeruzalemit, që nuk e braktisin Mësuesin, ndërsa dishepujt e tij e lëshojnë veten nga frika, për t’u penduar hidhur më pas. Madje, edhe Juda Iskarioti përpiqet ta shuajë më kot me lot llahtarën e tradhtisë së vet. Veronika gjunjëzohet për t’i fshirë lotët e gjakut Birit të Zotit të poshtëruar e plot varrë, gjatë ngjitjes në kodrën fatale. Qan edhe njëri nga dy hajdutët e gozhduar si Jezusi në kryq; qajnë ushtarët, të cilëve u duhet të ndryshojnë mendje për hyjninë e tij: “Me të vërtetë ky është Biri i Zotit”.
E gjithë vuajtja e botës përmbyllet në një skenë, që ta këput shpirtin, ku nuk mungojnë as lotët e apostullit, që Jezusi e donte veçan (Shën Gjoni) dhe, as ato të dishepujve të tjerë, që panë të habitur dhe të tmerruar përmbushjen e gjithçkaje pati parathënë Mesia. Në skenën më prekëse të filmit “Mundimet e Krishtit”, regjisori amerikan Mel Gibson paraqet lotin e Zotit të Gjithëpushtetshëm, që bie nga lart mbi Birin e tij të vetëm, që aq shumë e donte, ndërsa ai jepte frymën e fundit.
Këto lotë janë të përjetshme, sepse vazhdojnë të rigojnë në fytyrat e burrave dhe grave të çdo epoke. E dimë mirë të gjithë, që gjatë këtij viti jemi gjendur në rrjetën e një agonie individuale dhe kolektive, e cila na bëri të ecim në gjurmët e Kalvarit, madje, në çastet e tij më tronditëse e në dukje të pashmangshme. Por, kurrë më shumë se tani, vdekja nuk duhet parë vetëm në aspektin e saj më të trishtueshëm e më të pashmangshmëm. Kryqi nuk është fjala e fundit e Zbulesës së Hyjit. Ashtu si Jezu Krishti, që ringjallet, duke u çliruar nga prangat e varrit, Pashkët i tregojnë njerëzimit rrugën për të dalë nga pandemia, me kusht që të mësojë nga ato pesë lotë të përjetshëm, të cilët na kthejnë në gjithçka ndodhi mbi dy mijë vjet më parë.
Loti i parë – tradhtia
Jezusi provon ashpërsinë e jetës, duke u përplasur me tradhtinë, pikërisht aty ku besimi tek tjetri duhej të ishte më i madh. Është përvojë e përditshme në institucionet fetare dhe civile, ku fatkeqësisht, goditja e vëllait pas shpine ushqen ambicie shkatërrimtare, të cilat e shndërrojnë “vëllazërimin në vëllavrasje”, që nga Kaini dhe Abeli tek vreri me të cilin hidhet baltë mbi ata, që mendojmë se i kemi kundërshtarë, me synimin për t’i dobësuar. Kush është Juda? Është secili prej nesh kur e vë veten në plan të parë, kundër të tjerëve e, kur pretendimi se kemi të drejtë vetëm ne na verbon deri në atë pikë sa ta armatosim dorën kundër të pafajshmit, të ligështit, atij që, në dukje, ngjan i padobishëm. Të tradhtosh vetveten do të thotë ta kryqëzosh sërish Jezu Krishtin, i cili na tregoi rrugën për të ndarë jetën e vuajtjet e përditshme me të tjerët.
Loti i dytë – padrejtësia
Mesisë së dërguar nga Hyji Atë nuk i kursehet as përballja me padrejtësinë. Me akuza të rreme, gjykohet, dënohet dhe i nënshtrohet turpit të dënimit kapital më famëkeq: kryqëzimit, që u rezervohej kriminelëve më të këqij. Shembulli, që na jep Jezusi, është mësim për përvujtërinë dhe duresën, pa mohuar asgjë nga gjithçka realizoi, me vetëdije të plotë për ç’po bënte. Në çdo epokë, të pafajshmit theren padrejtësisht në emër të ligjit të njeriut. Biri i Zotit nuk i shpëton një vendimi, që është mohimi i çdo drejtësie e ai e di mirë këtë. E pse s’bëzan? Për të dëshmuar deri në martirizim vlerën e thellë të urdhërimit të dashurisë, i cili të shtyn ta japësh jetën pikërisht për ata, që duan të ta marrin.
