Nga Albert Vataj
Unë jam gazetar dhe jam përpjekur me mish e me shpirt për ta përfaqësuar denjësisht deri në gadishmëri për sakrificë sublime këtë profesion, edhe pse e gjithë kjo më ka kushtuar vetëm sa një SMS për të më flakur në rrugë. Në përvojën time, fatkeqësisht nuk kam përjetuar emocionet e një vlerësimi që i është bërë ndershmërisë dhe përkushtimin me pasion, integritetit profesional dhe vendosmërisë për t’i shërbyer profesionit si një kauze. Pamundësia për të qenë vegël e sipërmarrësit, ka patur kosto për shumë kolegë, që nga stabiliteti në punë, diferenca në paga deri te absurditeti i kërkesës së shefit. Pavarësisht se profesioni i gazetarit është parë dhe vlerësuar me dashamirësi nga njerëzit, sikurse është anatemuar prej tyre për shpërdorimet që ajo i ka bërë informimit, ai mbetet një hallkë e thyeshme e sistemit punëmarrës, ku është e përligjur gjithçka dhe ndëshkohet çdo faj. Kudo, kudo vërehet dobësia e këtij sistemi, i kësaj makinerie të amortizuar, sepse nuk përfaqësohet nga njerëz me integritet por nga servilë dhe mashtrues, inkopetent dhe të paaftë, dembelë dhe përfitues, megalomanë dhe fudullë.
Dhe pyesim pastaj ç’ne këto paga të çmendura?!
Miq, kjo nuk është “një rrufe në qiell të kthjellët” është thjeshtë rrjedhojë e një procesi të gjatë abuziv dhe denigrues. Pushtetet zotërohen nga pushtë, pushtlleku i të cilëve nuk është problem edhe pse është pasojë, faturën e të cilën e paguajmë secili nga ne.
Ne shqetësohemi për nivelin që kapi ky kërcënim, por harrojmë se të gjithë ne, pak e nga pak bëmë që ajo tolerancë e ofruar përdhunshëm nxituar nga nevoja bazike, u’a legjitimoi atyre çdo poshtërsi, ligësi, perversitet, spekulim, kurorëzimin e të cilit e bën politika, pushteti, për të cilët ka nevojë dhe tek të cilët gjen zgjatimin e vet me gjithë flligësinë, ligësinë, abuzimin dhe falsitetin që përfaqëson.
Dekonspirimi i pagave, ka nxjerrë në pah të vërtetën se si funksionon kjo makineri, se si ajo na bluan duke marrë më të mirën tonën dhe na flakë si një mbetje.
Derimtash, na u desh të bashkëjetonim me akuzën e gjithëpranuar si mashtrues, sotembas kësaj barre paragjykimi i shtohet edhe përfitues abuziv kjo erdhi dhe u bë mendësi e kohës në kaq pak ditë dhe me fare pak shembuj, që për ta janë të mjaftueshme. Dekonspirimi i të vërtetës së pagave ka zbuluar një të vërtetë sa të hidhur aq dhe fyese, denigruse. Njerëzit, por jo unë, kanë mbetur të shastisur nga ballafaqimi i këtij fakti, nga pagat marramendëse që marrin një grusht njerëzish, të cilët kanë bërë të mundur të rrisin kontot e tyre por kanë flligur profesionin e gazetarit. Paratë me të cilën ata paguhen është çmimi me të cilin ata kanë marrë peng profesionin.
Media, televizioni, dhe jo vetëm, kanë marrë një goditje shkatërruese të integritetit. Dhe kjo është një anë e medaljes.
Çdonjëri nga ju do të bënte pyetjen se çfarë bëjnë këto individë, të cilët paguhen me miliona. Ky nuk është tamam faji i tyre, se sa ç’është i punëdhënësve, të cilët në garë me rivalët e tyre mediatikë, rritin çmimin e këtyre gjevahirëve të fjalës në një ankand turpi. E gjitha kjo bëhet në kurriz të cilësisë së shërbimit që ne marrim prej tyre. Kjo peshë rëndon gjithashtu në kurrizin e meritokracisë dhe kontributit. Përgjithësisht në media janë një grusht përfituesish që marrin vetëm ata sa është barra financiare e krejt medias ku ato janë. Dhe janë ato pronarë, sipërmarrës dhe punëdhënës, të cilët ua lejojnë veten t’ua zvarrisin dhënin e pagave për skllevërit për një ose disa muaj, pa e vrarë mendjen se secili prej tyre, atë qyqe page pret për të përballuar jetën, e cila shtrenjtohet çdo ditë nga ajo qeverisje, të cilës i krehin bishtin. Fakirët duhet të presin ditë e muaj për të marrë rrogën që u takon, duke përballuar dhe presionet dhe shantazhet e atyre punëdhënësve, të cilët duhet të likuidojnë gojët gllabëruese, sepse ata janë të parët që rebelohen dhe ato që kërcënojnë.
