– Bethoven dhe Mozart. – Muzika e Bethovenit duket shpesh si një soditje mallëngjyese, e shkaktuar nga dëgjimi i ri i papritur i një fragmenti që besohej për një kohë të gjatë si i humbur: “pafajësia në tingujt”. Ajo është një muzikë mbi muzikën. Në këngën e lypësve dhe fëmijëve të rrugës, në këngët e italianëve emigrantë, në vallëzimin e tavernës së fshatit ose në netët e karnavaleve, këtu i zbulon ai “meloditë” e veta – ai i grumbullon si një bletë, duke mbledhur aty këtu një tingull, një vijimësi të vogël tingujsh. Këta janë për të kujtime të shndërruar të një “bote më të mirë”, ngjashëm me atë që Platoni imagjinonte për sa u përket ideve.
– Mozarti ka raporte krejt të ndryshme me meloditë e tij: ai i gjen frymëzimet jo duke dëgjuar muzikë por duke parë jetën, jetëm më të lëvizshme të vendeve të jugut. Ai ëndërronte gjithnjë Italinë, kur nuk ndodhej në Itali.
– Sebastian Bah. – Kur muzikën e Bahut nuk e dëgjon si njohës i përsosur dhe i mprehtë i kontrapunktit ose i gjithë mënyrave të stilit të fugës, pra duke qenë domosdoshmërisht i privuar nga shijimi i vërtetë artistik, si dëgjues i kësaj muzike do të provosh një gjendje shpirtërore (për të futur në punë një shprehje madhështore të Gëtes) të ngjashme me atë që ka qenë i pranishëm kur Zoti krijoi botën. Ose më mirë: ndjejmë se këtu diçka e madhe është duke u bërë, muzika jonë e madhe moderne, por nuk është bërë ende. Ajo ka fituar tashmë botën, duke fituar mbi Kishën, kombësitë dhe kontrapunktin. Te Bahu ka ende tepër krishtërim të gjallë, gjermanizëm të gjallë, skolastikë të gjallë: ai qëndron në prag të muzikës evropiane (moderne), por ende i mban sytë përtej, drejt Mesjetës.
– Hendel. – Hendeli në gjetjen e muzikës së tij ishte guximtar, novator, i sinqertë, i fuqishëm, i kthyer dhe i lidhur ngushtë me heroiken që një popull është i aftë të bëjë por në përpunimin e saj u bë shpesh i ngathët dhe i ftohtë, madje i lodhur nga vetja. Atëherë ai shfrytëzonte disa metoda ekzekutimi të eksperimentuara mirë, shkruante shpejt dhe shumë dhe ishte i gëzuar që kishte përfunduar, por jo i gëzuar në atë mënyrë që ishin të gëzuar Zoti dhe krijuesit e tjerë në mbrëmjen e ditës së tyre të punës.
– Franc Shubert. – Franc Shubert, artist më i vogël se muzikantët e tjerë të mëdhenj, kishte megjithatë mes gjithë të tjerëve pasurinë trashëgimtare më të madhe të muzikës. Ai e harxhoi atë me duar plot e zemër të mirë, në mënyrë të tillë që muzikantët ende për nja dy shekuj mund të ushqehen me idetë dhe frymëzimet e tij. Në veprat e tij kemi një thesar shpikjesh të papërdorura – të tjerë do të gjejnë madhështinë e tyre duke i përdorur ato. Nëse Bethoveni do të mund të quhej dëgjuesi ideal i një menestreli, Shuberti do të kishte të drejtën të quhej vetë menestreli ideal.
– Feliks Mendelson. – Muzika e Feliks Mendelson është muzika e shijes së mirë që kënaqet me gjithë atë që është aty e mirë: ajo kthehet gjithnjë te ajo që qëndron prapa saj. Si mund të ketë ajo shumë “para vetes”, shumë të ardhme? Por, a ka dashur ai të ketë të ardhme? Ai zotëronte një virtyt që është i rrallë mes artistëve, atë të mirënjohjes, pa mendime të fshehta dhe ky virtyt kthehet gjithnjë te ajo që është pas tij.
– Robert Shuman. – “I riu”, të cilin e ëndërronin poetët lirikë romantikë të Gjermanisë dhe të Francës në një të tretën e parë të shekullit të tetëmbëdhjetë, ky i ri u përkthye plotësisht në këngë dhe në tinguj nga Robert Shumani, i riu i përjetshëm, deri sa ai u ndje në plotësinë e forcave të tij. Sigurisht edhe ka çaste kur muzika e tij të kujton “beqareshën plakë” të përjetshme.
Shkëputur nga “Udhëtari dhe hija e tij”
Përgatiti: Albert Vataj