Sot ka dy rrugë për t’u kuptuar dhe pranuar, ose të jesh i çmendur, ose të hiqesh si i tillë. Rrugë tjetër “There is no”. Por ai, biznesmeni kuksiani, Azem Tahiraj, me gjasë nuk duket se e vret mendjen të kuptohet, se sa, si t’i bëjë gjërat, sipas mënyrës së tij, dhe ti bëjë më mirë deri në të pakrahasueshmen.
Një biznesmen që flet për letërsinë, reciton me dhjetëra vargje nga dhjetëra poetë, i cili ka studiuar për mjekësi, kujdeset për të afërmit si një at, dhe… ka nge dhe nerva të uthullojë kokën me punë konkursesh, jurish dhe çmimesh. Jo vetëm kaq, ka dëshirë të lexojë dhe përjetojë çdo varg e strofë, siç merakoset për ndonjë poezi, që e ka të vështirë të bashkojë zërin me figurën. Është më në faj ai, kur zbulon një plagjiaturë, se sa i brejtur në ndërgjegje një konkurrent, që guxon kaq shumë, sa të përballet në një sfidë të poezisë, me diçka të vjedhur.
Duhet të jesh i çmendur, se të bësh si i tillë, nuku, nuk mundet të jetë reale prej gjithë asaj që Azem Tahiraj bën. Megjithatë ai është i vendosur të bëjë çfarë i thotë zemra dhe urdhëron shpirti, edhe pse gjithmonë i zhgënjyer dhe i lënduar, i sharë dhe fyer, i anatemuar dhe i linçuar. Ta kuptosh është e pamundur, por ta pranosh, di vetëm ai ta bëjë, i cili hedh para, para nga të tijat, për të marrë çfarë?! Pothuajse asgjë!
Por ai ka një vendosmëri titanike, për të vijuar të bëjë atë çfarë ndjen, pavarësisht konsekuencave dhe çmimit të ligështimit dhe hidhërimit që merr në këmbim, i cili është shumë më i larët se sa paratë për të ngrohur një zemër dhe davaritur dimrin në një shpirt të dëlir poeti.
Mund të mos ketë kurrfarë problemi shuma e parave që ka shpenzuar Klisenko AT, me administrator Azem Tahiraj, për të promovuar poezinë, për të stimuluar këtë hyjni të ligjërimit të fjalës dhe flijimit të shpirtit, por ajo që është në gjithë këtë sipërmarrje, është i larti akt i shpërblimit. Atë që nuk mund ta bëjnë institucionet dhe një makineri e tërë menaxhimi i kapaciteteve njerëzore dhe financiare, guxon ta bëjë ai i vetëm. Po i vetëm, i vetëm përballë një mizërie poezishkruesish, të cilët i’a lejojnë vetes, secili prej tyre të jetë fitues. Edhe pse në eventin e parapakditëve, konkursin mbarëshqiptarë, “Fjala poetike 2024” ai, nga 837 pjesëmarrës, dha 100 çertifikata dhe 16 çmime, sërish u nda si mos më keq. Ai nuk kishte para për të gjithë poezishkruesit, por pati durimin dhe qytetarinë që t’i përgjigjej çdonjërit prej tyre, në SMS, Messenger, Ëhatsapp, Instagram, por edhe ballafaqas. Ndoshta ai me mirësinë dhe dashamirësinë nuk mundi të linte të kënaqur të gjithë, por ama pati gjentilesën të ishte pranë tyre, ndoshta për t’i mbajtur me gajret për një mundësi në konkursin tjetër.
Kjo historia e konkurseve, të cilën ai nuk e di se pse pikërisht atë ka zgjedhur, në çdo formulë zgjidhjeje, sërish do të ketë shumë, shumë hatërmbetje, dhe fare pak, ose aspak reflektim për çdo poezishkrues, për të riparo edhe një herë secili prej nesh, se ndoshta poezia ime nuk ishte e duhura për çmim.
Sot nuk janë të çmendur vetëm ata që shkruajnë dhe lexojnë poezi, pjesë e kësaj anteme janë edhe ato që e mbrojnë dhe e promovojnë poezinë, si artin e fjalës dhe shpirtit. Ndoshta Azemi shumë më mirë do të kishte bërë t’i kishte hedhur ato para për çfarë preferojnë t’i shpenzojnë pjesa dërrmuese e biznesmenëve, sipërmarrësve apo filantropëve. Se në fund të fundit nuk ke pse zemërplaesesh për hatërmbetjet e një pale, e kokëmënjanuarve të palës tjetër, të cilët, sipas tyre poezia që ata kanë shkruar janë shumë më e denjë për çmim, se poezia e dikujt tjetër që pati këtë fat. Dhe, e keqja më e madhe është se sot, kur çdonjëri ka të drejtë fjale dhe legjitimitetin të ketë të drejtë, të vë edhe para akuzës, duke të të përfshirë padrejtësisht në afera e allishverishe, gjasëm kështu është mësuar ai, se bëhen gjërat në këtë vend dhe sapo dikush ka mirësinë dhe bujarinë ti realizojë punët e mira, atij i duhet të paguaj faturat që nuk janë të tijat.