Kolegët e mia në media marrin paga modeste, kurrsesi ata nuk përfaqësohen prej atyre që shastisemi për pagat e tyre të deklaruara, por nuk e dimë se si do ta përballonim të dinim se cilët janë përfitimet e tjera. Nga vijnë këto para, kush i hedh këto para, se kush i merr tashmë mileti e mori vesh?
Miq këto para i ofron ai mekanizëm kriminal, i cili zotëron pushtetin mediatik dhe të gjithë pushtetet e tjera. Kapja është e njëjte kriminale si për atë që i jep paratë dhe për ata që i merr. Dhe këtë faturë e paguajnë të gjithë, por që në mënyrë dramatike kjo rëndon mbi të ardhurat e atyre, mundësitë e të cilëve janë një sfidë e vërtetë për të mbijetuar.
Secilit nga ne i pëlqejnë paratë. Edhe mua, do të isha i pasinqertë të thoja jo. Por paraja që kur ka ardhur si shpërblim në jetën e species njeri, duke zëvendësuar shkëmbimin, ka funksionuar si kundërfleftë. Nuk e di se çfarë është ajo vlerë shërbimi që japin ata përfitues të atyre shumave të çmendura? Qofsha i gabuar, por ky produkt surrugatë mediatik, ky mediokritet shpërfillës, denigrus dhe shkatërrues, kjo krijesë bastarde që i imponon vulgut një vulgaritet të stolisur, nuk meriton të shpërblehet përveçse me bojkotim.
Dhe vjen një ditë që ata që i kemi si idhuj, ata na udhërrëfejnë në vetëdijen sociale dhe politike, ata që na grabisin kohën, mësojmë që po na vjedhin edhe mendjen edhe paratë. Pra ne paguajmë shtrenjtë një hajdut, të cilin e vendosim në kornizat e privilegjeve.
Miq, ata nuk përfaqësojnë median, pavarësisht se është ajo që i ka blerë ata me këto fatura të shtrenjta. Ata nuk përfaqësojnë informimin, pavarësisht se janë ata që përcaktojnë se cila është e vërteta dhe çfarë të vërtete tu servilet juve. Ata nuk janë fjala e lirë, edhe pse fjala e tyre është më e kushtueshmja prej të gjithave. Ata nuk janë liria e shprehjes, por shpërdorimi i skajshëm i lirisë. Ata janë fajtorë për pagat që marrin, por jo për fajin e tyre janë të akuzuarit tanë.
A do ti merrnit edhe ju këto para nëse do ta kishte mirësinë dikush t’ua jepte, pavarësisht asaj që do të ofrohet në këmbim? Sigurisht që po, madje në kryeradhë do të ishin ato që janë prekur më së shumti nga zbardhja e kësaj të vërtete.
Gjithsesi kjo situatë është krejt e pabukur, fyese për ata, të cilët presin që pikërisht këto shushunja t’i mëshirojnë për fatin tragjik të jetës. Megjithatë është realitet, i hidhur, por si çdo ilaç, duhet kapërdirë të shërohesh. Mënyra më e mirë, e vetmja mund të them, me të cilin ne të denoncojmë këtë sistem kriminal është t’i bojkotosh, kudo që ato janë, kudo ato shtrijnë metastazat e manipulimit, denigrimit, depërsonifikimit. Ata nuk janë media, ata nuk informojnë, ata s’përfaqësojnë komunikimin, ata janë ca gojë të mëdha që përpijnë gjithçka u del përpara.
(Zëshmëri për kohën kur dekonspirimi i pagave nxori në pah shpërblimet marramendëse të atyre që përfaqësojnë gazetarinë, informimin publik)