Njeriut iu vunë shumë zinxhirë, deri sa ai u çmësua të sillet si kafshë dhe në të vërtetë ai u bë më i butë, më inteligjent, më i gëzuar, më i gjykueshëm nga sa janë të gjitha kafshët. Por ai vuan ende ngaqë i ka mbajtur kaq gjatë zinxhirët e tij, ngaqë i ka munguar kaq gjatë ajri i pastër dhe liria e lëvizjeve por këto zinxhirë janë gabimet e rënda dhe absurde të ideve morale, fetare, metafizike.
Vetëm kur edhe sëmundja e zinxhirëve do të jetë kapërcyer, atëherë do të arrihet qëllimi i parë i madh, pra ndarja e njeriut nga kafshët.
Tani ne ndodhemi në mes të përpjekjes sonë titanike të heqjes së zinxhirëve dhe për këtë duhet maturia më e madhe. Vetëm njeriut të fisnikëruar mund t’i jepet liria e shpirtit, vetëm atij i afrohet lehtësimi i jetës që u vë balsam plagëve të tij, ai mund të thotë i pari se jeton për të gëzuar dhe për asnjë qëllim tjetër ndërsa në çdo gojë tjetër motoja e tij: “paqe rreth meje dhe kënaqje me të gjitha gjërat e afërta” do të ishte e rrezikshme. Me këtë moto, të bërë për njerëz të veçantë, ai kujtohet për një fjalë antike dhe prekëse që vlente për të gjithë dhe që ka mbetur përmbi të gjithë njerëzimin, si një moto dhe një shenjë për të cilën do të humbë cilido që stolis tepër herët flamurin e tij – për të cilën krishterimi vetë ka humbur. Me sa duket nuk ka ardhur ende koha në të cilën të gjithë njerëzve do tu ndodhë si atyre barinjve që panë qiellin e ndriçuar mbi ta dhe dëgjuan këto fjalë: “Paqe mbi tokë dhe dashamirësi reciproke për njerëzit”. Është ende koha e individit.
Përgatiti: Albert Vataj