Nga Albert Vataj
Kanë kaluar pesë vite qëkur mikja dhe kolegia ime, vendosi të hedh një hap përcaktues në jetën e saj, të kurorëzojë në lidhje një dashuri prej së cilës ajo sot ka vajzën Simfoni dhe pret fëmijën e dytë, mrekullinë e këtij blatimi të shenjtë.
E shtrenjta ime, do të doja të uroja për fejesën, për këtë hap të rëndësishëm të jetës tuaj. Duke të kërkuar leje do të doja të ndaja me ju disa mendime, jo vetëm prej miku, por edhe prej një syçeli në lidhje me marrëdhëniet në çift, hap të cilin keni hedhur tashmë.
Fillimisht, ajo që duhet t’ia thuash vetes çdo ditë që prej sot, është ta shohësh këtë hap të jetës si një cak vendimtar të gjithë asaj çfarë për ty është ëndërr, qysh prej krijimit të një familjeje, te shenjtërimi i nënës në ty, deri tek e shumëdebatura, jetë e lumtur në çift.
Arma që të favorizon në këtë hap është një nga më të fortat që dispononi, ajo është dashuria. Zemra juaj është mendja e dëshirave tuaja dhe dëshirimet tuaja janë gjithçka që për ty është një sfidë. Unë kam bindjen se nuk ka kala që nuk e marrin ata që besojnë.
Ajo zemër që do t’i bëjë vend një fatlumi si i fejuari juaj, është ajo që rreh në kraharorin tënd, por që pulson edhe në ritmin e gjakut dhe të jetës së atij që do të jetë bashkëshorti juaj. Ajo zemër është një avantazh, në jetën bashkëshortore, por fatkeqësisht ka predispozitat të shndërrohet në një zemërthyerje, nëse nuk i trajton situatat dhe rrethanat me pozitivitet dhe maturi. Njerëzit që dashurojnë me gjithë shpirt, janë ato që vuajnë me gjithë zemër, por njëjtë kanë forcën për t’u ringritur, për të rilindur si sfinksi nga hiri i vet.
Mike, të gjithë ne hymë në një lidhje me pritshmëritë e mëdha të një jete të lumtur dhe ëndërrtare. Pak nga ata që besuan në idilikën e dashurisë, i shpëtuan andrallave të Kopshtit të Edenit. Nëse ke dëgjuar për jetë të lumtur bashkëshortore, ke patur gjithë të drejtën e dëshirimit për ta pranuar si të vërtetë, ndërsa unë, gjithë këta mashtrues do t’i refuzoja me neveri. Mike ka jetë bashkëshortore ku mbizotëron mirëkuptimi, harmonia, toleranca, mirëbesimi, besnikëria… dhe kësaj duhet t’i shkoni deri në fund, megjithëse jo gjithnjë dhe jo gjithmonë gjërat shkojnë ashtu siç i ke parashikuar.
Ne nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se jemi marioneta në duart e fatit dhe kaq mjafton për të kuptuar shumë sekrete të një jetë të paqtë bashkëshortore, sikurse nuk duhet të mohojmë aftësinë që ka besimi në ne, për të na shpërblyer me të drejtën për të shkruar ne vetë fatin me dorën tonë.
Nuk do ta përjashtoja që nën dritat llamburitëse të një lumturie dehëse, të gëlojnë çaste dyshimi, lëndimi dhe hidhërimi. Fajtor nuk jemi ne, se sa është vetë jeta jonë, e cila e ka të pamundur të ushqehet vetëm me mirësi dhe dashuri, me lumturi dhe ëndrra, cilatdo të ishin rrethanat dhe mundësitë. Në ditët tuaja të bukura do të ketë padyshim momente gri, zënka, ngritje zëri dhe trazim, sepse ne nuk mund të bëjmë pa to. vetë dashuria, nuk mund të përtërihet në një terren tjetër, veç aty ku rriten bimë të egra dhe ku gjallon rreziku. Kuptuar kësisoj, çdo mospajtim me partnerin, duhet parë me një vështrim maturues, sepse ne mëritojmë më të mirën dhe ajo fatbardhësi gjithnjë lind dhe rritet në vështirësi.
Mike mos u ndje e lënduar nëse në një zënkë të kërkosh falje, nëse ke kuptuar se faji është juaji dhe t’i hapni zemrën ndjesës së partnerit, duke besuar se dashuria është përmbi gjithçka, familja është vetë vullneti i lartë, fëmija është shpërblesa e vetë Zotit për prehrat, ku dashuria gjithnjë ka durim dhe përkushtohet të mbarështojë të mirën.
Mike, beso tek e mira dhe ajo do të të bëhet pjesë e jetës tënde, beso tek ëndrra dhe realiteti do të të flasë me ligjërimin e dëshirimeve të epërme… beso, beso me gjithë shpirt dhe ij mirënjohës çdo ditë, çdo çast, mundësisë për gjithça të është dhënë. Të gjithë ne kemi çfarë meritojmë, as më shumë, as më pak. Ky definicion nuk është profeci, por asnjë predikim nuk e sfidon atë.
“Jeta në çift nuk është çështje vetëm sesi t’i mbijetosh stuhisë, por sesi të vallëzosh në bashin e një anije që kridhet mbi dallgë”
Dashuria, dashuria mike është një nga forcat e patjetërsueshme të shndërrimit të besimit në mrekulli!
Paç vullnetin e Zotit bekim dhe besim të dashuris tënde.
Miqësisht, Albert Vataj