Teksa përcjell atmosferën festive të “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”, harenë dhe ngjyrat, kostumet dhe maskat që qasen t’i “sjellin” njerëzit nga një kohë e largët, do të kuptosh se nuk je vërtetë në Rio de Zhaneiro, New Orleans, as Venecian e magjishme të maskave të mesjetës, apo përjetimin e dramës së Shekspirit, “Tregtari i Venecias”, por në vendin ku kjo traditë trokiti s’pariherë më 1860, për ta shndërruar kryeqendrën e veriut në një paletë gjigande ngjyrash, penelatat e së cilës shpërthyen për tre ditë nën qiellin e natës, për të veshur më një madhështi dehëse gjithë solemnitetin e këtij kremtimi.
Më 23, 24 dhe 25 Shkurt 2024, Shkodra u vesh me petkun e karnavaleve, duke arriti të dëshmojë se e meriton këtë status, sikurse ka privilegjin ta shndërrojë këtë kremte në një paletë gjigand ngjyrash. Kostume dhe maska klasike, stolisin personazhet e kësaj feste me një magjepsje që i kthejnë rrugët, sheshet, rrugicat dhe ambientet, në një realitet idilik solemniteti festiv, ku sy shpues shohin përtej maskave dhe hire dehëse fërgëllojnë nën petkat e ngjyrshme.
Gjithë ky spektakël, kjo hare, ky teatralitet, kjo lojë, shpaloi festën e karnavaleve si një shpërthim dritash dhe ngjyrash, këngësh dhe kërcimesh. Vërshoi qytetit ky karvan hareje, duke trokitur në dyer shtëpish dhe në zemra besimtarësh, për t’u qerasur me petulla e shpenguar në gazmim.
Nën kujdesin e Bashkisë Shkodër, kryebashkiakut Benet Beci në veçanti, këto ditë festimesh, qyteti bëri bashkë fëmijë, të rinj, mësues e koordinatorë të më shumë se 50 kopshteve e shkollave, mbi 200 artistë e artizanë shkodranë të të gjithë brezave, si dhe të ftuar nga Korça e Tuzi, punonjës të drejtorive të kulturës, turizmit, promovimit, policisë bashkiake, mirëmbajtjes e pastrimit, blogerë, fotografë e influencues, bashkëpunëtorë e kontribues në krijimin e eventeve; sigurisht edhe kritikues e dyshues të çdo procesi. Ndoshta sivjet, karnavalet patën privilegjin të kishin një kujdes të shtuar, në një pritshmëri të përmbushur për ta vendosur Shkodrën tashmë në një pikëtë në hartën e kremtimit të kësaj feste, me synimin për ta kthyer këtë traditë në aset atraksioni të turizmit kulturorë. Dukshëm organizatorët arritën ta plotësonin me gjithë tonalitetet e ngjyrimeve dhe larmishëmërinë e veprimtarive, panoramën e kësaj feste.
Por ajo që duhet të sjellim në kujtesë është se përtej fillit religjioz, karakteristika pikante e karnevaleve është gjithashtu beteja tallëse si përleshjet për ushqim, shprehjet e satirës sociale, tallja e autoriteteve, kostume të trupit grotesk që shfaqin tipare të ekzagjeruara, si hundët e mëdha, barqet e fryra, gojët e shqyera, grykat ose elementet e trupave të kafshëve. Por edhe përshkrime të sëmundjes dhe vdekjes së gëzueshme, sikurse edhe një ndryshim i përgjithshëm i rregullave dhe normave të përditshme. Ndoshta jo gjithçka që përfaqëson dhe personifikon karnevalet u përmbush në “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”, sepse sarkazma dhe grotesku, përqeshja dhe tallja, fshikullimi dhe denoncimi, ndëshkimi simbolik i të këqijave, veseve dhe abuzimeve, nuk para gjejnë dakordësi në të sotmen e demokratizimit të komunikimit dhe dashamirësinë e përfshirjes në mundësinë për ta çliruar të sotmen nga bartjet.
Siç dihet, karakteristikat e kremtimit të karnavalit e marrin origjinën e tyre nga festat e lashta evropiane, të tilla si Dionisia Greke (Anthesteria) ose Saturnalia Romake. Gjatë këtyre festave diktohej një çlirim i përkohshëm nga detyrimet dhe hierarkitë shoqërore, për t’i hapur rrugë përmbysjes së rendit, shakave e deri në shthurjen. Prandaj, nga pikëpamja historike dhe fetare, karnavalet përfaqësonin një periudhë festimi, por mbi të gjitha ripërtëritjeje simbolike, gjatë së cilës kaosi zëvendësoi rendin e vendosur, i cili, megjithatë, pasi mbaroi periudha festive, rishfaqet si mundësi e re e përtëritjes, purifikimit dhe devocionit.
Sot që dritat e kremtimit ende nuk janë shuar, ngjyrat ende vezullojnë dhe hareja na mban ende të dehur, ajo që mund të themi është se tre ditët ishin të magjishme në Shkodrën e magjepsjes festive.
(Fotot i kam huajtur nga postimet në Facebook të kryebashkiakut, Benet Beci dhe fotografit, Terenc Pepa)
Albert Vataj