Duj veç me dasht, e mos me u drasht, se tue dasht kam me u shpërblye dëshirimit me dasht, njaq sa mos me u ndi n’mungim për kurrgjë n’ftyr t’kësaj toke. E n’se un’ du me dasht, veç me dasht, pse frigohen njata, qi duen me urrye. Dashnia jeme e t’ankujt tjetër, qi don me ken i dëshirueshëm, veç me dasht, mundet me t’lan me dëshiri ç’ka don ti me dasht, kjoft kjo edhe t’urryemit të dikujt, kjoft edhe të diçkaje qi t’ban me u arratis nga nevoja me dasht, e me u arratis në ngulmin me mos me t’lan Zoti me u zhyt njaq thellë n’shtjellën e idhnimit , gjithken don me dasht e me u dasht.
Duj edhe ti si un’, si ai e ajo, pa ba dallime t’gjithfarshme. Duj gjithken qi vjen e shkon n’jetën tande. Qysh jo, ate qi rrin me ty, njajt fort e andshëm, dhe atë qi largohet vullnetlirë tue mos mujt me marr ç’ka ka lan brenda teje.
E pse jo mos me e dasht, edhe nji trazim, qi tue ken pjesë e jetës tande, t’kallzon se sa t’çmume janë ato çaste, ai dekik, qi ti ke përjetu n’paqe e n’dëshirim.
N’se s’mundesh me dasht, si mundesh e sa don, lyp n’vedi me gjet pranim, për gjithçka t’ven përballë shtërngimeve dhe zoritjeve, idhnimit e zhgënjimit,
Me dasht gjithqysh asht ma mir’ se kurgja tjetër dhe pa kollaj se tançka qi t’bahet e mujtun në mnyrat me sfidu jetën. Ndoshta nuk asht thjeshtë nji fjalë goje, apo nji dëshirim, asht shum’ e shum’ ma tepër.
Mundet me ken; nji prehën ku ti mundesh me gjet prehje, nji sup ku me mbështet kryet, një vështrim qi t’ban me u ndi plot qiell, nji prekje qi t’përshkon tue t’përtëri me dritë, nji prani qi nuk t’len me ken mjerisht vetëm, nji za qi t’përkund si n’nji hamoni tingujsh. Qysh jo, mundet me ken gjithçka qi ti don me tan shpirt dhe dëshiron me krejt praninë tande t’përjetimit dhe ndijimit.
Ani, duj, si un’, qi du gjithçka që dëshiroj, ngase du me and e kand me ken i mrumun n’dëshirim e dashni. Duj edhe pse drun, se n’dëshirime t’duhet me ik prej vedit, prej smiret, lakmis, xhelozimit, inateve e t’urryemit, prej tançkaje qi thellësia jon na ysht, tue ken t’pshtjellum e t’errun sysh e orientimit se kah me i’a majt.
Duj çfarë do, duje me tan zemër, e… tue e ba dashnin pjesë e jetës tande, pjesë e çdoditshmënisë qi vjen për ty dhe asht e tana e jotja, nepju deshirimeve tuja me dashni. Lutjen tande ka me e pranu universi, me e ba masanej nji vullnet qiellor qi t’pikon n’ball e t’çil n’buz, tue t’u ba nji prej ma t’çmumeve dhurata.
E ti ke me ken i mbushun e i rrethum më dashtunim, me u ndi; i dritun e lumnum, shpirtpaqun e zemërzjarmun n’andje. Me ken çka don!
S’asht kurrë vonë me i’a than vedit, siç edhe me e bind, se ç’ka du asht e jemja, e me e urdhnu njat zotnim qi ke nan hyqëm, me ju bind këtij vullneti, qi tue t’pru te dëshirimet, t’kthen te vedja, t’ysht te shndrrimi i tansis tande n’nji bekim.
Ti nis me dasht, si tue u nis me pa ndryshe gjithçka, me justifiku çdo zemëratë, me fal çdo faj, me pranu çdo pendim, me ken urë e çdo andrre, dorë qi i zgjatet tankujt qi lyp ndihmën tande si solemnitetin e nalt.
Duj me gjas me ndryshu, se n’se ti don, edhe do t’mundesh, kjo nuk ka pse me pas kurrfar mëdyshme me ju dhan e drojet me besu. Ngase na jena përfytyrim i përsosun e kirjimit, siç mundena me u ndi tançka mrekullimi e ka ba pjesë tonën.
Mbushu me landën e hyjshme t’dëshirimit, plot me dëshirimin me ndryshu, tue fillu prej gjithçkaje e tue mos u mjaftu me kërrken qi ka nevoj për dashni, kjoft kjo edhe vedja jote, krejt njashtu, siçka nevojë natyra për diell edhe njeriu ka për dëshirim e dashni.
Udhëprije vedin me dashtunimin e gjithçkaje qi asht pjesë e jetës tande, e pse jo, edhe nji t’papritun t’pakandshme, t’nji lëndimi apo lëngimi, t’nji pështjellimi t’thell e trazimtar, apo nji çfarëdo qi vjen ndoshta jo taman me të trazu, se sa me t’vu n’sprovë, për me t’diftu se sa gadi je me zotnu gjithçka me dashtuni.
Fjala qi po shkruj, para se me ken si e till, asht mendim, masandej e gjen rrugën me u ba urdhnim, për me mbërrit te ky ligjërim poetik, te kjo andje, me i ken gjithkujtdon nji za, kjoft edhe nji pëshpërim, mjafton me dasht me ken t’njimend me dasht, me ndigju dhe me u ba pjesë e ktyne fjalë t’shpirtshme, fjalë qi ndezin nji dritë n’fund të tunelit.
Duaj ç’ka don, dhe gjithçka qi don ka me ken dëshirim n’ty, mënyrë me sfidu çdo sprovë, me fitu çdo betejë, me ken vedja, ç’ka ti don, me mujt ç’ka gjithkush lyp n’ty. N’se s’ke me mujt, me dashni, me shemb çdo pengim e rrezu çdo mur, provoje prap tue e shtu dozën e dashnis, për me dasht ç’ka don me tan shpirt, e dëshiron me tan zemër.
Amen!
Albert Vataj