Romani “Reunion” është në vazhdën e një serie të pafund librash dhe trajtimesh kinematografike, dhe jo vetëm, që evokojnë periudhën e Luftës së Dytë Botërore, mizoritë naziste ndaj hebrenjve, por veçantia e këtij romani legjendar është se në këtë libër hymnizohet një miqësi.
“Nuk e mbaj mend saktësisht se kur vendosa që Konradin të bëhej miku im, por nuk kisha asnjë dyshim se herët a vonë do të bëhej. Deri në ditën e mbërritjes së tij nuk kisha pasur miq. Nuk kishte asnjë në klasën time që mund t’i përgjigjej nocionit tim romantik të miqësisë, askush që e admiroja vërtet ose që mund ta kuptonte nevojën time për besim, besnikëri dhe vetëmohim, askush për të cilin do të kisha hequr dorë. Unë hezitova pak para se të shkruaja se “me kënaqësi do të kisha dhënë jetën time për një mik”, por edhe tani, tridhjetë vjet më vonë, jam i bindur se nuk ishte një ekzagjerim dhe se jo vetëm që do të isha gati të vdisja për një mik, por do ta kisha bërë pothuajse me gëzim.”…
shkruhet në faqet e këtij libri i cili u botua në vitin 1971.
Praktikisht “Reunion” u injorua kur u botua spariherë, dhe u ribotua më 1977, për t’u vlerësuar nga kritikët, duke tërhequr lëvdata nga Arthur Koestler, i cili shkroi hyrjen e këtij botimi.
“Reunion” ka të bëjë me forcat që i japin fund miqësisë dhe fëmijërisë së Hans Schëarz-it, djalit të një mjeku hebre në Gjermaninë e para Luftës së Dytë Botërore dhe kontit Konradin von Hohenfels, një shok shkolle të klasës së lartë, me të cilin Hansi bëhet i apasionuar. Rrëfimi i shkurtër poetik kronizon miqësinë e tyre intensive, të pafajshme dhe përfundon me një zbulim që kundërshton gjykimet sipërfaqësore për karakterin njerëzor.
Hans dhe Konradin arrijnë të bëhen miq pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre. Hansi fton disa herë mikun në shtëpinë e tij dhe habitet që Konradini nuk bën të njëjtën gjë. Më në fund, ai e fton Hansin në shtëpinë e tij, por çdo herë pa praninë e prindërve. Hansi, i mërzitur, kërkon një shpjegim. Pikërisht atëherë Konradini i thotë Hansit se nëna e tij i urren hebrenjtë. Ngjitja e Hitlerit në pushtet bën që Konradin të braktisë Hansin. Prindërit e Hans, të cilët dyshojnë për ngacmimet e pësuar nga djali i tyre në shkollën e mesme, vendosin ta dërgojnë në Shtetet e Bashkuara për të jetuar me gjyshërit e tij, ku ai studion drejtësi në Universitetin e Harvardit në Massachusetts dhe bëhet avokat. Prindërit e tij kryejnë vetëvrasje si pasojë e persekutimit nazist. Ai përpiqet të harrojë ferrin e së kaluarës së tij.
Shumë kohë pas studimeve, Hans merr një letër nga Gjermania, nga gjimnazi Karl Alexander, ish-shkolla e tij e mesme, të shoqëruar nga një broshurë që përmban një listë me të gjithë emrat e ish-nxënësve të vdekur në luftë, ku kërkohej nj֝ë donacion për të bërë një memorial. Ai njeh emrat e ish-nxënësve të klasës së tij, por nuk dëshiron të shikojë shkronjën H nga frika se mos i gjente emrin shokut të tij Konradin. Pak para se ta hedhë broshurën, ai vendos të shikojë H-në dhe zbulon emrin e mikut të tij, dhe pikërisht atëherë ai arrin të deshifrojë kuptimin e vërtetë të miqësisë së gjetur. Në të vërtetë, miku i tij Konradin u ekzekutua nga nazistët pas pjesëmarrjes së tij në atentatin kundër Hitlerit më 20 korrik 1944.
Regjisori Jerry Schatzberg bëri një adaptim filmik, i lëshuar në 1989, me të njëjtin titull: “Reunion”.
Albert Vataj