Loti i tretë – dhuna
Njerëzimi shpreh poshtërsisht dhunën kundër një njeriu zemërbutë e të përvuajtur, shtypur nën peshën e Kryqit, përgjatë një rruge të përpjetë, edhe më e përzishme, për shkak të zemërimit burracak dhe të agresionit mizor të turmës, që e përqesh Krishtin. Për të qenë i dhunshëm, nuk ka nevojë as ta prekësh me dorë vëllain tënd, mjafton të kthesh kokën nga ana tjetër, ose të nxitësh djallëzisht, prapa shpine, tërbimin e egër të turmës. Edhe një episod i kohës sonë e tregon këtë: rojes së burgut, i cili nuk e linte të kremtonte meshën në kampin e përqendrimit, kardinali martir vietnamez François Văn Thuận i kundërvihej me shenjtërinë e një gjesti të vetëm. Në burg, e kremtonte Eukaristinë me një thërrime buke në pëllëmbën e njërës dorë dhe një pikë vese në dorën tjetër. E këtu, s’mund të mos përmendim sa e sa shembuj të ngjashëm, duke kujtuar martirët shqiptarë të fesë, në kohën e diktaturës. Sot, në pavijonet Covid në Bergamo, mjekët dhe infermierët u dhanë Vojimin të sëmurëve, ndërsa përjetonin agoninë e fundme në izolim të plotë. Kjo është përkëdhelja, me të cilën Kisha e mëshirës ia ndalon dorën të dhunshmit, i cili, edhe brenda saj, do të dëshironte të tërbohej sërish kundër Qengjit.
Loti i katërt – indiferenca
Ka diçka, që i bën Mundimet e Krishtit edhe më të tmerrshme. Në çastet në të cilat një njeri i pafajshëm u nënshtrohej torturave, pak më tej, jeta rridhte sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ecejaket e punët e përditshme vazhdonin me indiferencë të plotë para tragjedisë, që po luhej vetëm dy hapa më larg. Veç tërmeti e bëri disi më “të veçantë” skenën, në sytë e bashkëkohësve indiferentë. Duhet ta kujtojmë këtë sa herë hasemi me të ashtuquajturin “globalizim të indiferencës”, krejtësisht i padrejtë, poshtërues, çnjerëzor. Në një shoqëri ku gjithçka rrjedh si uji mbi shkëmb, “martirizimi i durimit” duhet të na shtyjë ne besimtarëve t’u kushtojmë vëmendje më të madhe fushatave të mosbindjes dhe të denigrimit, që pa u ndëshkuar e shpesh, në mënyrë të kamufluar, drejtohen kundër Vikarit të Krishtit. Më se gjysmë shekulli pas atij Koncili II të Vatikanit, i cili, profetikisht, i donte në qendër të Kishës, shumë laikë ia nënshtrojnë besnikërinë ndaj doktrinës, përkatësisë shumë më të leverdisshme në fraksione, grupe, ideologji e parti të llojllojshme. Asgjë e re nën këtë qiell, natyrisht! Që nga kohët biblike, një pjatë me groshë më shumë legjitimon çdo indiferencë para ndërgjegjes së korruptuar.
Loti i pestë – vetmia
Edhe ai, që deri disa orë më parë brohoritej aq shumë sa i duhej të shpëtonte nga turma, përjetoi kupën e hidhur: vetminë. Shumë ipeshkvij të Kishës së heshtimit dëshmojnë se aspekti më rraskapitës i tiranive, që mohojnë Krishtin, është zbrazëtia destabilizuese që krijojnë diktatorët përreth dishepujve të rinj të Krishtit. Në Golgotë, shën Maria pati vetëm Gjonin pranë saj. E ku ishin të tjerët? Njëri prej tyre, i ashtuquajturi “primus inter pares”, Shën Pjetri, e mohoi Mësuesin; të tjerë ikën për të mos pësuar të njëjtin fund, madje, dikush bëri sikur nuk ka dëgjuar kurrë për të. Pra, Jezu Krishti u lind i vetëm në një grazhd dhe vdiq i vetëm, i gozhduar në kryq. Sot, Jezusi lihet vetëm prej kujtdo, që merr rrugën e së keqes në të gjitha format e saj dhe me të gjitha maskat, me të cilat paraqitet gjarpri i lashtë për të mbjellë përçarje e për të na bërë t’i quajmë “të huaj” vëllezërit dhe motrat, që nuk dimë t’i njohim më mirë.
R.SH. – Vatikan