Të gjithë jemi të orientuar kah një mënyrë krejt personale se si t’i qasemi botës. Azem Tahiraj poezishkrues dhe poezidashës, por edhe biznesmen, preferon, ndoshta ka edhe fatin të gjej një mënyrë krejt ndryshe për t’i shpërfaqet realitetit, përmes një përkatësie identitare unike. E pse jo, për të vendosur veten në realitetin e prekshëm të përfshirjeve dhe përjetimeve. Shpesh nuk mund ta kuptojmë, se cili është ai vullnet që na udhëprinë në këtë rrugëtim, të tij dhe të pakkujt tjetër, se çfarë force dhe energjie e shtytë kah ai potencial, që merr trajtë dhe e shndërron gjithçkanë në një qëllim. Shpesh këto qëllime janë altare ku ne gjejmë nevojën të lutemi, po aq sa të lartësojmë atë përmes blatimeve të shtrenjta. Sepse vetëm kësisoj ne gjejmë vetveten dhe në një shpërfaqje të tillë, ajo të na dëshmojë kahjen e duhur të ecjes dhe të themeltën e synimeve tona, se sa të na dëshmojë se cili jemi dhe çfarë është e denjë për ne. Azem Tahiraj duke ardhur këtu, te dy konkurset e poezisë kombëtare dhe mbarëshqiptare, nuk ka kërkuar model t’i përngjasojë, apo t’i përgjigjet një zëri të mistershëm se çfarë duhet të bëjë. Ai e ndjen dhe e bën. Madje e bën në mënyrën më të mirë të mundshme, e bën “për t’ia lënë vetes” është një proverb. Te stimuloje poezishkruesit, të vlerësojë poetët, Tahiraj nuk e bën, se ka për të shlyer një borxh, apo për të përmbushur një amanet, jo, e bën sepse një gjuhe si e jona, një shpirti këndues si yni, një armate pezishkruesish si në vendin tonë, një poezie kaq të jashtëzakonshme që shkruhet nga ne, meriton një vëmendje të tillë, një trajtim kaq bujar dhe një përzemërsi kaq e rrallë.
Në përvojat e gjithsecilit gjendemi para shumë befasish, ku më të veçantat janë ato që mbeten vërtetë të befta dhe disi pa një logjikë racionale shpjegimi. Njerëz të pasur, shumë të pasur që hedhin para pafund për të ndërtuar kultin e tyre. Të tjerë që mendjedritësia e tyre e lëbyrur me babëzi, nuk i lë të kursehen për mundësi që u shumëfishojnë përfitimet dhe zotërimet. Janë të tjerë që bujarinë i’a flijojnë një sedre të sëmurë. Ka prej tyre që egon e kanë po kaq patologjike sa dhe fitimin. Siç nuk përjashtohen prej kësaj panorame ata që gjithçka që kanë e lënë për t’u kuruar nga varësia e seksit dhe narcizit. Por në mes gjithë këtyre përbindëshave të parasë, ka disa krijesa të çuditshme që preferojnë të lëvizin në një të tashme imagjinatave si përfytyrime fjalësh dhe shpengimesh ligjëruese. Ata, si Azem Tahiraj janë fenomene jo qenie, janë krijesa, që, ndoshta pa dijenin e tyre ndodhen në këtë realitet për të përmbushur një urdhëres sovrane të një pushteti të lartë.
Për hir të së vërtetës, dhe në vijim sa më lart citova, Azem Tahiraj, nuk është një emër që ju e njihni, sepse ka të tjerë që kanë sovranitetin e të zotëruarit të vëmendjes dhe vetëdijes kolektive. Ai është një krijesë fantazim që zhduket më ngutshëm se shfaqet, dhe e bën këtë sepse nuk i pëlqen të rënit në sy. Ndoshta beson ende te modestia dhe te të bërit të veprave të mira, shpirtërisht, e jo në mënyrë butaforike.
Po, ai është një njeri i zakonshëm, shumë i thjeshtë dhe dashamirës. Më të mund të njihesh dhe të bisedosh pa patur frikën e barrierave që njerëzit më para mbajnë të burgosur veten.
Ai është ai, Azem Tahiraj, që u përpoqa ta profilizoj përmes këtij portreti të paautorizuar, ai që e njoha në tubimin gjithëshqiptarë “Fjala Poetike 2024”, dhe krahas befasisë së asaj që ai bën, qesh fatlum që mu lejua të bisedonim me të për konkursin në veçanti, letërsinë në përgjithësi.