Vepra, “Fëmijët që flenë” është punuar në mermer të bardhë dhe paraqet dy fëmijë duke fjetur, njëri e mbështet kokën me butësi në gjoksin e tjetrit dhe e përqafon, ndërkohë që mbulesa u valëvitet duke mbuluar pjesërisht ata. Pozicioni i qëndrimit të tyre, detajet dhe prehja në një hirë butësie, tregon për shkujdesjen dhe paqen që u fal atyre ky moment.
Mjeshtri William Henry Rinehart (13 shtator 1825 – 28 tetor 1874), skulptori i njohur amerikan, i konsideruar si “skulptori i fundit i rëndësishëm amerikan që ka punuar në stilin klasik”, e përcjell këtë moment me një delikatesë të mahnitshme. Fëmijët, bukurinë e tyre delikate dhe të kulluar i gjejmë përgjatë gjithë historisë së artit, nga zakonshmëria e jetës së shkujdesur të një fëmije, deri te engjëjt. Ata janë kudo me një bardhësi prej drite dhe dëshmim të fuqishëm të triumfit të jetës.
Një vizitor anonim në studion e artistit në atë kohë, raportonte se Rinehart i skaliti fëmijët nga jeta reale, ndërsa ata dremisnin, duke e lejuar atë të përshkruajë bukurinë dhe shëndetin e tyre, duart topolake, flokët e bukur, dhe gjithçka tjetër me detaje të hollësishme. Ai e përcjell këtë moment me kaq vërtetësi dhe përjetim, thua se ata janë mbuluar nga një cohë e hollë mermeri dhe flenë në gjumin e pambarimtë të jetës që vjen prej tyre si prej një shëmbëllimi hyjnor.
Kujtojmë gjithashtu se artistët e shekullit të nëntëmbëdhjetë përdorën figura të personazheve duke fjetura, për të evokuar vdekjen dhe imazhet si kjo shpesh shërbenin si shenja shprehëse artistike të memoriale. Një kopje e hershme e “Fëmijët që flenë” mund të gjendet në varrezat Green Mount në Baltimore, në memuarin familjar të mbrojtësit dhe mikut të artistit, Hugh Sisson.
Versioni i parë i kësaj skulpture u punua në vitin 1859 dhe i riprodhuar më vonë në më shumë se njëzet kopje. Duke reflektuar një kohë kur vdekja e fëmijëve ishte një dukuri më e zakonshme, skulptura eksploron kufirin misterioz midis gjumit të jetës dhe atij të vdekjes.