Eutanazia është një injeksion vdekjeprurës vullnetlirë, i cili, ashtu si për njerëzit, edhe për kafshët, është detyruese që të ketë miratim ligjor, por edhe dakordësim shpirtëror. Të jesh prezent atëherë kur sy që të kanë mbushur me qiell, mbyllen për të mos u hapur më, është e dhimbshme, tejet e trisht, moment të cilin, pak, fare pak kanë guximin që ta përballojnë. Ndoshta ky është një çast, i cili përtej çfarë na pamundëson, të vëmë në provë zemrën, na e heq të drejtën të kemi të drejtë. Ndarja është e pikëllimtë, por mungesa e asaj pranie, që ishte gjithçka për një kafshë, nuk gjen pajtueshmëri. Ju nuk mund të përballoni lotët e atij qeni apo vështrimin e fundit të asaj maceje, por është pikërisht kjo lamtumirë që duhet ndarë pa droje me atë dashuri, e cila largohet për të mbetur përgjithmonë me ty, përmes atij vështrimi të fundmë dhe asaj pike loti.
“Kafshët shtëpiake, kanë një dëshirë të fundit para se të vdesin, por fatkeqësisht të njohur me zemër të thyer vetëm nga veterinerët, që i vënë në gjumë kafshët e vjetra dhe të sëmura, në atë gjumë që nuk i kthen më pranë zotërve të tyre. Përdoruesi i Tëitter-it, Jesse Dietrich, pyeti një veteriner, se cila ishte pjesa më e vështirë e punës së tij.
Specialisti u përgjigj pa hezitim, se për të ishte më e vështira të shihte se si kafshët e vjetra apo ato të sëmurat i kërkojnë pronarët e tyre me sytë e dashurisë së tyre të dlirë, para se të flenë për të mos u zgjuar më. Fakti është se 90% e pronarëve, nuk duan të jenë në një dhomë me një kafshë që po vdes. Njerëzit largohen që të mos shohin që kafsha e tyre të largohet. Por ata nuk e kuptojnë, se pikërisht në këto momente të fundit të jetës, kafsha ka nevojë më shumë se asnjëherë për praninë dhe ngrohtësinë e tyre.
Veterinerët kërkojnë që pronarët të jenë pranë kafshëve deri në fund. “Është e pashmangshme që ata të vdesin para jush. Mos harroni se ju ishit qendra e jetës së tyre, ishit gjithçka dhe do të mbeteni të tillë deri në atë moment që ata të mbyllin sytë. Ndoshta ata ishin vetëm një pjesë e jotja. Por ata janë edhe familja juaj, janë çdo gjë e bukur që atyre u ka ndodhur në jetë. Sado e vështirë të jetë kjo ndarje, mos i lini vetëm në këtë rrugëtim të fundit tokësor.
Mos i lini të vdesin në një dhomë me një të huaj, në një vend që ata nuk e pëlqejnë, në një prani që nuk e njohin dhe nuk do të donin kurrë të largoheshin kështu. Është shumë e dhimbshme për veterinerët të shohin se si kafshët shtëpiake, me vështrimin e ngulmët të syve që po prarojnë, nuk mund ta gjejnë pronarin e tyre gjatë minutave të fundit të jetës. Ata nuk e kuptojnë pse u braktisën kaq papritur, pse dashuria e tyre mbeti e tillë edhe në një çast ndarjeje. Në fund të fundit, ata kishin nevojë për ngushëllimin e zotit të tyre, atij që e ka ushqyer dhe kujdesur për të, atij që ka luajtur dhe i ka dhënë një jetë që i’a vlejti të jetohet.
Veterinerët bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar që kafshët të mos jenë aq të frikësuara, por ato janë krejtësisht të huaja për to, ato e kanë absolutisht të pamundur që të sjellin pranë tyre atë prezencë, atë vështrim, atë prekje, pa të cilën shkojnë në një tjetër botë të lënduar. Mos u bëj frikacak sepse është shumë e dhimbshme për ty. Mendoni për kafshën shtëpiake, për atë krijesë të dashur që ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës tënde. Durojeni këtë dhimbje për hir të tyre. Më shumë se zemra juaj që çahet është shpirti i tyre që shuhet në këtë ikje pa kthim. Ij me ta deri në fund, siç ishe në jetë, guxo të jesh edhe në lamtumirë.
– Tricia Mo’orea
Punoi dhe përshtati: Albert Vataj