Ajo është Penelopa e Homerit, e Odises, e mitit të shndërruar në ikonë të gruas besnike, e bashkëshortes që pret burrin që sfidoi detet gjatë kthimit nga Lufta e Trojës për në Itakë. Dhe ajo e ndërtoi këtë madhështi, përmes së një simbolike që gjeti një inspirim për shumë krijues dhe artistë që gjithnjë u pamjaftuan më çfarë pavdekësuan ata këtë grua. Ditën end dhe natën sh’end, është ngulitur thellë si një thirrje e ligjësisë së shpirtit të një gruaje, e hyjnisë së saj që lartësohet në beskim. Së andejmi morën shkas gjithë epikat e qëndresës së gruas, duke u bërë këtë një fill që lidh çdo legjendë apo trill, çdo të vërtetë apo idealizim.
Penelope duke fjetur nga Cavalier Jules, 1849, e vendosur në sallën qendrore, Musée D Orsay, Paris dhe derdhja e mermertë e Penelopës së trishtuar, nga Leonidas Drosis, vepër e cila ndodhet në Luvër, janë dy prej shumë e shumë trajtimeve të kësaj tematike, në të gjitha gjinitë e artit. Këto janë dy skulptura në mermer, të krijuara në idealizim të një prej legjenda e besnikërisë së gruas, të asaj që e bëri atë një pikë kulmore të një vepre që qëndron në themel të klasicizmit.
Skulptori akademik francez, Pierre-Jules Cavelier (30 gusht 1814 – 28 janar 1894) e përjetëson këtë grua ikonike duke fjetur, ndërkohë që neoklasiku grek i shekullit të 19-të, Leonidas Drosis e nxori nga mermeri Penelopën në një prehje të pikëllimtë, ulur mbi fronin e saj mbretëror.
Si, Jules Cavelier ashtu edhe Drosis, përcjellin, rengun e endëses që e simbolizon atë. Në të dy skulpturat ajo mban në dorë lëmshat e fillit që end e sh’end qefinin për babain e Odises. Francezi ka zgjedhur ta sjell ndërsa ajo fle, e lodhur dhe e rraskapitur në qëndresën prej besnikeje, ndërkohë që greku e skalit me një portret të pikëlluar nga mundimi dhe pritja e stërgjatë.
Siç dihet Penelopa është e martuar me personazhin kryesor, mbretin e Itakës, Odiseun (Uliksi në mitologjinë romake), dhe vajzën e Icarius të Spartës dhe Periboea (ose Polikastës). Ajo ka vetëm një djalë me Odisen, Telemakun, i cili lindi pak para se Odiseu të thirrej për të marrë pjesë në Luftën e Trojës. Ajo pret njëzet vjet për kthimin e Odises, kohë gjatë së cilës ajo sajon strategji të ndryshme dinake për të vonuar martesën me njërin nga 108 pretenduesit (të udhëhequr nga Antinous dhe duke përfshirë Agelaus, Amphinomus, Ctessippus, Demoptolemus, Elatus, Euryades, Eurymachus dhe Peisand).
Pas kthimit të Odises, i maskuar si një lypës i moshuar, ai zbulon se Penelopa ka mbetur besnike. Ajo ka shpikur truke dinake për të vonuar kandidatët, një prej të cilave është të pretendojë se është duke thurur një qefin varrimi për babain e moshuar të Odises, Laertes, dhe me të përfunduar ajo do të zgjedhë një nga ata që e synojnë atë. Çdo natë, Penelopa, për tre vjet, zhbën një pjesë të qefinit që end ditën, derisa Melantho, një skllav, zbulon mashtrimin e saj dhe ua bën prezent rivalëve.
Përpjekjet e Penelopes për të vonuar rimartesën shpesh shihen si një simbol i besnikërisë ndaj burrit të saj, Odises.
Arti është përpjekur ta ruaj të pavdekshëm simbolikën e besnikërisë së kësaj gruaje, duke e mëtuar në vepra dhe hymnizuar në aktin sublim të besnikërisë, që përcillet si një trofe i një gruaje, të cilën mund ta lodhi pritja por jo ta gjunjëzojë. Sepse ky është arti, kjo është ajo çfarë shpirtrat krijues kanë tentuar t’u shpërfaqen gjeneratave, duke e ofruar besnikërinë e kësaj gruaje si një flijim të shenjtë, si një premtim që pëshpërit thellë në brendinë e një gruaje, aq thellë sa mund të depërtojë vetëm koha dhe arti.
Albert Vataj